Kërko

Papa, ministrantëve të Francës: shërbimi për Kishën është aventurë e bukur

Mbi dy mijë ministrantë mbërritën në Romë nga Franca për shtegtimin e tyre të madh, shoqëruar nga meshtarë dhe ipeshkvij. Në audiencën me ta, Papa Françesku e ngriti lart përvojën e tyre të shërbimit, duke i parë si “apostuj” në mesin e bashkëmoshatarëve. Ati i Shenjtë i ftoi të ndjekin ëndrrat, edhe kur ato janë “thirrje” e Zotit për t’iu kushtuar Atij

R.SH. – Vatikan

Shtyrë dy herë, për shkak të Covid-19, më në fund u realizua shtegtimi i mbi dy mijë ministrantëve francezë në Romë, që sot, u takuan me Papën Françesku në Vatikan. Ati i Shenjtë u ndal në temën e përvojës së tyre “në gjurmët e shumë dëshmitarëve të Krishtit, të cilët, gjatë shekujve, kanë ardhur në Romë për t’u ripërtërirë në fe”. Një takim me moton “Eja, shërbe dhe shko!”, kujtoi Papa.

Thirrja në Kishë

“Eja”: Zoti të thërret. Papa reflektoi mbi thirrjen e të rinjve në Kishë, për vendin dhe dëshminë e tyre, duke i inkurajuar:

“Ju keni dashur të jeni ministrantë dhe unë dua t’ju falënderoj nga zemra për përpjekjet, nganjëherë, edhe për privacionet, të cilat i pranoni që t’i kushtoheni këtij impenjimi si ministrantë, ndërsa shumë shokë e miq të tjerë preferojnë të flenë të dielën në mëngjes, ose të bëjnë sport...  Ti nuk e mendon sa mund të jesh model, pikë referimi për shumë të rinj të moshës tënde. E, mund të jesh vërtet krenar për atë që bën. Mos ki turp të shërbesh në Altar, edhe kur je vetëm, edhe kur po rritesh. Është nder t’i shërbesh Jezusit, kur ai jep jetën për ne në Eukaristi”.

Shkoni dhe shërbejuni vëllezërve, për të përhapur dashurinë e Jezusit

Shërbimi është “dëshmi konkrete e Ungjillit” dhe “apostullim” që tërheq, sipas fjalëve të Papës për të rinjtë nga 10 deri në 18 vjeç, nga dioqeza të ndryshme të Francës. “Por shërbimi në meshë – shtoi ai – kërkon vazhdimin: ‘Shërbe e shko!’”.

“Ju e dini se Jezusi është i pranishëm në vëllezërit që takojmë. Pasi i shërbeni Jezusit në Meshë, Ai ju dërgon t’i shërbeni në njerëzit që takoni gjatë ditës, veçanërisht nëse ata janë të varfër dhe të mënjanuar, sepse Ai është i bashkuar me ta në mënyrë të veçantë. Ndoshta keni shokë, që jetojnë në lagje të vështira, ose përballen me vuajtje të mëdha, madje edhe me varësi të ndryshme; ju njihni të rinj të çrrënjosur, emigrantë ose refugjatë. Ju bëj thirrje t’i mirëprisni me bujari, t’i nxirrni nga vetmia dhe të miqësoheni me ta”.

Papa Françesku nguli këmbë që marrëdhëniet me bashkëmoshatarët të mos jenë thjesht virtuale, jashtë realitetit të jetës së përditshme. U tha të rinjve të mos mbyllen në grupe të ngushta, të mos nxisin egozimin.

Rreziku i sotëm: të mbetemi pa rrënjë

Aspekti tjetër, që preku Ati i Shenjtë, ishin marrëdhëniet me të moshuarit, tejet “të çmuar” për këshillat e përvojën e tyre. Janë ata, që i shoqërojnë të rinjtë në meshë e u flasin për Zotin, duke u bërë më se të nevojshëm për pjekurinë e tyre si njerëz.

 “Sot, ka rrezik të mos e dish më nga vjen, të humbasësh rrënjët, të humbasësh orientimin. Më thuaj, si mendon ta ndërtosh të ardhmen, të planifikosh jetën, nëse nuk ke rrënjë të forta, që të ndihmojnë të rrish me kurriz drejt e pa u përkulur, por edhe me këmbë në tokë? Është e lehtë të ‘fluturosh’ kur nuk ke ku të mbahesh, ku të fiksohesh. Kërkojini rrënjët, mësoni ta njihni dhe ta doni kulturën, historinë tuaj, të hyni vërtet në dialog me ata që janë ndryshe nga ju, të fortë në çka jeni dhe me respekt për çka janë të tjerët”.

Mos hiqni dorë nga ëndrrat, u tha Papa ministrantëve francezë, mos kini frikë t’i përgjigjeni thirrjes së Zotit për t’iu kushtuar Atij, nëse shërbimi në altar ju çon në këtë drejtim.

“Mos ki frikë! Ushqeje këtë thirrje në zemrën tënde dhe, një ditë, ki guximin të flasësh për të me dikë të besuar. Sa bukur është kur sheh të rinj, që përkushtohen me bujari për Mbretërinë e Zotit, në shërbim të Kishës! Është vërtet një aventurë e bukur”.

26 gusht 2022, 13:25