Tri figure të Zojës me Papën Françesku, në L'Aquila
R. SH. - Vatikan
Më 28 gushtin e ardhshëm, mbi altarin papnor, që do të vendoset në tremen e Bazilikës Santa Maria di Collemaggio për kremtimin e Meshës, kryesuar nga Papa Françesku para hapjes së Portës shenjte të Collemaggios, do të vendoset figurja Madonna di Roio (Zoja e Kryqit). Populli i L'Aquila-s ka devocion të madh për këtë Zojë, aq sa Kryeipeshkvi i L'Aquila-s, imzot Carlo Confalonieri, më pas kardinal, të diel, më 15 tetor 1944, në valën e entuziazmit e përkushtimit popullor për Zojen e Shenjtërores së Roio, gjatë një riti solemn në Sheshin e Katedrales së Aquilas, “vuri mbi kokën e Foshnjës Hyjnore dhe të Nënës së Tij”, dy kurora të punuara nga një argjendar akuilan me arin e mbledhur nga mbarë populli e të bekuar personalisht, më 9 tetor, nga Piu XII.
Papa i tretë, që nderon Zojen e Roios
Më 28 gusht Papa Françesku do të jetë Papa i tretë që do ta nderojë Zojën e Roio-s, pas Shën Gjon Palit II, i cili e vizitoi shenjtëroren e Roio-s më 30 gusht 1980 – dhe, më 28 prill 2009, Benediktit XVI, që shkelte në rrugët e një qyteti të shkatërruar nga tërmeti i vitit 2009.
Papa dhe Salus Populi Aquilani
Siç dihet, para se të shkojë në Collemaggio, pas vizitës private në Katedralen e Shën Maksimit, Papa do të takojë, në Sheshin e Katedrales, familjet e viktimave të tërmetit të vitit 2009. Në tribunën e ngritur para Katedrales, pranë Atit të Shenjtë, do të vendoset Zoja e Populllit Akuilan (Salus Populi Aquilani).
Figurja e çmuar, tejet e dashur për besimtarët e L'Aquila-s, ruhej që nga koha e tërmetit të vitit 1703, në kishën e Shën Markut Ungjilltar
Pas tërmetit, më 3 maj 2009, e nxori nga rrënojat Brigada e Zjarrfikësve, por pa kurorat e çmuara. Më pas, figurja iu shtrua një restaurimi të kujdesshëm, që e bëri të “rilindë” Zojën e Roio-s. Kryeipeshkvi Giuseppe Molinari, duke ua kthyer, pas restaurimit, besimtarëve, më 13 maj 2013, e kurorëzoi edhe një herë Salus Populi Akuilani gjatë një kremtimi solemn eukaristik në Bazilikën e Shën Jozefit Zdrukthëtar, në L'Aquila.
Në pritje të restaurimit të Shenjtërores kushtuar Zojës, apo në Kishën e Shën Markut, figurja sot shikon me mëshirë emrat e viktimave të tërmetit të vitit 2009 në “Kapelën e kujtimit”, që u kushtohet brenda kishës.
Zoja me Foshnjën në krahë
Më në fund, Papa Françesku, pasi të jetë lutur përpara urnës së Çelestinit V, ku do të vendoset edhe ‘Bula e Ndjesës’, do të mund të admirojë shtatoren e mrekullueshme të Zojës me Krishtin Fëmijë ndër krahë, që mendohet të jetë vepër e Saturnino Gattit, vendosur kohët e fundit në Bazilikën e Shën Marisë të Collemaggio, pas e shpëtuan, më 2009, Zjarrfikësit dhe u restaurua nga Zyra e Antikiteteve dhe e monumenteve.