Kërko

Papa në Kanada: shtegtim pendestar, për t’i përqafuar popullsitë

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, Françesku u kërkoi besimtarëve ta shoqërojnë me lutje udhëtimin e tij të ardhshëm apostolik të 24-30 korrikut, në Kanada, gjatë të cilit do të takohet me bashkësitë vendase: “Shpresoj që shtegtimi të japë ndihmesën e vet në rrugën e pajtimit dhe shërimit, të nisur tashmë”.

R. SH. - Vatikan

“Shtegtim pendestar”, me kokën ulur, për të kërkuar falje, por edhe  me krahë të hapur për të përqafuar popujt autoktonë, në të kaluarën viktima të “politikave asimiluese” që shkaktuan shumë dëme, edhe nga institutet rregulltare kishtare. Nga dritarja e Pallatit Apostolik, në përfundim të lutjes së Engjëllit, Papa Françesku foli për udhëtimin e tij të ardhshëm në Kanada më 24-30 korrik, duke përsëritur “dhimbjen” dhe “afërsinë” e tij me bashkësitë indigjene kanadeze të cilat - pas dialogut në fund të marsit dhe në fillim të prillit, në Vatikan - do të takohen tani personalisht me Papën gjatë udhëtimit apostolik të 38-të në katër qytete: Edmonton, Maskwacis, Québec dhe Ikaluit.

Përpara, në rrugën e pajtimit

Papa kërkon që besimtarët nga e gjithë bota ta shoqërojnë me lutje këtë vizitë, që shpreson se do të “ndihmojë në rrugën e pajtimit dhe të shërimit, tashmë të nisur”:

“Të dielën e ardhshme, në dashtë Zoti, do të nisem për në Kanada, prandaj dua t’u drejtohem që tani banorëve të atij vendi. Të dashur vëllezër dhe motra të Kanadasë, siç e dini, unë do të vij mes jush në emër të Jezusit, mbi të gjitha për të përqafuar popujt indigjenë. Fatkeqësisht, shumë të krishterë në Kanada, veçanërisht anëtarët e instituteve rregulltare, kontribuan në politikat e asimilimit kulturor, të cilat në të kaluarën i dëmtuan rëndë, në mënyra të ndryshme bashkësitë vendase”.

Dhimbje dhe solidaritet

Kjo është arsyeja pse Papa, nga 28 marsi, për tre ditë, i pati hapur dyert e Pallatit Apostolik për grupet Inuit, Metis dhe Kombeve të Para:

“U shpreha dhimbjen dhe solidaritetin tim për të keqen që kanë pësuar - kujtoi”.

Me shpresë se takimi i ri do të hapë edhe rrugë të reja miqësie e bashkëpunimi!

17 korrik 2022, 14:02