Kërko

 Papa Françesku përudhë drejt Kanadasë Papa Françesku përudhë drejt Kanadasë 

Papa përudhë drejt Kanadasë, shtegtar pajtimi ndërmjet popujve indigjenë

Nisi shtegtimi i 37-të apostolik. Edmonton, Maskwacis, Québec dhe Iqaluit janë skenat e Françeskut gjatë gjashtë ditëve plot takime, në një vend pjesërisht të plagosur nga politikat e kolonializmit, por edhe gati për të vazhduar në rrugën e faljes dhe të shërimit, tashmë të përforcuar nga prania e pasardhësit të Pjetrit. Mbërritja në aeroportin ndërkombëtar të Edmontonit, kryeqyteti i provincës së Albertës, pritet rreth orës 19.20 me orën evropiane.

R. SH. - Vatikan

Me nisjen nga Aeroporti Fiumicino i Romës, në orën 9.16, filloi shtegtimi i 37-të apostolik i Françeskut, Papa i dytë që viziton Kanadanë pas Shën Gjon Palit II, i cili herën e fundit në vitin 2002, mori pjesë në Ditën e 17-të Botërore të Rinisë, në Toronto. Papa u nis në orën 8.00 të mëngjesit nga Shtëpia e Shën Martës, për të arritur ku e priste avioni, Airbus A330 i Ita Airways me rreth tetëdhjetë gazetarë në bord. Nga karriga me rrota, Françesku përshëndeti drejtuesit e avionit dhe më pas u ngjit me ndihmën e një ashensori.

Massimiliano Menichetti përshkruan nisjen e Papës, shoqëruar nga gazetarët

“Një udhëtim ‘shumë i dëshiruar’, në qendër të vëmendjes së të cilit do të jetë përqafimi me popujt indigjenë dhe me kishën vendase”, shpjegon për Vatican News Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Afërsia, falja, pajtimi, vëllazëria, shpresa janë fjalët kyçe të gjashtë ditëve të ngarkuara me takime dhe vizita nga 24 deri më 29 korrik, me kthimin në Itali planifikuar më të  gdhirë të 30 korrikut. “Shtegtim pendestar”, siç  e quajti Papa në Lutjen e Engjëllit, të dielën e kaluar: Françesku shkon për të “takuar dhe për të përqafuar popujt indigjenë”, për të treguar afërsinë e tij konkrete në “shtegun e shërimit” të nisur nga Kisha Katolike, e cila së bashku me “shumë të krishterë kontribuan në politikat e asimilimit kulturor, që në të kaluarën i dëmtuan rëndë, në mënyra të ndryshme,  bashkësitë vendase”. Edhe tweet-i i Papës, që përkon me nisjen në mëngjesin e sotëm, e përmbledh mirë frymën e këtij shtegtimi: “Të dashur vëllezër dhe motra të Kanadasë, unë vij mes jush për të takuar popujt indigjenë. Shpresoj që, me hirin e Zotit, shtegtimi im i pendimit të mund të kontribuojë në rrugën e pajtimit tashmë të ndërmarrë. Ju lutem më shoqëroni me lutjen tuaj”

Papa në nisje

Pasi u nis nga Roma, duke fluturuar mbi Italinë, Papa i dërgoi telegramin e zakonshëm përshëndetjes Presidentit të Republikës Sergio Mattarella, me urime e “lutje  për të mirën e popullit italian”, me theksimin se shtegtimi i tij në Kanada u diktua “mbi të gjitha, nga dëshira e madhe për të takuar popujt vendas”.

Udhëtimi i Françeskut në Kanada: traditat e popullit indigjen të treguar në një logo

I ftuar nga ipeshkvijtë në tetor të vitit të kaluar, Françesku konfirmoi se donte të udhëtonte në Kanada në prill, duke pritur disa përfaqësues të popujve indigjenë - Métis, Inuit, Kombet e Para - gjatë tre takimeve private. Me atë rast shprehu “dhimbje dhe turp” për abuzimet dhe mungesën e respektit ndaj identitetit, kulturës dhe vlerave të tyre shpirtërore, për të cilat janë përgjegjës edhe disa katolikë që iu përshtatën mendësisë koloniale të së kaluarës dhe politikave qeveritare të asimilimit kulturor në shekuj. Duke kujtuar nderimin e veçantë të popujve indigjenë për Shën Anën, Papa shprehu dëshirën për ta kremtuar festën e saj liturgjike pikërisht në territorin kanadez, siç do të bëjë më 26 korrikun e ardhshëm. Njoftimi zyrtar i udhëtimit erdhi më pas, në maj, ndërsa programi u shpall më 23 qershor. Shtegtimi përfaqësohet nga një logo, me simbolet e stilizuara të bashkësive dhe të territorit kanadez, ndërsa motoja, “Të ecim së bashku”, të kujton ecjen me bashkësitë vendase në rrugën e pajtimit dhe shërimit.

