Kërko

Françesku bën thirrje të mos harrohet “rreziku vdekjeprurës”, që kalon Somalia

Në fund të Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës shkoi në popullsinë e Somalisë, e cila përballet me një krizë të rëndë humanitare, lidhur edhe me thatësirën e kohëve të fundit, e paparë në historinë e saj

R.SH. – Vatikan

Rrezik vdekjeprurës. Papa e quan kështu gjendjen e Somalisë dhe të disa shteteve fqinje afrikane, për shkak të krizës humanitare, që ditët e fundit është keqësuar nga thatësira pa precedent në këtë shekull. Në fund të Engjëllit të Tënzot, Françesku bën thirrje për t'iu përgjigjur menjëherë kësaj urgjence:

“Dua të tërheq vëmendjen për krizën serioze humanitare, që ka prekur Somalinë dhe disa zona të vendeve fqinje. Popullsitë e këtij rajoni, të cilat jetojnë në kushte tejet të pasigurta, po kalojnë një rrezik vdekjeprurës, për shkak të thatësirës. Shpresoj që solidariteti ndërkombëtar t'i përgjigjet frytshëm kësaj emergjence”.

Më pas, Papa nënvizoi sa rëndësi ka të mos e kthejmë kokën nga ana tjetër, para dramës, që po përjetojnë këta njerëz:

“Fatkeqësisht, lufta largon vëmendjen dhe fondet, por këto janë objektiva, që kërkojnë angazhim maksimal: lufta kundër urisë, shëndetësia, arsimi”.

Thatësirë rekord

Një thatësirë e paparë fshikullon këto ditë Somalinë. Temperaturat rekord të kësaj periudhe e keqësojnë gjendjen ekzistuese në rajonin e Bririt të Afrikës dhe në zona të tjera të kontinentit afrikan, duke i goditur me një ashpërsi të paregjistruar më parë. Alarmi u dha nga Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe nga Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC).

Rreth një milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i vitit. Në 40 vitet e fundit nuk ka pasur kurrë një fenomen me përmasa të tilla, që prek edhe Etiopinë dhe Kenian. Ndërhyrjet vështirësohen nga fakti se qeveria e Somalisë është e dobët dhe zona të ndryshme të vendit janë në duar të grupeve të armatosura si Al-Shabaab.

14 gusht 2022, 13:15