Udhëtimi Papës në Kanada. Në gjurmët e shenjtorëve Joakimi e Ana
R.SH. - Vatikan
Gjatё shtegtimit tё Papës nё Kanada, më 26 korrik tё ardhshëm, është nё program kremtimi i Meshёs sё Shenjtë në “Commonwealth Stadium” në Edmonton. Pasdite, Papa Françesku merr pjesë në shtegtimin tradicional kushtuar Shën Anës, i cili shtegtim prej shekujsh është zhvilluar pranë liqenit me të njëjtin emër, rreth 72 kilometra larg Edmontonit. Nëna e Virgjërës Mari është një figurë me të cilën kanadezët janë shumë të lidhur. Shёn Ana është shumë e nderuar në komunitete indigjene tё Kanadasё. Shtegtimi në Lac Ste Anne është një nga takimet më të rëndësishme shpirtërore për besimtarët e Amerikës së Veriut.
Lutja e tё moshuarve
Ungjilli "na ndihmon me një imazh shumë të bukur, emocionues dhe inkurajues" të gjyshërve të Jezusit. Papa Françesku e përmendi në katekizmin e audiencës sё përgjithshme të 11 marsit 2014. Ungjilli thotë "se ata prisnin çdo ditë ardhjen e Zotit, me shumë besnikëri, për shumë vite. Ata donin shumë ta shihnin atë ditë tё shёlbimit, t’i kapnin e lexonin shenjat e tij, të kuptonin fillimin e tij”. “Kur Maria dhe Jozefi erdhën në Tempull për të përmbushur rregulloren e Ligjit, Simeoni dhe Ana lëvizën me entuziazëm, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Pesha e moshës dhe pritshmëria u zhdukën pёr një moment. Ata e njohën Foshnjën Jezus, dhe zbuluan një forcë të re, një detyrë të re: falënderojnë dhe dëshmojnë për këtë shenjë të Zotit. Simeoni papritmas shqiptoi një himn jashtëzakonisht tё bukur galdimi “Tani, o Zot, mund tё lejosh qё tё vdesë shërbëtori yt nё paqe sikurse the ti vetё, sepse me sytё e mi e pashё shëlbimin qё ti e bёre gati nё sy tё tё gjithё popujve:..” (krh Lk 2,29-32) – ai qe një poet - dhe Ana u bë predikatarja e parë e Jezusit". Papa Françesku na nxit, pra, t’i ndjekim “këta pleq të jashtëzakonshëm”: “lutja e të moshuarve dhe e gjyshërve – tha Ati i Shenjtё Bergoglio – janё dhuratë për Kishën, lutja e tyre është njё pasuri e vёrtet! Një injeksion i madh urtie edhe për mbarë shoqërinë njerëzore: veçanërisht për atё shoqёri që ështё shumë e zënë me punё, shumë e ngarkuar me angazhime, shumë e hutuar”.
Gjyshërit dhe transmetimi i fesё
Edhe një vlerë tjetër themelore lidhet me gjyshërit e Jezusit: “vlera e çmuar e familjes si një vend i privilegjuar për të transmetuar fenё”. Shenjtorët Joakimi e Ana - shpjegoi Papa në lutjen mariane tё Engjëllit Tёnzot mё 26 korrik 2013 - janë pjesë e një zinxhiri të gjatë që i transmetoi fenё dhe dashurinë për Zotin, në ngrohtësinë e familjes, deri edhe Marisë Virgjër, e cila e priti në kraharorin e saj Birin e Zotit dhe ia dhuroi botës, na e dhuroi neve”. Festa e shenjtorëve Joakimi e Ana është edhe festa e gjyshërve: “Sa të rëndësishme janë gjyshërit në jetën e familjes – shtoi Papa – për të komunikuar atë trashëgimi të njerëzimit dhe fesё që është thelbësore për çdo shoqëri! Dhe sa i rëndësishëm është takimi e dialogu ndërmjet brezave, veçanërisht brenda familjes”.
Të moshuarit janë pemë që vazhdojnë të japin fryte
Të moshuarit luajnë një rol qendror në kulturat e popujve indigjenë. Papa Françesku, gjatë papёnisё së tij, ka nënvizuar disa herё se ata kanë një rol qendror në transmetimin e fesё, në dialogun me të rinjtë dhe në mbrojtjen e rrënjëve të popujve. Ata janë "pemë që vazhdon të jap fryte", "një pjesë thelbësore e bashkësisë së krishterë dhe e shoqërisë". Jo një popull për t'u përjashtuar e hedhur poshtë. Por një injeksion i madh urtie, si shenjtorët Joakimi dhe Ana.