Papa Françesku në Kazakistan: tri ditë për dialogun ndërmjet feve
R.SH. – Vatikan
Takime publike dhe private, si edhe një meshë: këto janë veprimtaritë e udhëtimit të shkurtër të Papës Françesku në Kazakistan, njoftuar dje nga Salla e Shtypit e Vatikanit për 13-15 shtatorin e ardhshëm. Rasti i vizitës - që vetë Papa gjatë kthimit nga Kanadaja e quajti jo tepër të lodhshme, duke pasur parasysh kushtet e tij shëndetësore - është Kongresi VII i krerëve të feve botërore dhe tradicionale, që do të mbledhë liderë të ndryshëm fetarë nga e gjithë bota dhe që, siç thuhet në faqen zyrtare, ka ndër përparësitë e tij “afirmimin e paqes, të harmonisë dhe të tolerancës si parime të palëkundshme të ekzistencës njerëzore”. Gjithashtu, do të diskutohet mbi “çështjen e përdorimit të ndjenjave fetare të njerëzve për shkallëzimin e konflikteve dhe armiqësive”.
Nisja e Papës
Salla e Shtypit e Vatikanit publikoi sot paradite programin zyrtar të udhëtimit të 38-të ndërkombëtar të Françeskut në vendin e Azisë Qendrore, vizituar në shtator 2001 edhe nga Papa shenjt Gjon Pali II. Papa Bergoglio do të qëndrojë gjatë gjithë kohës në kryeqytetin Nur-Sultan, i cili, deri në mars 2019, njihej si Astana. I ngritur në brigjet e lumit Išim, ai ka rreth një milion banorë me moshë mesatare shumë të re, që u përkasin rreth 130 kombësive të ndryshme. Të shumta, edhe fetë. Ati i Shenjtë, i cili do të niset më 13 shtator nga aeroporti i Romës – Fiumicino, në orën 7.15 të mëngjesit, do të mbërrijë në Nur Sultan pas më se dhjetë orësh. Pasdite, në orën 17.45, pritja zyrtare e ndjekur nga ceremonia në pallatin presidencial dhe vizita tek presidenti i Republikës, Kassim-Jomart Tokayev. Po aty, takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, në Sallën Qazaq, ku Papa do të mbajë të parën nga pesë ndërhyrjet e tij publike.
Mesha në Sheshin e Ekspozitës (Expo)
Dita e mërkurë, 14 shtator, do të fillojë me një çast lutjeje në heshtje, në Pallatin e Paqes dhe të Pajtimit, së bashku me krerët fetarë pjesëmarrës në Kongres, i cili mblidhet çdo tri vite, që nga edicioni i parë i vitit 2003, themeluar nga ish-presidenti kazak Nursultan Nazarbaev. Papa do të hapë seancën e parë plenare, duke iu drejtuar fjalën e tij të pranishmëve. Në mesditë, do të presë privatisht disa përfaqësues nga fe të ndryshme. Pasdite në orën 16.45, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në sheshin Expo e do të mbajë homelinë.
Dita e fundit
E enjtja, 15 shtator, është dita e fundit e udhëtimit. Në orën 9, siç është tashmë traditë në çdo udhëtim apostolik, Papa do të takojë privatisht sivëllezërit e tij të Shoqërisë së Jezusit në Nunciaturën Apostolike. Në orën 10.30, Françesku do të shkojë në katedralen e Nënës së Zotit të Ndihmës së Përhershme për takimin me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe punonjësit baritorë.
Deklarata përfundimtare e Kongresit ndërfetar
Veprimtaria e fundit e gjithë udhëtimit në Kazakistan do të mbahet në Pallatin e Paqes dhe të Pajtimit, ku do të lexohet Deklarata përfundimtare e Kongresit të krerëve fetarë. Papa do t’u flasë të pranishmëve e më pas, do të shkojë rreth orës 16.15 në aeroportin ndërkombëtar të Nur-Sultanit për ceremoninë e lamtumirës dhe nisjen për në Romë, ku parashikohet të mbërrijë në orën 20.15.