Kërko

Zoja e Altagracias e  Republikës dominikane Zoja e Altagracias e Republikës dominikane 

Papa, popullit dominikan: ecni të bashkuar në vëllazëri

Mesazhi i Papës me rastin e Vitit Jubilar Altagracian: Virgjëra Mari na inkurajon “të vazhdojmë ta mbajmë të ndezur flakën e fesë e të shpresës, që na e lanë trashëgim etërit tanë”

R. SH. - Vatikan

Ju bëj thirrje të mos lëkundeni “në dëshminë e fesë, por ta ruani e ta forconi, me shembullin dhe ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, dashurinë tuaj për Jezusin dhe për Kishën”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin drejtuar popullsisë dominikane me rastin e Vitit Jubilar Altagracian, shpallur nga Konferenca e Ipeshkvijve vendas për të përkujtuar njëqindvjetorin e kurorëzimit kanonik të Zojës së Altagracias, mbretëreshë dhe mbrojtëse e vendit karaibik. “Ky devocion Marian, që ju e ndjeni kaq shumë - nënvizon Papa - është shenjë e rrënjëve të krishtera që e karakterizojnë tokën tuaj dhe i japin jetë”. Në mesazh, Papa njofton, më pas, se i ka kërkuar Kryeipeshkvit Edgar Peña Parra, zëvendës për punët e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit, të vendosë tek këmbët e Nënës së Altagracias, trëndafilin e artë, në shenjë nderimi bijnor!

Mbajeni të ndezur flakën e shpresës

Françesku kujton gjithashtu se Virgjëra e Altagracias ka qenë “burim uniteti” për popullin dominikan në çastet më të vështira. Vështrimi plot dashuri i Nënës që sodit Foshnjën “është ftesë për ta parë fqinjin tonë me sytë e Jezusit dhe për të kujtuar se jemi pjesë e së njëjtës familje njerëzore, që është e thirrur për bashkëjetesë vëllazërore”.

Zoja - shton Papa - na nxit ta ruajmë dhe ta mbajmë ndezur flakën e shpresës, që paraardhësit tanë na e dorëzuan me besim se do t’ua kalojmë të tjerëve përvujtërisht, duke besuar në hirin e Zotit.

Ecni përtej ndarjeve dhe mosbesimit

Më pas Françesku i nxiti dominikanët të ecin pa frikë “të gjithë së bashku, përtej ndarjeve dhe mosbesimit, në drejtimin që tregon Jezusi në Ungjill”. Të mos ngurrojnë “ta kërkojnë vullnetin e Zotit me thjeshtësi, sepse Ai është Ati i butësisë, që i përqafon të gjithë dhe nuk të braktis kurrë”. “Të besojmë se drita e tij hyjnore i shndërron zemrat dhe i shoqëron drejt takimit me të dhe me vëllezërit”.

“Kini besim - shkruan në fund Papa në mesazh - se fuqia e Shpirtit Shenjt na shtyn të kryejmë vepra dashurie dhe  mirësie në favor të atyre që kanë më shumë nevojë për të”

Në këmbët e Nënës së Altagracies

Pajtores së Republikës Dominikane iu dha titulli “Altagracia”, pasi askush më shumë se ajo, që është Nëna e Zotit, nuk mund t’u japë bijve të saj një numër më të madh hiresh.

Zoja e Altagracias u kurorëzua nga Papa Piu XI dhe Papa Gjon Pali II: kurorëzimi i parë u bë më 15 gusht 1922, i dyti më 12 tetor 1992, gjatë vizitës së dytë të Shën Gjon Palit II në vend.

16 korrik 2022, 13:12