Dhimbja e Papës për Nikaraguan: dialogu të jetë baza e bashkëjetesës respektuese
R. SH. - Vatikan
Fjalët e Papës mbërrijnë tek besimtarët ngarkuar me dhimbje, në përfundim të lutjes së Engjëllit të së Dielës, duke kujtuar çka po ndodh prej javësh në Nikaragua, ku Kisha Katolike, priftërinjtë dhe ipeshkvijtë, mediat dhe OJQ-të po pësojnë një persekutim të egër, të dyshuar për mbështetjen e kundërshtarëve të qeverisë sandiniste të Daniel Ortegës:
“E ndjek nga afër, me shqetësim dhe dhimbje, situatën e krijuar në Nikaragua, që përfshin njerëz dhe institucione. Dëshiroj të shpreh bindjen dhe të dëshirën time që, përmes dialogut të hapur dhe të sinqertë, të mund të gjenden ende themelet për një bashkëjetesë të respektueshme dhe paqësore”.
Prej këndej buroi lutja e veçantë për ndihmë, që Papa ia kërkoi Zojës së Papërlyer, Marisë krejt të pastër, si e thërrasim ndër litani e tejet të dashur nga populli i Nikaraguas:
“T’i kërkojmë Zotit, me ndërmjetësimin e Nënës krejt të pastër, ta frymëzojë këtë vullnet konkret në zemrat e të gjithëve”.
Vuajtjet e Kishës së Nikaraguas
Thirrje për dialog, respekt dhe lutje. Këtë kërkon Françesku, duke bashkuar zërin e tij me atë të institucioneve ndërkombëtare dhe të Kishave të Amerikës dhe të Evropës, të shqetësuara për atë që po ndodh, pas mbylljes së një sërë transmetuesish katolikë, ndalimit të veprimtarisë së OJQ-ve, dëbimit nga vendi të Kongregatës së Motrave të Nënë Terezës, pezullimit të veprimtarive kishtare, arrestimit të priftërinjve dhe, së fundi - të premten mbrëma - rrëmbimit me forcë, shndërruar në arrest shtëpie, të ipeshkvit të dioqezës së Matagalpës, Imzot Rolando Álvarez, i cili që nga fillimi i gushtit ishte, së bashku me priftërinjtë dhe laikët, nën vëzhgim, në argjipeshkvi, për të përfunduar deri në ditët e sotme i ngujuar në selinë e tij në Managua. Sipas forcave të rendit dhe të ligjit, “prelati u përpoq të organizojë grupe të dhunshme dhe të nxisë urrejtjen për të destabilizuar qeverinë. Imzot Álvarez, gjithashtu, fillimisht u përpoq të lutej në rrugë, duke marrë me vete Hostensorin me Eukaristinë, por u ndalua menjëherë nga oficerët e policisë”.
“Duam të bëjmë vullnetin e Zotit, jemi në duart e Tij” - shkroi në një postim në Twitter gjatë qëndrimit të tij në Matagalpa, ipeshkvi 55-vjeçar, gjendja shëndetësore e të cilit është keqësuar, por jo morali, që mbetet gjithnjë lart. Në Managua mundi të shihte familjen e tij dhe të takonte nënkryetarin e Konferencës ipeshkvnore, kardinalin Leopoldo Brenes, me të cilin bisedoi gjatë.
Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare
Kushtet e ipeshkvit të Matagalpës, burgosja e priftërinjve dhe laikëve, që ishin me të dhe tensioni shoqëror që ka përfshirë gjithë vendin, e shqetëson fuqimisht bashkësinë ndërkombëtare. OKB-ja flet për “pengesa serioze në hapësirën demokratike dhe qytetare” të Nikaraguas; Organizata e Shteteve Amerikane (OSA) dhe Komisioni ndëramerikan për të drejtat e njeriut (CIDH) - për “persekutim” dhe “kriminalizim”! Nga të katër anët lartohen thirrje drejtuar qeverisë Ortega për të mbrojtur të drejtat universale të njeriut dhe për t’ua rikthyer lirinë atyre, që u arrestuan me dhunë!
Ndërmjet mesazheve të shumta, që vijnë nga konferencat ipeshkvore të kontinenteve, është ftesa - e ripohuar sot edhe nga Françesku - për lutje dhe afërsi të mirëfilltë me vendin e Amerikës Qendrore, që po vë në pah dëshminë e besimit e të bashkimit, në një çast kaq kritik. Duhet kujtuar, së fundmi, se edhe ipeshkvijtë kubanë bënë të njëjtën gjë, së bashku me panamezët dhe Konferencën e Ipeshkëvijve të Venezuelës. Vetë ipeshkvi Alvarez, nga Managua, shprehu besimin e tij në lutjen e të gjithëve, përballë kësaj situate të vështirë:
“I vetëdijshëm - tha ai sipas pohimit të mediave lokale - se lutja është forca e të krishterëve, ftoj ta vazhdojmë lutjen drejtuar Krishtit, që të ndërmjetësojë dhe të kujdeset për grigjen e Tij të vogël”.