Kërko

Mesha Shenjte në DBR-në e Panamasë Mesha Shenjte në DBR-në e Panamasë 

Françesku, të rinjve: jini “sytë e mëdhenj” të Evropës së re

Në një mesazh për pjesëmarrësit në Konferencën e të Rinjve të BE-së, e cila u hap sot në Pragë, Françesku u kërkon të jenë të pasur me ide dhe dashuri, të shqyrtojnë tek tjetri pasuritë, të shohin të Vërtetën. Në zemër të Papës edhe “lufta absurde” që luftohet në Ukrainë. “Si zakonisht, pak të pushtetshëm - shkruan - vendosin të dërgojnë mijëra të rinj të luftojnë dhe të vdesin. Në raste të tilla rebelimi është i ligjshëm!”.

R. SH. - Vatikan

Është plot besim e shpresë mesazhi, që Papa Françesku u drejton të rinjve të shumtë, mbledhur që sot, deri më 13 korrik, në Pragë për Konferencën Rinore të BE-së, nismë e promovuar nga presidenca çeke e Bashkimit Evropian. Takimi synon t’i lidhë të rinjtë, me ata që janë të thirrur për të vendosur dhe njëkohësisht të nxisë angazhimin e përbashkët për një Evropë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Ftesa e Papës është e qartë: shndërrimi i “kontinentit të vjetër”, në “kontinent të ri”. Nuk është hap i lehtë, por të rinjtë - shkruan Françesku - kanë “karta të mira për të luajtur”:

“Jini të rinj të vëmendshëm, më pak të ideologjizuar, të mësuar të studioni në vende të tjera evropiane, të pasura me përvoja vullnetariati, të ndjeshme ndaj temave të ambientit. Prandaj e ndjej se ka ende shpresë”

Ngreje zërin, që të dëgjohet!

Të aftë për t’i dhënë një fytyrë të re Evropës, por edhe për të parë përtej. Papa ndalet tek etimologjia ende e paqartë e fjalës “Evropë” dhe përdor shprehjen sugjestive “eurús op”, që do të thotë “sy i madh”, i cili shikon qartë e larg. Duke kujtuar Paktin e Arsimit Global, nismë e vitit 2019 për  aleancën ndërmjet arsimtarëve dhe brezave të rinj, Françesku i fton të rinjtë ta ngrenë fort zërin, që të dëgjohet në të katër anët e botës:

“E nëse nuk ju dëgjojnë, bërtisni edhe më fort, bëni potere, i keni të gjitha të drejtat ta shprehni mendimin që ka të bëjë me të ardhmen tuaj. Ju inkurajoj të jeni të shkathët, krijues dhe kritikë”.

Tjetri është pasuri

 Duke u nisur që këtu, Papa skicon një rrugë që ka si etapë të parë atë të “hapjes së zemrës për mikpritjen”, me bindjen se tjetri është gjithnjë pasuri:

“Është mirë të kesh ‘sy të mëdhenj’, që t’i hapësh për të tjerët. Asnjë diskriminim kundër askujt e për asnjë arsye. Jini solidarë me të gjithë, jo vetëm me ata që ju ngjajnë, apo që kanë pamjen e njerëzve të suksesshëm, por edhe e kryesisht me ata që vuajnë, pavarësisht nga kombësia dhe gjendja e tyre shoqërore”.

Ambicja juaj - nënvizon Françesku - nuk duhet të jetë “të hyni në mjediset ku formohet elita”, por të jetoni përvoja, që ndikojnë për rritjen e njeriut, për të mirën e përbashkët. “Pikërisht këto përvoja solidariteti - shkruan -  do ta ndryshojnë botën, e jo përvojat përjashtuese të shkollave elitare. “Përsosmëri po, por për të gjithë, jo vetëm për dikë”- nënvizoi Papa - e vijoi me ftesën për të lexuar “Fratelli tutti”, që të forcohet “vëllazëria”, dhe Dokumentin për vëllazërinë njerëzore, nënshkruar së bashku me imamin e madh të Al-Azharit, për të njohur veten dhe njëri-tjetrin.

