Papa: pa përvujtëri, nuk mund të takohet Zoti
R.SH. - Vatikan
“Pa përvujtëri nuk mund të takohet Zoti, nuk mund të kuptohet shëlbimi e nuk mundesh as të takosh të afërmin, vëllain a motrën, që na jetojnë pranë”. Kështu Papa ne nje tweet sot 20 gusht 2022, në faqen e internetit @Pontifex.
Na nxit menjëherë të meditojmë, ky Tweet i ri i Papës në këtë fundjave të përvëluar gushti… Na kujton sjellje e njerëz, që e kanë a nuk e kanë këtë prirje kaq të domosdoshme për jetën shpirtërore të njeriut. Arrogantë a të përvuajtur. Arroganca të poshtëron edhe kur ke arsye, përvujtëria, edhe kur nuk e ke.
Historia e njerëzimit nuk i quan gjithaq legjendarë heronjtë e ngjarjeve të jashtëzakonshme! Vlerëson shumë më tepër njerëzit që, pa zhurmë e pa bujë, në heshtje të plotë, punuan a punojnë përvujtërisht si profesionistë e si diletantë, me dashuri e pasion të vërtetë, e jo me ambicje a egoizëm, duke e parë punën si qëllim në vetvete.
Përvujtëri do të thotë t’i japësh fund prirjes për t’i mbrojtur bindjet tua, për të kujtuar orë e ças vlerat e vetvetes, për të përsëritur pambarimisht se kush nuk interesohet për ty, nuk meriton as të jetojë në këtë botë.
Ji, prandaj, njeri zemër butë e i përvujtë! Njeri i vërtetë mund të quhet ai që, pasi të ketë arritur majat e pushtetit, kur gabon i kërkon falje më të papushtetshmit ndërmjet njerëzve! E këtë meditim, nisur me fjalët e Papës në Tweetin e sotëm, por e përfundojmë me fjalët e Nënë Terezës, simbol i përvujtërisë: “Ajo që bëjmë ne është vetëm një pikë uji në oqean, por po të mos e bënim, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak”. T’i kujtojmë, pra, fjalët e sotme të Papës Françesku: “Përvujëri, sepse vetëm kështu mund të takohemi me Zotin”.