Kërko

2022.08.28 Visita Pastorale a L'Aquila 2022.08.28 Visita Pastorale a L'Aquila 

Françesku në L'Aquila: duhen përpjekje largpamëse për të rindërtuar

Takimi i parë i Françeskut në kryeqytetin e Abruzzo-s, ai me familjet e viktimave të tërmetit të vitit 2009, në sheshin para katedrales. Përqafim me popullatën, të cilën e falënderon për dëshminë e fesë dhe besimin në “rilindje”. Më pas, thirrja për “vëmendje të veçantë” në rindërtimin e kishave, por edhe ankesa: “shumë viktima nëpër burgje”. Papa vizitoi Katedralen, ende të shpërfytyruar nga tërmeti

R. SH. - Vatikan

Papa flet për shpresë, dhimbje dhe dinjitet, por edhe për “angazhim largpamës” për rindërtimin shpirtëror dhe material të popullit “durimtar” të L'Aquila, i cili pas rreth trembëdhjetë vjetësh, po i vuan ende pasojat e tërmetit të tmerrshëm të vitit 2009, që shkaktoi mbi 300 të vdekur dhe 1600 të plagosur. Papa Françesku mbërriti rreth orës 8.30 në kryeqytetin e Abruzzos, i cili sot kremton Ndjesën Çelestiniane. Është Papa i parë që hap Portën e Shenjtë. Pasi u ul nga helikopteri në fushën e sportit, Françesku u drejtua drejt Sheshit të Katedrales me një me Fiat 500L të bardhë  i shoqëruar me këngën kushtuar Salus Populi Aquilani, Zojës Pajtore të popullatës. U prit nga kardinali Giuseppe Petrocchi, së bashku me autoritetet vendase, duke përfshirë presidentin e rajonit Marco Marsilio.

L'Aquila përshëndet Françeskun, në pritje fjalësh shpresëdhënëse

Rreth e rrotull, mijëra njerëz duke fotografuar me celularë. Ndërsa nën një diell të ëmbël, në sheshin para Kishës, tek këmbët e podiumit të bardhë, turma valëvit flamuj bardheverdh të Vatikanit dhe verdheblu të Ukrainës. Bien në sy edhe citime të marra nga fjalimet e Papës si “Falja është e drejtë njerëzore” ose “Bota ka nevojë për paqe”. Në rreshtin e parë janë familjarët e viktimave të tërmetit që, siç tha në urimin e tij kardinali Petrocchi, “shkaktoi shkatërrime të mëdha dhe vdekje të shumta”. Pas tyre skautët e vegjël të Agesci-t, anëtarë të shoqatave të ndryshme bamirëse, grupe laikësh, përfaqësues të botës së burgjeve të Abruceve dhe figura institucionale.

Mirënjohja e Papës

Papa Françesku, pasi arriti në skenë me karrocën e tij me rrota, foli sakaq për “përqafimin “ e Papës me “të gjithë qytetin dhe dioqezën e L'Aquilas”:

“Kënaqem që jam mes jush - kujtoi - Në këtë çast takimi me ju, veçanërisht me familjarët e viktimave të tërmetit, dua t’u shpreh afërsinë   familjeve të tyre dhe gjithë bashkësisë suaj, që i bëri ballë me shumë dinjitet pasojave të asaj ngjarjeje tragjike”.

Në vijim shprehu posaçërisht mirënjohjen për “dëshminë e besimit” nga njerëzit e L'Aquilas:

“Edhe në dhimbjen e hutimin, që nuk mungojnë as në besimin tonë si shtegtarë, ju i ngulët sytë te Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur i cili, me dashurinë e tij, na çliroi nga absurditeti i dhimbjes dhe i vdekjes”

Vdekja nuk e mund dot dashurinë

Papa Françesku kujtoi letrën e marrë nga “njëri prej turmës”, i cili i shkruan se “i humbi të dy fëmijët e tij të vetëm, adoleshentë”. “Jezusi i riktheu në krahët e Atit, i cili nuk lë asnjë lot të derdhet më kot, as edhe një! Por i mbledh të gjitha në zemrën e tij të mëshirshme”- kujtoi Papa. “Në zemrën e Zotit janë shkruar emrat e të dashurve tuaj, të cilët kanë kaluar nga përkohshmëria, në përjetësi”, siguroi, “Bashkimi me ta është më i gjallë se kurrë. Vdekja nuk mund ta copëtojë dashurinë”. Sigurisht, shtoi duke folur lirisht:

“Dhimbja është aty dhe fjalët e bukura ndihmojnë, por dhimbja mbetet. Nuk trembet nga fjalët dhimbja, nuk ikën nga fjalët! Po vetëm nga afërsia, miqësia, dashuria... Ose jemi popull i Zotit ose probleme të dhimbshme si këto nuk mund të zgjidhen”.

Françesku: nga Çelestini V, mësimi i faljes, armë e vetme kundër luftës

Papa falënderoi për kujdesin me të cilin është ndërtuar Kapela e Kujtesës. Kujtesa, theksoi ai, “është forca e një populli; e kur ky kujtim ndriçohet nga besimi, ai popull nuk mbetet rob i së shkuarës, por ecën në të tashmen, me sytë nga e ardhmja, gjithmonë i lidhur me rrënjët e veta, duke vlerësuar edhe përvojat e kaluara, të mira dhe të këqija”.

“Ju, njerëzit akuilanas dëshmuat se keni karakter të qëndrueshëm. Të rrënjosur në traditën tuaj kristiane dhe qytetare, bëtë të mundur përballimin e goditjes së tërmetit dhe fillimin e menjëhershëm të punës të rindërtimit, me guxim dhe durim”.

Rindërtimi së bashku

Gjithçka ishte për t’u rindërtuar: shtëpi, shkolla, Kisha. “Por, ju - u përsëriti Papa banorëve të qytetit - e dini mirë - kjo bëhet së bashku me rindërtimin shpirtëror, kulturor dhe shoqëror të bashkësive qytetare dhe kishtare. Rilindja personale dhe kolektive është dhuratë e Hirit e edhe rezultat i angazhimit të secilit dhe i të gjithëve”. “Së bashku”, tha Papa: “Jo me grupe të vogla, së bashku, të gjithë së bashku…”.

Është themelore të aktivizohet dhe të forcohet bashkëpunimi organik, në sinergji, i institucioneve dhe shoqatave: harmoni e mundimshme,  angazhim largpamës. Sepse po punojmë për fëmijët, nipërit, për të ardhmen.

Në këtë vepër rindërtimi meritojnë vëmendje të veçantë kishat “trashëgimi e bashkësisë, jo vetëm në kuptimin historik e kulturor, por edhe në kuptimin identitar”. Ata gur janë “përplot me fe, me vlera njerëzore; e tempujt janë gjithashtu vende të ngarkuara me jetën e vendit, me shpresën e tij” - theksoi Papa Françesku.

Vizita në Katedrale

I shoqëruar nga lutja e kënduar “Të falemi Mbretereshë”,  Ati i Shenjtë hyri në katedrale për një vizitë private në këtë vend, ende të shpërfytyruar nga plagët e hapura prej tërmetit. Aty përshndeti zjarrfikësit  dhe  të gjithë ata, që punojnë për rindërtimin e kësaj ndërtese të mrekullueshme të stilit barok.

28 gusht 2022, 11:04