Kërko

Japonia në zi Japonia në zi 

Vrasja e Abe, Francesku: gjest i pakuptimtë, jam pranë popullit

Në një telegram ngushëllimi, Papa shpreh dhimbjen e thellë për vrasjen e ish-kryeministrit dhe fton bashkatdhetarët e tij ta forcojnë “angazhimin e tyre historik” për paqen, gjithnjë larg nga dhuna. Të shumta shprehjet e solidaritetit nga liderët botërorë, ndërsa autoritetet hetojnë vrasësin. Lamtumira e fundit, të hënën dhe të martën.

R. SH. - Vatikan

I trishtuar, si gjithë bota, nga brutaliteti i një gjesti, të cilin e quan “i pakuptimtë”, Papa i shkruan, përmes sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, nuncit apostolik në Japoni, Imzot Leo Boccardi, duke iu lutur t’i shprehë ngushëllimet e tij familjes së Shinzo Abe, ish-kryeministrit të Tokës së Diellit që lind, vrarë dje me gjakftohtësi nga një burrë, ndërsa lideri politik ishte në rrugë i angazhuar në një tubim elektoral. Papa, duke i shprehur afërsinë gjithë popullit japonez, në përfundim të telegramit uron që shoqëria “të forcojë angazhimin e saj historik për paqen, duke i thënë ‘jo’ dhunës”.

Ngushëllime nga Kina dhe SHBA

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të shprehë ngushëllimet për vrasjen e Shinzo Abe, kryeministrit më jetëgjatë dhe ndoshta më me ndikim në historinë japoneze të kohëve të fundit. Të gjithë liderët botërorë pohojnë se janë thellësisht të tronditur dhe shprehin vlerësimin për figurën e Abe dhe për atë që u quajt “kontributi i tij në ekuilibrin e botës”. Presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi që flamujt e vendit të ulen në gjysmë shtizë. E edhe nga Kina arriti një mesazh ngushëllimi për vrasjen e Abe, nënshkruar nga Presidenti Xi Jinping, në emër të të gjithë popullit kinez.

Hetimet

Ndërkohë në Japoni po intensifikohen hetimet për të kuptuar se kush e vuri në lëvizje dorën e 41 vjeçarit Tetsuya Yamagami, ish-ushtarit të papunë, që qëlloi Aben me një pistoletë të bërë vetë. Tani për tani arsyet nuk janë të qarta. Burri fillimisht deklaroi se nuk e miratonte punën e Abe, ndërsa më pas shpjegoi se ai kishte planifikuar sulmin nga inati kundër udhëheqësit të “një organizate specifike fetare” që dyshohet se mashtroi nënën e tij. Duket se vrasësi është i bindur që Abe e mbështeste grupin në Japoni. Gjatë një konference për shtyp në qytetin e Narës, shefi i policisë lokale, Tomoaki Onizuka, pranoi se pati “probleme të pamohueshme të sigurisë”. Ndërkohë u njoftua se varrimi i ish-kryeministrit do të bëhet në dy kremtime të përmortshme: të hënën e ardhshme, me një mbrëmësore funebre, pasuar të nesërmen nga një kremtim përkujtimor, ku do të marrin pjesë vetëm familjarët dhe njerëzit e afërt të Shinzo Abe.

09 korrik 2022, 13:11