Kërko

Ulrainë- anijet me grurë Ulrainë- anijet me grurë 

Françesku: Ukraina, marrëveshja për anijet, hapi i parë drejt paqes

Në përshëndetjet pas Engjëllit, një fjalë e mirë, optimiste. Françesku u ndalua tek marrëveshja nënshkruar nga Kievi dhe Moska. E quajti “shenjë shprese”, “hap për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. I lartë, alarmi për sigurinë e termocentralit Zaporizhzhia, rreth të cilit vazhdojnë bombardimet

R. SH. - Vatikan

 “Dëshiroj të përshëndes me kënaqësi nisjen nga portet ukrainase të anijeve të para të ngarkuara me drithëra. Ky hap tregon se është e mundur të dialogohet dhe të arrihen rezultate konkrete, nga të cilat përfitojnë të gjithë”.

Françesku, në përshëndetjet pas Engjëllit, u ndalua tek rezultatet e  deritanishme pas marrëveshjes së rëndësishme, nënshkruar më 22 korrik në Stamboll nga Moska dhe Kievi, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe të Kombeve të Bashkuara, marrëveshje që ka lejuar deri tani nisjen e anijeve të ngarkuara nga portet e Ukrainës:

“Prandaj edhe kjo ngjarje paraqitet si shenjë shprese dhe sinqerisht shpresoj që duke ecur në këtë rrugë do të mund t'i japim fund luftimeve dhe të arrijmë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Megjithatë, për fat të keq, situata është ende shumë e rëndë. Alarmi mbetet i lartë për termocentralin Zaporizhzhia. Pranë kompleksit bërthamor më të madh në Evropë, tashmë i dëmtuar rëndë dhe ku një reaktor u desh të mbyllej, vijojnë të bien me dhjetëra raketa! Rreziku i katastrofës bërthamore është shumë real - alarmohet IAEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike - e cila bën thirrje për t’i dhënë fund çdo aksioni ushtarak pranë zonës.

07 gusht 2022, 13:10