Kërko

Zoti Andrii Yurash, Ambasador i Ukrainës pranë  Selisë së Shenjtë Zoti Andrii Yurash, Ambasador i Ukrainës pranë Selisë së Shenjtë 

Papa Françesku pret ambasadorin ukrainas Yurash

Sot në mëngjes, audienca në Pallatin Apostolik. Diplomati pohoi në Twitter se Papa i foli fjalë të rëndësishme dhe se Ukraina është në pritje të vizitës së Atit të Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku priti, sot në mëngjes, në Pallatin Apostolik, ambasadorin e Ukrainës pranë Selisë së Shenjtë, Andrii Yurash. Diplomati, 53 vjeç, i martuar, me tre fëmijë, i paraqiti Letrat kredenciale më 7 prillin e kaluar.

Pas këtij takimi tejet të rëndësishëm, diplomati pohoi në një Twitter se Papa ripërsëriti afërsinë e tij me Ukrainën dhe dëshirën për një vizitë të mundshme në vend, siç e ka pohuar edhe herë të tjera. Yurash, në të njëjtin Twitter, shtoi se Ukraina e pret Papën “prej shumë vitesh e, sidomos, që nga fillimi i luftës".

Deklarata e imzot Gallagher

Në takim ishte i pranishëm edhe Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Në një intervistë me Tg1, më 8 korrikun e kaluar, Prelati rikujtoi dëshirën e Papës për të shkuar në Ukrainë:

“Papa është shumë i bindur se po bëjë një vizitë, mund të ketë rezultate pozitive. E ka shprehur gjithnjë dëshirën për të shkuar në Ukrainë, ashtu si është treguar gjithnjë i gatshëm për të vizituar Moskën dhe për t’u takuar autoritetet ruse”. Kryeipeshkvi shtoi, gjithashtu, se pas kthimit të Atit të Shenjtë nga Kanadaja “do të fillojmë t’i studiojmë mundësitë e shtegtimit të ri papnor”.

Thirrjet e Françeskut për Ukrainën

Papa Françesku - i cili dje në mëngjes priti në audiencë kreun e ri të punëve të jashtme të Patriarkanës së Moskës, Metropolitin Antonij të Volokolamsk, përfaqësues i Patrikut Kirill - gjatë këtij takimi foli vazhdimisht për Ukrainën dhe popullsinë e vendit, viktimë e asaj, të cilën ai quajti disa herë “luftë të pakuptimtë dhe mizore”.

70 ndërhyrje të Papës për Ukrainën

Që nga 24 shkurti Ipeshkvi i Romës ndërhyu publikisht mbi 70 herë për situatën në vendin e Evropës Lindore: lutje, thirrje, ftesa për bisedime paqeje dhe ndërmjetësim për t’i dhënë fund konfliktit. E fundit daton të dielën e kaluar, kur në  lutjen e Engjëllit, u kujtoi besimtarëve, mledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, se edhe gjatë shtegtimit të tij në Kanada, nuk pushoi së luturi për popullin ukrainas, “të sulmuar dhe të torturuar, duke i kërkuar Zotit që ta liroje nga tmerri i luftës”. “Nëse do ta shikonim realitetin objektivisht, duke pasur parasysh dëmin që i sjell çdo ditë lufte asaj popullsie, por edhe mbarë botës, e vetmja gjë e arsyeshme për të bërë do të ishte ndalimi dhe bisedimet”, ka theksuar Papa, duke shprehur besimin “se urtia mund të frymëzojë hapa konkrete paqeje”.

06 gusht 2022, 16:56