Papa: ia besojmë Marisë Ukrainën dhe fatin e botës
R.SH. – Vatikan
“Mendimi më shkon në Ukrainë, të mos e harrojmë atë popull të martirizuar”: Papa Françesku e përsëriti edhe një herë, në fund të audiencës së përgjithshme, thirrjen e tij për vendin e Evropës Lindore, prej gjashtë muajsh në luftë me Rusinë. Në përshëndetjen për shtegtarët polakë të pranishëm në Sallën Pali VI, në Vatikan, ai e falënderoi Poloninë për mikpritjen, që u ka rezervuar ukrainasve, në ikje nga bombat.
Pikërisht këta ukrainas, vërejti ai, janë këto ditë në mesin e mijëra shtegtarëve, që “shkojnë në këmbë në shenjtëroren e Jasna Góra-s, duke u lutur për paqen e për pajtimin në botë”. Ati i Shenjtë u bashkua idealisht në lutje me të gjithë besimtarët e mbledhur në shenjtërore e me ata, që po shkojnë drejt Czestochowa-s. “Ia besojmë fatin e Evropës e të botës Zojës së Zeshkët”, tha Papa, i cili edhe para dy javësh kujtoi traditën e shtegtimit në këmbë në Jasna Góra e në shenjtërore të tjera mariane, gjatë muajit gusht. U pati kërkuar besimtarëve ta ofrojnë lodhjen e shtegtimit për Kishën, për paqen në botë, sidomos për Ukrainën.
Mirënjohja e Papës për Poloninë, që mirëpret refugjatët ukrainas
Edhe gjatë disa audiencave të përgjithshme, Françesku, duke përshëndetur besimtarët polakë, e ka falënderuar shpesh Poloninë për pritjen e ukrainasve të shumtë, që ikin nga lufta. Më 20 prill, Papa shprehu mirënjohjen për mëshirën e treguar "ndaj kaq shumë refugjatëve të Ukrainës", që gjetën "dyer të hapura dhe zemra bujare" në vend. Në veçanti, të Mërkurën e Përhime, kur lufta ishte në fillimet e saj, Papa pati fjalë vlerësimi për bujarinë dhe solidaritetin e polakëve ndaj popullit ukrainas. “Ju ishit të parët, që mbështetët Ukrainën, duke hapur kufijtë, zemrat dhe dyert e shtëpive tuaja për ukrainasit, që ikin nga lufta”, pohoi atëherë Ati i Shenjtë, duke nënvizuar bujarinë e popullit polak që refugjatët të “jetonin me dinjitet, pavarësisht nga dramaticiteti i momentit”.