Kërko

Kubë: zjarr në depot e naftës Kubë: zjarr në depot e naftës 

Zjarr dhe shpërthime në Kubë: dhimbja dhe lutja e Françeskut

Me një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, Papa lutet për viktimat e aksidentit të rëndë, ndodhur në bazën e supercisternës në Matanzas. Numri i deritanishëm i viktimave është një i vdekur, mbi 121 të plagosur dhe 17 të zhdukur. Specialistë nga vende të ndryshme larguan pothuajse dy mijë njerëz nga zona.

R. SH. - Vatikan

Skena, tani për tani, është ende ajo e një kolone tymi të zi, rrethuar me flakë që lartohen deri në qiell, shenjë e zjarrit vigan ndezur të premten e kaluar nga një shkarkesë elektrike në depon e karburantit, në bazën e supercisternës së Matanzas, qytet me 140 mijë banorë, 100 kilometra në lindje të Havanës. Zjarrfikësit nuk kanë arritur ende ta shuajnë zjarrin që deri tani ka shkaktuar vdekjen e një kolegu dhe plagosjen e 121 personave, por edhe mungesën e lajmit për fatin e 17 zjarrfikësve të zhdukur, të përfshirë në shpërthimin e një depoje të dytë, ndërsa ishin në zemër të shuarjes së flakëve, që shpërthyen në të parën.

Pikëllimi i Papës

Papa ndjehet pranë “popullit kuban dhe të gjitha familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi”. Përmes kryetarit të ipeshkvijve kubanë, imzotit Emilio Aranguren Echeverría, i dërgon një telegram ngushëllimi Havanës për “aksidentin fatkeq” në Matanzas, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin:

“Në këtë çast dhimbjeje - lexojmë - Françesku i lutet Zotit t’u japë forcë atyre që u prekën nga aksidenti si dhe të mbështesë punën për shuarjen e zjarrit e për kërkimin e të zhdukurve”.

Rreziku i zgjatjes së zjarrit

Deri tani janë prekur nga zjarri dy nga tetë rezervuaret e uzinës, me një kapacitet prej 50,000 metra kub secili, ndërsa rreth 1.900 njerëz janë larguar nga zona e fatkeqësisë, në rrethinat e Mantanzas. Rreziku i përhapjes së zjarrit mbetet i lartë, ndaj që prej ditës së djeshme ekipe specialistësh nga Meksika dhe Venezuela po i ndihmojnë skuadrat vendase të shpëtimit. Ndërkaq presidenti kuban Miguel Diaz-Canel falënderoi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe vendet fqinje,  që u treguan të gatshme për ndihmë, në këto orë tragjike!

 

08 gusht 2022, 16:33