Kërko

Papa Françesku me fëmijët ukrainas në audiencën e përgjithshme të 6 prillit 2022 Papa Françesku me fëmijët ukrainas në audiencën e përgjithshme të 6 prillit 2022 

Papa u shkruan murgeshave të Erice-s, që kujdesen për fëmijët ukrainas

“E dashur motër, po përjetojmë mizori”. Ati i Shenjtë u shkruan murgeshave të Institutit të Zojës Mbretëreshë, në Erice të Italisë, që kujdesen për 20 jetimë ukrainas nga Mariupol, ardhur përmes një korridori humanitar, së bashku me edukatorët e tyre. “Nuk besoja se Papa do të më përgjigjej”, komenton në lot eprorja e Institutit, që i pati shkruar Atit të Shenjtë

R.SH. – Vatikan

“E dashur motër, faleminderit për letrën tuaj, faleminderit për letrën e zonjave ukrainase. Po bëj gjithçka mundem për Ukrainën. Po përjetojmë një mizori. Jam pranë atyre zonjave dhe të gjithë fëmijëve ukrainas. Fola në telefon me presidentin Zelenski. Mbetem në dispozicion. Lutem për ju e për të gjithë. Zoti ju bekoftë dhe Zoja e Bekuar ju ruajtë. Vëllazërisht, Françesku”.

Motër Terezina, eprore e Institutit të Zojës Mbretëreshë në Erice të Italisë, nuk mundi t’i mbante lotët kur pa shënimin e shkruar me dorë, me datën e së njëjtës ditë, në të cilën Papa Françesku kishte marrë letrën e saj, që shoqëronte letrën e tre mikeshave ukrainase nga Mariupoli, të cilave ua kishte ndierë shqetësimin.

“Ishim bashkë, sapo ishim lutur kur Veronika propozoi t’i shkruanim Papës – tregon murgesha - Nuk e imagjinoja kurrë që Ati i Shenjtë mund të përgjigjej. Por mbase nuk e kisha kuptuar sa e ka për zemër Françesku paqen dhe fatin e popullit ukrainas, sa e madhe dhe e afërt është atësia e tij”, vazhdon ajo, duke tundur kokën, në një dëshmi për gazetën kishtare italiane “Avvenire”.

Motrat strehojnë e kujdesen për 20 fëmijë ukrainas

Murgesha tregon se në Erice, motrat strehojnë e kujdesen për 20 fëmijë ukrainas, së bashku me edukatorët e tyre, ardhur në maj në Itali përmes një korridori humanitar, që arriti të evakuojë nga Mariupoli dhe Karmatorsku, në zonën e Donetskut, 63 jetimë të vegjël. Instituti i motrave është bërë pikë referimi për bashkësinë ukrainase të dioqezës së Trapanit, e cila ka strehuar gra, të moshuar e fëmijë edhe në strukturat e Karitasit. Një pjesë kanë gjetur mikpritje ndër bashkëkombasit emigrantë në Sicili.

Disa prej grave ukrainase janë punësuar në një kooperativë të Karitasit, jo vetëm për të përballuar jetesën, por edhe për të ndihmuar murgeshat dhe vullnetarët, që nuk e dinë gjuhën, të komunikojnë me të shpërngulurit. Kështu, mes turneve e ndonjë feste për jetimët e vegjël, dialogu bëhet histori, që u kalon edhe të tjerëve lajmet e tmerrshme, të cilat arrijnë përditë në celularë, netët pa gjumë, lotët e zemërimit e të pafuqisë. Në Ukrainë, njëra nga gratë, - Veronika, për të cilën flet eprorja e motrave - ishte inxhiniere kimike e “Metinvest Group”, kompania që zotëron uzinën e çelikut Azovstal.

Të respektohen të drejtat themelore të njerëzve dhe Konventa e Gjenevës

Në celularin e saj shihen pamje djemsh të rinj me fëmijë, ushtarë të burgosur nga rusët. “Mungesa e informacionit nuk na lejon të nxjerrim përfundime, por nuk e dimë në ç’kushte mbahen. Mungojnë shumë nga personali paramjekësor, në ndjekje të ushtrisë, shumë prej të cilëve ishin gra. Fëmijët e tyre nuk dinë më asgjë për to - deklaron Veronika. - Kërkojmë të respektohen të drejtat themelore të njerëzve dhe Konventa e Gjenevës, që askush të mos i nënshtrohet torturës apo abuzimit. Atë mbrëmje - shton ajo - ishim vërtet në një çast dëshpërimi dhe me motër Terezinën thamë: ndoshta Papa Françesku do të na dëgjojë, ndoshta dikush do ta dëgjojë Papën Françesku”.

Një grua tjetër ukrainase, Olga, mbërriti me makinë me një shoqe, me tre fëmijë, njëri prej të cilëve vetëm 4 muajsh dhe me një qen: udhëtim 15-ditor. “E gjithë vëmendja e botës - shpjegon gruaja - duket e përqendruar në centralin bërthamor, por njerëzit tanë në Mariupol po jetojnë në kushte të dëshpëruara, pa ujë, pa energji elektrike. Kanë mbetur vetëm më të brishtët, ata që nuk kanë para, ose nuk gjejnë benzinë, ata që kujdesen për të sëmurët rëndë, ose për të paaftët”. Afërsia e Papës Françesku “na prek”, shton Iryna, gruaja e ish-zëvendëskryetarit të bashkisë së Mariupolit, e cila mbërriti në Trapani shumë kohë përpara se të shpërthente lufta: “Pavarësisht nga tmerri, që shohim çdo ditë, shpresojmë që përpjekjet e Papës Françesku dhe të botës së qytetëruar të sjellin një epokë mëshire dhe paqeje. Ju jemi mirënjohës, Papa Françesku, për atësinë tuaj”.

19 gusht 2022, 14:17