Kërko

Françesku takohet me parlamentarët e Rrjetit Ndërkombëtar të Legjislatorëve Katolikë Françesku takohet me parlamentarët e Rrjetit Ndërkombëtar të Legjislatorëve Katolikë

Papa: për ta shëruar botën nga dhuna, duhen udhëheqës të aftë e politika të frytshme

Françesku takohet me parlamentarët e Rrjetit Ndërkombëtar të Legjislatorëve Katolikë dhe kërkon impenjim, kombëtar dhe ndërkombëtar, për “drejtësinë, vëllazërimin dhe paqen”, e cila, pohon ai, “nuk është vetëm mungesë lufte”, por rezultat i bashkëpunimit, i dialogut dhe i planeve politike largpamëse

R.SH. – Vatikan

         “Drejtësi”, për njerëzit që nuk kanë zë dhe presin të mbrohen nga liderët civilë dhe politikë, përmes politikave dhe ligjeve të frytshme. “Vëllazërim”, për të trajtuar pabarazinë dhe padrejtësinë, që kërcënojnë indin shoqëror dhe dinjitetin e çdo gruaje dhe të çdo burri. “Paqe”, e cila nuk është mungesë “lufte”, por fryt i dialogut dhe i bashkëpunimit afatgjatë. Papa i vendos këto sfida të së tashmes dhe të së ardhmes në duart e anëtarëve të Rrjetit Ndërkombëtar të Legjislatorëve Katolikë, të cilët i priti sot në Pallatin Apostolik. Organizmi është themeluar në Trumau të Austrisë, në vitin 2010, nën kujdesin e kryeipeshkvit të Vjenës, kardinalit Christoph Schönborn, i pranishëm në sallën Klementine, së bashku me presidentin Alting von Geusau dhe me patrikun e Kishës Siro-Ortodokse, Ignatius Aphrem II.

Drejtësi, vëllazërim dhe paqe

Papa i pati pritur politikanët katolikë edhe gushtin e kaluar, duke u kërkuar ndihmë për përballimin e pandemisë, të trazirave politike dhe të kërcënimit nga teknologjitë e reja - si pornografia e fëmijëve, lajmet e rreme - të cilat cënojnë dinjitetin njerëzor. Dymbëdhjetë muaj më vonë, skenari botëror nuk ka ndryshuar për mirë. Papa u jep anëtarëve të rrjetit tri fjalë kyçe për të ndihmuar diskutimet e ketyre ditëve në Romë: “Drejtësi, vëllazërim dhe paqe”. Sidomos “paqja”, nënvizon Françesku, është kërkim i vazhdueshëm.

“Paqja nuk është thjesht mungesë lufte. Përkundrazi, rruga drejt paqes së qëndrueshme kërkon bashkëpunim, veçanërisht nga ana e atyre, që kanë përgjegjësi më të mëdha, për objektiva në të mirën e të gjithëve. Paqja vjen nga impenjimi i vazhdueshëm për dialog të ndërsjellë, nga kërkimi plot durim i së vërtetës dhe nga vullneti për të vënë të mirën e bashkësisë para interesit personal”.

Bëhuni zëri i nevojtarëve

         Ndjenja e drejtësisë, kuptuar si “dëshirë për t’i dhënë secilit aq sa i takon”, vijoi Papa, çon në veprime konkrete për të promovuar marrëdhënie të drejta me Zotin e me të tjerët.

         “Në botën e sotme, shumë njerëz po kërkojnë drejtësi, veçanërisht ata më të cënuarit, që shpesh nuk kanë zë dhe presin që liderët civilë dhe politikë, përmes politikave dhe ligjeve publike të frytshme, të mbrojnë dinjitetin e tyre si bij të Zotit dhe të sigurojnë paprekshmërinë e të drejtave themelore të njeriut”.

         Papa i fton parlamentarët katolikë të shmangin e të luftojnë kulturën “përdor e hidh”, duke i trajtuar njerëzit me dashuri e respekt.

Me solidaritet, t’u bëhet ballë pabarazisë dhe padrejtësisë

         Pastaj, një tjetër fjalë kyçe: vëllazërim, pa të cilin  “nuk mund të ekzistojë” një shoqëri e drejtë. Për Papën, vëllazërimi është “ndjenja e përgjegjësisë dhe e shqetësimit të përbashkët për zhvillimin dhe mirëqenien e gjithanshme të çdo anëtari të familjes sonë njerëzore”.

“Nëse duam ta shërojmë botën tonë, të sprovuar aq rëndë nga rivalitetet dhe format e dhunës, që lindin nga dëshira për të dominuar dhe jo për të shërbyer, kemi nevojë jo vetëm për qytetarë të përgjegjshëm, por edhe për udhëheqës të aftë, të frymëzuar nga dashuria vëllazërore sidomos për ata, të cilët i kanë më të këqija kushtet e jetesës”.

Së fundi, Ati i Shenjtë i inkurajon politikanët nga e gjitha bota të vazhdojnë përpjekjet “për miratimin e politikave dhe të ligjeve, të cilat synojnë trajtimin me solidaritet të gjendjeve të shumta të pabarazisë dhe të padrejtësisë, që kërcënojnë indin shoqëror dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve”.

25 gusht 2022, 14:07