Kërko

Porti i Libanit pas shpërthimit Porti i Libanit pas shpërthimit

Papa kujton shpërthimin në portin e Bejrutit: “E vërteta nuk duhet të mbetet e fshehur”

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku kujtoi katastrofën e vitit 2020 në kryeqytetin libanez, në prag të përvjetorit të dytë. Ishte një lutje për familjet e viktimave dhe shpresa se “Libani, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do të vazhdojë të ecë në rrugën e rilindjes, besnik ndaj thirrjes për të qenë tokë e paqes". Besimtarëve polakë gjatë shtegtimeve të tyre në këmbë në shenjtëroret mariane u kërkoi të luten “për paqen në Ukrainë"

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku flet rishtas për Libanin e plagosur, që nesër kujton përvjetorin e dytë të shpërthimit dramatik në portin e Bejrutit, me pasojë rreth 200 të vdekur dhe mbi 6000 të plagosur. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, pas katekizmit kushtuar tërësisht shtegtimit të fundit në Kanada, Papa kujtoi familjet e viktimave të “asaj ngjarjeje katastrofike” dhe “popullin e dashur libanez”. Popull, të cilit ai i ka kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë dhe për të cilin, më 1 korrik të vitit të kaluar, organizoi një ditë lutjeje dhe reflektimi në Vatikan me krerët e Kishave Lindore.

“Lutem që secili të ngushëllohet nga feja, të ngushëllohet nga drejtësia dhe nga e vërteta, që nuk mund të fshihet kurrë”.

 Françesku dhe Libani, vështrim që kërkon paqe

Në sallën e Palit VI, Françesku shprehu një dëshirë të veçantë për “Tokën  e Kedrave”, e cila i kujtoi përkufizimin e Gjon Palit II për një tokë, të cilën e quajti sidomos “mesazh”:

“Uroj që Libani, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, të vazhdojë të ecë në rrugën e rilindjes, duke i qëndruar besnik thirrjes për të qenë tokë e paqes dhe e pluralizmit, ku bashkësitë e feve të ndryshme mund të jetojnë në vëllazëri”.

Audienca e përgjithshme
Audienca e përgjithshme

Katastrofa

Ishte ora pesë e pasdites e datës 4 gusht 2020, kur zjarrfikësit e Bejrutit vraponin drejt portit me fishkëllima rrënqethëse sirenash. Fillimisht u fol për zjarr, që  kishte rënë në një hangar, ende i parrezikshëm, por që kërkonte ndërhyrje të menjëherëshme. Zjarrfikësit u befasuan nga shpërthimi i parë, pasuar pak sekonda më vonë nga një i dytë në Hangarin n. 3 të portit, ndërsa flaka prekte 2700 tonë nitrat amoniumi, ruajtur në depo prej dhjetë vjetësh. Katastrofë, e cilësuar si një nga shpërthimet më të fuqishme jo-bërthamore në histori, e goditje e rëndë për një vend tashmë të rrënuar nga kriza politike, sociale, ekonomike, ku rreth 50% e popullsisë jeton ende nën kufirin e varfërisë. Bilanci dramatik u mor vesh vetëm pas disa muajsh: 214 të vdekur, 6500 të plagosur, dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur, aeroporti si dhe një pjesë e qendrës së qytetit, të shkatërruara. Pas një viti, hetimet për të zbuluar se kush ishte përgjegjës për atë kataklizëm u ndërprenë.

Raportet e fundit thonë se disa nga kapanonet e grurit kanë mbetur në këmbë në port pas shembjes së shpërthimit shkatërrues. Shkaktar i shembjes së strukturave duket se ka qenë zjarri, që kishte rënë mbi rezervat e drithërave, të fermentuara dhe të djegura falë temperaturave të larta prej një jave. Ishte zjarr që nuk mundën ta shuanin as zjarrfikësit.

Papa: Ka nga ata që duan të fundosin Libanin: bota ta ndihmojë të riniset

Që në vitin e kaluar, më 4 gusht 2021, në përvjetorin e parë të katastrofës, Françesku pati shprehur pikëllimin për ngjarjen, në përfundim të audiencës së përgjithshme:

“Një vit pas shpërthimit të tmerrshëm në portin e Bejrutit, kryeqytet i Libanit, që shkaktoi vdekje dhe shkatërrime, mendimet e mia shkojnë në atë vend të dashur, veçanërisht tek viktimat, familjet e tyre, shumë të lënduar dhe ata që humbën shtëpitë dhe punën. Ndaj shumë kanë humbur edhe shpresat e ëndrrat e të jetuarit”

Dita e lutjes për Libanin
Dita e lutjes për Libanin

Dita e Lutjes në Vatikan

Një muaj më parë, në Ditën e Lutjes dhe Reflektimit për Vendin e Lindjes së Mesme, Françesku, i shoqëruar nga patriarkët dhe krerët e Kishave Lindore të Tokës së Kedrave, pati denoncuar përpjekjet për ta “mbytur" Libanin. Duke përshëndetur “aspiratat dhe pritshmëritë e popullit libanez, të lodhur dhe të zhgënjyer”, ipeshkvi i Romës kishte kërkuar nga Zoti “dritën e shpresës për të kapërcyer krizën e rëndë”.

Një mendim për Ukrainën

Papa shprehu të njëjtën shpresë për paqen në Ukrainë, teatër i asaj që, në disa raste në të kaluarën, e pati quajtur “luftë e pakuptimtë dhe mizore”. Duke përshëndetur shtegtarët nga Polonia, në përfundim të audiencës, i falënderoi për “ndihmën që i dhanë me lutje” gjatë shtegtimit në Kanada. Françesku kujtoi se në gusht shumë besimtarë polakë shkojnë në këmbë në Shenjtëroren e  Jasna Góra-s e shenjtërore të tjera Mariane. Prandaj u besoi një mision të veçantë:

“Ju kërkoj t’i ofroni kapitjet e shtegtimit tuaj edhe për Kishën, për paqen në botë e, veçanërisht, në Ukrainë”.

03 gusht 2022, 13:20