Papa: nëse do të hiqja dorë, do të qëndroja në Romë si ipeshkëv
R.SH. - Vatikan
“Nuk kam ndërmend të dorëzohem, jo, në këtë çast”. Kështu u shpreh Papa Françesku në një intervistë të gjatë e të larmishme, dhënë gazetareve meksikane Maria Antonieta Collins dhe Valentina Alazraki për kanalin e transmetimit ViX të Televisa Univision. Gjatë intervistës, publikuar në kanalin “Univision Noticias” në YouTube, Françesku ndalohet veçanërisht tek gjendja e tij shëndetësore dhe tek thashethemet që, javët e fundit, hamendësuan se do të jepte dorëheqjen nga papnia. “Për momentin nuk e ndjej se po ma kërkon këtë Zoti - tha Papa - nëse do ta ndjeja se po ma kërkon, po”. Ndaj ai e cilësoi “rastësi” faktin që do të shkojë në Aquila, ku është varrosur Celestini V, në ditët e Konçistorit të radhës, në fund të gushtit.
Lidhur me gjendjen e gjurit, Papa Bergoglio theksoi se edhe nëse “i duhet të ruhet”, “po përmirësohet gjithnjë më shumë”. Megjithatë - shtoi - udhëtimin në Kongo “sigurisht” nuk do të mund ta bënte. “Nuk kisha fuqi - shpjegoi - tani njëzet ditë më vonë, e kam”. Kështu ai përsëriti “shembullin e madh të dhënë nga Benedikti XVI” i cili do ta ndihmojë “të marrë një vendim” nëse do të jetë e nevojshme. Më pas, kujtoi “simpatinë e madhe” për Papën e Nderit: “njeri, që po e mbështet Kishën me mirësinë e tij, e edhe me tërheqjen e tij” në lutje. Pohon, më pas, se ndjen gëzim sa herë që shkon për ta vizituar në manastirin Mater Ecclesiae.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth mundësisë për të pasur norma mbi figurën e Papës së Nderit, Françesku vërejti se “vetë historia do të ndihmojë për t’i rregulluar punët”, e se “përvoja e parë shkoi shumë mirë", sepse Benedikti XVI “është njeri i shenjtë dhe i matur”. Për të ardhmen, megjithatë, “mendoj se duhet t’i përcaktojmë gjërat më mirë ose t’i shpjegojmë më mirë”. Lidhur me dorëheqjen e mundshme, u përgjigj se nuk do të shkonte në Argjentinë: “Jam ipeshkvi i Romës, ndërsa në atë rast do të isha ipeshkvi i nderit i Romës”.
Për mundësinë që në atë rast do të ishte në Shën Gjonin e Lateranit, u përgjigj: “Po, mund të jetë edhe kështu”.
Papa Bergoglio kujton se, përpara Konklavit, ai e kishte përgatitur tashmë daljen në pension si kryeipeshkëv nderi i Buenos Ajres. Për të, kujton ai, do të ishte themelore “të rrëfente dhe të vizitonte të sëmurët”. Ky do të kishte qenë “apostullimi”, “veprimtaria” e tij. “Të jesh në shërbim të njerëzve, ku të mundesh - tha ai - këtë kam menduar në Buenos Ajres”. Një projekt, shtoi Ati i Shenjtë, që do ta dëshironte edhe nëse do të mbijetonte për një dorëheqje të mundshme.
Në intervistën e transmetuar plotësisht nga Televisa Univision, Papa trajtoi edhe shumë çështje të tjera tejet aktuale. Ndërmjet tyre, pandeminë, me kujtimin e çastit prekës të Statio Orbis, më 27 mars 2020. Më pas reflektoi për luftën në Ukrainë, duke nënvizuar se është themelore të flasë për “vendin, që po sulmohet nga agresorët”. Më pas, ai ripohoi dëshirën për të takuar patriarkun rus Kirill në shtator, në takimin ndërfetar, që do të mbahet në Kazakistan. Duke përmendur tragjedinë e vendeve, të tronditura nga dhuna - si Jemeni e Siria - përsëriti se ajo që po përjetojmë është një “Lufta e tretë botërore copa-copa” dhe se armët bërthamore “janë të pamoralshme”, kudo e kurdoherë!
Françesku ripohoi dënimin e tij për abortin, sepse është krejtësisht e padrejtë të zhduket një jetë njerëzore dhe kjo, vazhdoi ai, mund të pohohet "duke u nisur edhe nga të dhënat shkencore" të cilat nuk janë të negociueshme. Duke folur për këtë çështje në Shtetet e Bashkuara, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për ndalimin e të drejtës së abortit, Papa vuri në dukje polarizimin e pranishëm në vend, duke përsëritur se barinjtë duhet të kujdesen gjithmonë për përmasën baritore, përndryshe krijohet një problem politik... Pyetjes për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj një burri shteti katolik, që mbështet abortin, ai iu përgjigj: “Ia lë ndërgjegjes suaj, bisedës me ipeshkvin tuaj, me pastorin tuaj, me famullitarin tuaj për këtë mospërputhje”.
Duke folur për Shtetet e Bashkuara dhe Kubën, Papa Françesku shprehu dashurinë e tij për popullin kuban dhe për ipeshkvijtë e vendit. Kujtoi se kishte marrëdhënie njerëzore edhe me ish-presidentin, Raul Castro, dhe shprehu kënaqësinë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Kubës me Shtetet e Bashkuara, në kohën e presidencës Obama.
Papa Françesku foli edhe për udhëtimin e radhës në Kanada, në emër të faljes për të keqen e kryer në të kaluarën e, më në fund, u ndal tek drama e vrasjes së grave, formave të reja të skllavërisë dhe veçanërisht, tek plaga e pedofilisë në Kishë. Françesku kujtoi ndikimin që patën shkandujt në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur në veçanti Raportin e Pensilvanisë. "tenxheres iu hoq kapaku”, pranoi, “sot Kisha është bërë gjithnjë e më e vetëdijshme” për abuzimin seksual, të cilin e quajti “krim i përbindshëm”. Kisha, përsëriti me forcë , ka “dëshirë të ecë përpara” larg këtyre krimeve të shëmtuara!