Kërko

Ndotja e ajrit, shkaktare për vdekjen e mijëra njerëzve Ndotja e ajrit, shkaktare për vdekjen e mijëra njerëzve 

Françesku: të përballohen rreziqet klimatike, duke reduktuar emetimet

Mesazhi i Papës për pjesëmarrësit në konferencën “Rezistenca e njerëzve dhe e ekosistemeve nën stresin klimatik”, organizuar në Vatikan nga Akademia Papnore e Shkencave për të analizuar ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe për të kërkuar zgjidhje praktike, që mund të zbatohen për rritjen e elasticitetit të njerëzve dhe ekosistemeve

R. SH. - Vatikan

“Çfarë bote duam për vete dhe për ata, që do të vijnë pas?”. Kjo, pyetja kryesore, që përshkon mesazhin e Papës Françesku drejtuar pjesëmarrësve në konferencën organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave, dje e sot, me temë: “Rezistenca e njerëzve dhe e ekosistemeve, në kushtet e stresit klimatik”. Papa nënvizon se "fenomeni i ndryshimit të klimës është shndërruar në rrezik serioz për mbarë familjen njerëzore, “posaçërisht për të varfërit dhe ata, që jetojnë në periferitë ekonomike të botës”.

Të reduktohen emetimet

Në mesazh, Papa kujton se sot jemi përballë dy sfidash kryesore: “pakësimit të rreziqeve klimatike, duke reduktuar emetimet” dhe “ndihmës që u duhet dhënë njerëzve për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike”. Pasi kujton disa mësime biblike, Françesku thekson se kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët, pavarësisht nga mendimet e larmishme mbi efektet e ndryshimeve klimatike, “nuk është thjesht përpjekje utilitare, por detyrim moral për të gjithë burrat dhe gratë, si bij të Zotit”. Këto sfida kërkojnë që  të mendojmë për përpjekje të shumanshme, për të mbrojtur si individët, ashtu edhe planetin tonë.

Mënyra e shndërrimit ekologjik

Françesku kujton posaçërisht një mënyrë të veçantë kujdesi për shtëpinë e përbashkët: atë të “kthesës ekologjike” që kërkon ndryshimin e mendësisë dhe angazhimin për të punuar në shërbim të qëndrueshmërisë së njerëzve dhe të ekosistemeve. Kjo kthesë nënkupton, mbi të gjitha, mirënjohjen “për dhuratën bujare të Zotit: krijimin. Kërkon pastaj të pranojmë se bëjmë pjesë në bashkësinë universale “ne dhe krijesat e tjera të botës”. Nënkupton, gjithashtu, nevojën e “përballimit të problemeve ambientale jo si individë të izoluar, por në solidaritet, si bashkësi”.

Vendet më të zhvilluara prijnë me shembull

Gjetja e zgjidhjeve konkrete për problemet e sotme në rritje kërkon “përpjekjet e guximshme, bashkëpunimin dhe largpamësinë e liderëve fetarë, politikë, shoqërorë dhe kulturorë në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar”. Papa mendon, veçanërisht, për rolin që mund të luajnë “kombet më të favorizuara ekonomikisht në reduktimin e ndotjeve të tyre” dhe në ndihmën financiare e teknologjike, në mënyrë që zonat më pak të begata të botës të mund të ndjekin shembullin e tyre. Në mesazhin e tij, Françesku thekson gjithashtu domosdoshmërinë e energjisë së pastër, ujit të pijshëm, mbështetjes për fermerët në të gjithë botën, në mënyrë që ata të kalojnë në bujqësi elastike”. E kjo, nënvizon, është themelore! Ashtu si edhe angazhimi për “shtigjet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe stilet e jetës së përkorë”, me synimin e ruajtjes së burimeve natyrore të botës dhe  kujdesin shëndetësor për më të varfërit dhe më të cenuarit. Themelore, edhe kjo!

Gjithçka është e lidhur

Më pas Papa shpreh dy shqetësime: atë “të humbjes së biodiversitetit dhe të luftërave të shumta në vijim, në zona të ndryshme të botës”, me pasoja të dëmshme për mbijetesën dhe mirëqenien e njeriut, si problemet e sigurisë ushqimore dhe ndotja në rritje. Këto kriza, së bashku me atë të klimës, tregojnë se “gjithçka është e lidhur” dhe se të punosh për të mirën e përbashkët është “themelore në kthesën e mirëfilltë ekologjike”. Papa kujton se për këto arsye ai miratoi hyrjen e Selisë së Shenjtë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjen e Parisit. Duke marrë një fragment nga enciklika “Laudato si’”, Françesku, në përfundim, shpreh një dëshirë:

“Ndërsa njerëzimi i periudhës post-industriale ndoshta do të mbahet mend si një nga më të papërgjegjshmit në histori, le të shpresojmë se njerëzimi i fillimit të shekullit XXI mund të mbahet mend për pranimin bujar të përgjegjësive të tij të rënda”.

14 korrik 2022, 12:08