Takimi i parë, në Maskwacis

Françesku, me dy anëtarë të Kuries Romake me origjinë nga Kanadaja, kardinajtë Marc Ouellet, prefekt i Dikasterit të Ipeshkvijve dhe Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, do të mbërrijë në Edmonton pas 10 orësh dhe 20 minutash fluturimi, në orën 11.20 me orën kanadeze. Nuk do të ketë asnjë angazhim pas pritjes zyrtare në aeroport dhe do të tërhiqet për të pushuar në Seminarin e Shën Jozefit. Ditët e tij do të karakterizohen, në pjesën më të madhe, nga takimet me popujt indigjenë. Ata nuk do të jenë të ngarkuara me angazhime, duke pasur parasysh problemet e tij në këmbën e djathtë që e detyruan të hiqte dorë nga udhëtimi në Kongo dhe Sudanin e Jugut, planifikuar nga 2 deri më 7 korrik. Papa do të zhvendoset në vende edhe shumë të largëta nga njëri-tjetri, për të vizituar bashkësitë indigjene atje ku jetojnë, me kujdesin e duhur për gjendjen e tij fizike.

Të hënën ndalesa e parë do të jetë Maskwacis, ku në orën 10 do të argëtohet me popujt indigjenë të Kombeve të Para, Métis dhe Inuit. Pasdite do të jetë radha e një grupi tjetër në Kishën e Zemrës së Krishtit, ku më pas do të bekojë shtatoren e Shën Kateri Tekakwitha, e para vendase e Amerikës së Veriut e shpallur shenjte nga Kisha Katolike. Të martën, në festën e shenjtorëve Joakim dhe Ana, gjyshërit e Jezusit, Françesku do të kremtojë Meshën në stadiumin e Commonwealth, në Edmonton. Pas drekës, në orën 16, një çast i pritur dhe shumë i dëshiruar nga Papa: pjesëmarrja në shtegtimin tradicional në Lac Ste. Anne, ku prej shekujsh, në javën e 26 korrikut, mijëra të devoçëm të Shën Anës mblidhen për t’u lutur dhe për t’u shëruar në trup e në shpirt, duke u larë në ujërat e liqenit. Këtu besimtarët do të marrin pjesë, së bashku me Papën, në Liturgjinë e Fjalës. Pastaj Ati i Shenjtë do të kthehet në Seminarin e Shën Jozefit.

Takime me autoritetet civile dhe kishën lokale në Québec

Papa do të shtegtojë me avion dy herë gjatë vizitës së tij në Kanada. Më 27 korrik, në orën 6.30 të mëngjesit me orën lokale, nga Edmonton në Québec, ku, pas pak më shumë se katër orë fluturimi, do të takojë Guvernatoren e Përgjithshme të Kanadasë, Mary May Simon, kryeministrin Justin Trudeau, autoritetet civile, përfaqësuesit e popujve indigjenë dhe trupin diplomatik. Dita e Papës do të përfundojë në arqipeshkvi, në Rue Port-Dauphin, ku do të qëndrojë për dy netë. Më 28 korrik, në orën 10.00, Papa do të jetë në Bazilikën e Shën Anës së Beaupreé, ku do të kremtohet mesha; ndërsa në orën 17.15, në Katedralen e Notre-Dame, për Mbrëmësoren me ipeshkvijtë, priftërinjtë, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe laikët. Të nesërmen, para se të niset sërish me aeroplan, në orën 12.45, për të mbërritur në Ikaluit, Papa do të ketë dy takime në kryeipeshkvni: i pari, privat, me disa anëtarë të Shoqërisë së Jezusit, i dyti, me një delegacion indigjenësh, i pranishëm në Quebec.

Në kufi të Rrethit Polar, për të përqafuar bashkësi të tjera indigjene

Mbërritja në Iqaluit, pranë Rrethit Polar, pritet në orën 15.50, rreth gjysmë ore pas takimit privat me disa nxënës të ish-shkollave rezidenciale, të cilat, të besuara Kishave të krishtera, përfshirë edhe atë katolike, qenë rezervuar për fëmijët e bashkësive indigjene, shumica e të cilëve u morën me forcë nga shtëpitë e tyre, për t’u edukuar sipas kulturës perëndimore. Në këto ambiente, u ndalohej të flisnin në gjuhën e tyre amtare dhe të ndiqnin besimin e tyre fetar. Nxënësit pësuan abuzime, jetuan në kushte të papërshtatshme higjienike dhe pa ndihmë mjekësore. Më në fund, të rinj e të rritur do të takohen me Françeskun përpara nisjes së tij për në Itali:  mëngjesin e 30 korrikut, në orën 18.45, Papa do të mbërrijë në Romë, për t’u kthyer më pas në Vatikan.

24 korrik 2022, 11:14