Kërko

Shtegtimi evropian në Sant'Jago të Kompostelës Shtegtimi evropian në Sant'Jago të Kompostelës 

Françesku bekon të rinjtë, shtegtarë në Santiago

Françesku përshëndeti të rinjtë e PEG22, duke shpresuar se jeta e tyre do të jetë gjithmonë “shtegtim drejt Zotit dhe vëllezërve, udhëtim në shërbim dhe me gëzim”. Më pas shprehu dhimbjen për shtegtarët polakë, viktima të aksidentit tragjik në Kroaci.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti dhe i bekoi të rinjtë që morën pjesë në shtegtimin evropian rinor në Santiago të Kompostelës, (Peg22) planifikuar për vitin 2021, Vit Shenjt i Kompostelës, shtyrë për shkak të Covidit:

“Me gëzim, bekoj përzemërsisht secilin prej të rinjve që morën pjesë, si dhe ata që punuan për organizimin dhe përcjelljen e kësaj ngjarjeje. Qoftë jeta juaj gjithmonë shtegtim me Jezu Krishtin, shtegtim drejt Zotit dhe drejt vëllezërve tuaj, shtegtim në shërbim dhe në gëzim!”.

Rreth 12,000 të rinj nga e gjithë Evropa morën pjesë në këtë shtegtim, i cili filloi më 3 gusht dhe përfundoi mëngjesin e sotëm me një Meshë, nismë e organizuar nga dioqeza Santiago e Kompostelës, në bashkëpunim me Konferencën e Ipeshkvijve Spanjollë, përballë Varrit të Apostullit, me moton “Djalosh, çohu dhe bëhu dëshmitar, të pret Shën Jakobi apostull”

Papa shprehu gjithashtu dhimbjen për aksidentin rrugor, të shtunën, më 6 gusht, në Kroaci ku, rrugës për në Medjugorje, humbën jetën 12 shtegtarë polakë, ndërsa të tjerë u plagosën. Papa kërkoi ndërmjetësimin e Zojës, “për të ta dhe për familjet e tyre”. Autobusi, që u nis një ditë më parë nga një qytet i vogël afër Varshavës, me 43 persona, duke përfshirë dy shoferët, si dhe tre priftërinj dhe gjashtë murgesha, pak pas orës 5 të mëngjesit, doli nga rruga rreth 60 kilometra në veri të Zagrebit. 18 nga të plagosurit janë transportuar në spitalet lokale. Prokuroria e Qarkut të Varshavës ka nisur një hetim për shkaqet e tragjedisë.

07 gusht 2022, 13:40