Konkretë në mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët

Propozimi tjetër i Papës i kushtohet kujdesit për shtëpinë e përbashkët, e në këtë kuptim, vlerëson lart konkretësinë e të rinjve, “prandaj - shkruan - them se kjo kohë mund të jetë koha e duhur”.

Françesku kujton, në vijim, nevojën për të “ulur konsumin jo vetëm të lëndëve djegëse fosile, por edhe të shumë gjërave të tjera të tepërta” duke shtuar se “në zona të caktuara të botës, do të ishte e përshtatshme të konsumohej më pak mish”. Prandaj i fton të rinjtë të lexojnë “Laudato si'”, për të mos e harruar edhe ekologjinë integrale:

“Mos u joshni nga sirenat, që propozojnë jetë luksi, e cila jetohet vetëm nga një pjesëz e vogël e botës: uroj të keni ‘sy të mëdhenj’ për ta parë pjesën tjetër të njerëzimit, që nuk kufizohet vetëm në Evropën e vogël; të dëshironi një jetë dinjitoze dhe të thjeshtë, pa luks dhe shpërdorim, që të gjithë të banojnë me dinjitet në këtë botë”.

Ukraina, lufta absurde

Duke folur për Evropën, Papa nuk mund të mos kujtonte Ukrainën, ku “vijon lufta absurde”, e të mos ndalohej përsëri tek koncepti i vëllazërisë, duke nënvizuar se Evropa e Bashkuar ka etje të pashuar për paqen. “Nëse bota do të qeverisej nga të rinjtë - thuhet në mesazh - nuk do të kishte shumë luftëra: ata që kanë gjithë jetën përpara, nuk duan ta copëtojnë dhe ta flakin në baltë, por duan ta jetojnë plotësisht:

 “Tani duhet të angazhohemi të gjithë për t'i dhënë fund shkatërrimit të luftës ku, si zakonisht, disa të pushtetshëm vendosin dhe dërgojnë mijëra të rinj të luftojnë dhe të vdesin. Në raste të tilla është legjitime të rebelohesh!”.

Më pas Papa solli shembullin e dy të rinjve “me sy të mëdhenj”. Kujtoi së pari Franz Jägerstätter, të cilin Benedikti XVI e shpalli të Lum. Franz-i, fshatar i ri katolik austriak, e kundërshtoi për arsye ndërgjegjeje urdhërin e betimit për besnikëri ndaj Hitlerit dhe për të shkuar në luftë. E dha jetën për këtë. Të njëjtin fat pati Dietrich Bonhoeffer, teolog i ri gjerman luteran, antinazist.

Kërkoni të Vërtetën

Së fundi, Françesku kujtoi se “pas njohjes së vetes, të të tjerëve dhe krijimit, më në fund vjen njohja e fillimit dhe e fundit të çdo gjëje”, që na këshillon të kërkojmë kuptimin e jetës, duke parë në zanafillë e në fund, “sepse nuk mund të jetosh, nëse nuk e kërkon të Vërtetën”. Prej këndej, ftesa për të ecur “me këmbët e mbështetura fort në tokë”, por me një shikim që përfshin gjithët horizontin, duke u lartuar drejt qiellit”, falë edhe leximit të Christus vivit e dhe duke menduar për Ditën e ardhshme të Rinisë, në Lisbonë:

“Dua ta mbyll me një urim: qofshi të rinj krijues, të aftë për ide të reja, vizione të reja për botën, për ekonominë, për politikën, për bashkëjetesën shoqërore; por jo vetëm ide të reja, mbi të gjitha edhe rrugë të reja, që duhen ndjekur së bashku. Qofshi edhe bujarë për krijimin e jetëve të reja, gjithnjë dhe vetëm për dashuri! Dashuri edhe për burrin a gruan tuaj, dashuri për familjen, dashuri për fëmijët tuaj, si dhe dashuri për Evropën, që ajo të jetë vend paqeje, lirie dhe dinjiteti për të gjithë”.

11 korrik 2022, 14:58