Kërko

Situatë e paqëndrueshme në Sri Lankë Situatë e paqëndrueshme në Sri Lankë 

Sri Lanka, thirrja e Papës për ta dëgjuar britmën e të varfërve

Pas lutjes mariane të Engjëllit, Françesku shprehu dhimbjem e thellë për popullin e vendit aziatik, që po jeton në një situatë paqëndrueshmërie shqetësuese politike dhe ekonomike. Ftesa e Papës për t’i pasur parasysh nevojat e njerëzve!

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes mariane, Papa kujtoi dhimbjen e popullit të Sri Lankës, “që vijon të pësojë pasojat e paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike”.

Thirrje për ta dëgjuar klithmën e të varfërve

“Së bashku me ipeshkvijtë e vendit, përsëris thirrjen time për paqe dhe u lutem atyre, që kanë autoritet, të mos e shpërfillin britmën e të varfërve dhe nevojat e njerëzve”.

Këto, fjalët e Papës Françesku, në fund të lutjes së Engjëllit, duke pasur parasysh një zonë gjeografike, ku kriza ekonomike duket se e ka rrëzuar edhe presidentin Gotabaya Rajapaksa. Rajapaksa do të japë dorëheqjen më 13 korrik - sipas pohimit të kryetarit të parlamentit të vendit, duke iu nënshtruar presionit të madh, pas një dite të dhunshme protestash, gjatë së cilës protestuesit sulmuan rezidencën zyrtare të presidentit dhe i vunë flakën shtëpisë së ish-ministrit në Colombo. Protestuesit antiqeveritarë, të zemëruar për ndërprerjet e energjisë elektrike, mungesat e gjërave kryesore për jetesën dhe rritjen e çmimeve, kërkuan prej kohësh që Rajapaksa të japë dorëheqjen, por oficeri pensionist i përballoi për muaj të tërë këto kërkesa, duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të ruajtur kontrollin.

Vendi, përballë dhunës dhe kaosit politik

Dhuna dhe kaosi politik, që kanë mbërthyer kombin ishullor me 22 milionë banorë, arrin në mes të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një paketë shpëtimi dhe propozime për rishikimin e borxhit, që mund vihen të dyja të në rrezik. Situata u keqësua nga qëndrimi që mbajti  qeveria e Rajapaksa ndaj taksave menjëherë pasi mori detyrën në 2019. Pak muaj më vonë vendi u prek nga pandemia e Covid-19. Kjo ndikoi shumë mbi të ardhurat e Sri Lankës, veçanërisht ato nga industria fitimprurëse e turizmit, ndërsa kursimet e qytetarëve, që punojnë jashtë vendit, u reduktuan më tej nga kursi i papërshtatshëm i këmbimit.

Ekonomia, në gjunjë

Agjencitë e vlerësimit, të shqetësuara nga financat e qeverisë dhe paaftësia e saj për të shlyer borxhin e madh të jashtëm, ulën vlerësimin e kreditit të Sri Lankës, duke nisur nga viti 2020 e duke e përjashtuar përfundimisht vendin nga tregjet financiare ndërkombëtare. Për të mbajtur ekonominë në këmbë, qeveria u mbështet shumë në rezervat valutore, duke i pakësuar më shumë se 70% në dy vjet. Kriza e paralizoi Sri Lankën, që dikur konsiderohej si model i ekonomisë në zhvillim. Mungesa e karburantit u pasua nga radhët e gjata në pikat e shpërndarjes dhe ndërprerjet e shpeshta të furnizimit me energji elektrike, ndërkohë që spitalet mbetën pa ilaçe e inflacioni arriti në 54.6% muajin e kaluar, ndërsa në të ardhshmin, sipas bankës qendrore, mund të rritet në 70%. India ka dhënë kredi prej miliarda dollarësh, për të ndihmuar në pagesën e furnizimeve jetike. Nju Delhi thotë se ka dhënë më shumë se 3.5 miliardë dollarë ndihmë vetëm në këtë vit.

10 korrik 2022, 14:13