Kërko

Pasojat e një sulmi ajror rus në Ukrainë Pasojat e një sulmi ajror rus në Ukrainë 

Papa lutet për popullin ukrainas, që vuan nga një luftë mizore

Në fund të audiencës së përgjithshme, Françesku u tërhoqi sërish vëmendjen besimtarëve për plagët e konfliktit të vazhdueshëm në zemër të Evropës dhe i ftoi të luten për ata që largohen nga shtëpitë e tyre, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Më pas, fjalët e afërsisë - të shprehura tashmë në një telegram - edhe për të prekurit nga zjarret dhe shpërthimet e 5 gushtit në bazën e naftës Matanzas, në Kubë

R.SH. – Vatikan

         Pas katekizmit në Sallën Pali VI, Papa Françesku kujtoi tragjedinë e konfliktit në Ukrainë dhe ata, që kapërcejnë rajone e dete, me kokën në rrezik e me shpresën për një të ardhme më të mirë. “Nuk është e lehtë të jesh veprimtar i paqes, si në familje, ashtu edhe në Kishë, por duhet ta bëjmë, sepse është punë e bukur”.

Vuajtjet e Ukrainës e fluksi i emigrantëve

         “Një mendim - pohoi Papa - edhe për popullin e Ukrainës, i cili ende vuan nga kjo luftë kaq mizore. E gjithashtu, lutje për emigrantët, që po mbërrijnë vazhdimisht”. Vërtet, numri i viktimave ukrainase nën bombat ruse vijon të rritet. Sulmet e fundit ajrore sinjalizohen në rajonin e Nikopolit e kanë shkaktuar vdekjen e së paku dy civilëve. E pikërisht lufta, por edhe varfëria e probleme të tjera, shtojnë fluksin e emigrantëve, gjithnjë ndër shqetësimet e Papës. Vetëm gjatë natës së djeshme, mbërritën në Lampeduzë të Italisë tri barka me 41 persona në bord.

Afërsi me njerëzit e dëmtuar nga zjarri në Kubë

Papa Françesku, duke përshëndetur shtegtarët, shprehu afërsinë e tij edhe me të prekurit nga tragjedia e shkaktuar nga zjarri në bazën e naftës në Matanzas, në Kubë. “T’i kërkojmë Zojës, Mbretëreshë e Qiellit, të vigjëlojë mbi viktimat e kësaj tragjedie dhe mbi familjet e tyre. E ndërmjetësoftë për të gjithë ne pranë Zotit, që të dëshmojmë për fenë dhe shpresën në jetën e botës që do të vijë”. Zjarri, që ra të premten e kaluar në një zonë me depo nafte, shkaktoi të paktën një viktimë, mbi 120 të plagosur e mijëra të shpërngulur. Deri tani, kanë shpërthyer 4 depozita. Ditët e fundit, në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa siguronte “afërsinë e tij shpirtërore me popullin kuban dhe me familjet e dëmtuara”, duke e lutur “Zotin që t’u japë forcë në këtë çast dhimbjeje dhe të mbështesë punën për shuarjen e zjarrit dhe kërkimin e njerëzve”.

10 gusht 2022, 12:37