Kërko

Presidenti i Republikës Fixhi, Wiliame Katonivere me Papën Françesku Presidenti i Republikës Fixhi, Wiliame Katonivere me Papën Françesku 

Papa pret në audiencë presidentin e Republikës së Fixhit

Ndër temat e trajtuara në bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit: ndryshimet klimatike, nevoja për angazhim më të madh në mbrojtjen e Shtëpisë së Përbashkët, marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe kontributi i Kishës Katolike në zhvillimin e Fixhit

R.SH. – Vatikan

         Zgjati 25 minuta, audienca e paradites së sotme të Papës Françesku, në Pallatin Apostolik, me presidentin e Republikës së Fixhit, Ratu Wiliame Maivalili Katonivere. Më pas, ky i fundit takoi kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedimet

         “Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit - njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u diskutuan disa çështje rajonale, veçanërisht çështja urgjente e ndryshimeve klimatike, në përmasën e saj humanitare, si edhe nevoja për impenjimin më të madh në mbrojtjen e Shtëpisë së Përbashkët”. “U vunë në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Fixhit, si edhe kontributi i Kishës Katolike në jetën dhe në zhvillimin e vendit”.

Shkëmbimi i dhuratave

         Në çastin e shkëmbimit të dhuratave, Katonivere i dha Papës një "Ibe Kuta" (rrogoz kashte) të vogël në kornizë, punuar me dorë me fije kallami të endura imët, nga ligatinat e Macuata-s, një nga provincat e ishujve Fixhi. Këto "ligatina", shpjegohet në një pllakë, "kërcënohen nga ndryshimet klimatike, kullotja e tepruar dhe zjarret e pakontrolluara, prandaj, duhen mbrojtur”. "Ibe Kuta", punuar nga gratë artizane të Macuata-s, është më delikate dhe më e çmuar se rrogozi standard, që shihet në ekspozitat e ishujve Fixhi, prandaj, u rezervohet personaliteteve të rangut të lartë. Gërshetimi i sofistikuar i fijeve të kallamit është unik e i papërsëritshëm, duke e bërë “Ibe Kuta”-n tejet të veçantë. Françesku i dhuroi presidentit një degë ulliri prej bronzi, Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2022, dokumentet e Magjisterit papnor dhe librin e botuar nga Vatikani për Statio Orbis të 27 Marsit 2020.

01 gusht 2022, 14:52