Kërko

Papa: Kisha nuk imponon parime, është shtëpi e gjallё pajtimi

Në takimin e dytë me popullsitë indigjene dhe anëtarët e bashkësisë kishtare, në Edmonton, Kanda, në Kishën e Zemrës së Krishtit, Papa vuri theksin mbi rolin e pazëvendësueshëm të Kishës, ku Jezusi, me kryqin e tij, pajton duke bashkuar, duke i bërë dy realitete të largëta, një realitet të vetëm, një gjë, një popull. Dhe këtë e bën me anë të kryqit (krh. Ef 2,14). Vështrimi ynë duhet të lartohet nga Jezusi i kryqëzuar, paqja duhet të kërkuar në altarin e Tij. Është Jezusi ai, që na pajton

R.SH. - Vatikan

Në Kishën e Zemrës së Krishtit të Popujve të Parë në Edmonton, Kanada, Papa Françesku pranon se "asgjë nuk mund të fshijë dinjitetin e cenuar, të keqen e vuajtur, besimin e tradhtuar". Megjithatë - saktëson Ati i Shenjtё - është e nevojshme të fillojmë përsëri, duke shikuar Jezusin e kryqëzuar. Papa ftoi të bashkëpunohet për një pajtim që nuk është një lloj paqeje e zbritur nga lart nga përthithja e tjetrit, por kumtim i Krishtit në liri e dashuri.

Kështu, gjatë takimit të dytë me popullsitë indigjene dhe anëtarët e bashkësisë famullitare, dje në Edmonton, Kanda, në Kishën e Zemrës së Krishtit, Papa Françesku vuri theksin mbi rolin e pazëvendësueshëm të Kishës, ku Jezusi, me kryqin e tij, pajton duke bashkuar, duke i bërë dy realitete të largëta, një realitet të vetëm, një gjë, një popull. Dhe këtë e bën me anë të kryqit (krh. Ef 2,14). Vështrimi ynë duhet të lartohet nga Jezusi i kryqëzuar, paqja duhet të kërkuar në altarin e Tij. Është Jezusi ai, që na pajton me njëri-tjetrin në kryq, në pemën e jetës!

Papa në Edmonton: Kisha, trup i gjallë i pajtimit

Fjalët e para të Papës drejtuar popullsive indigjene dhe bashkësive famullitare, me të cilat u takua në Kishën e Zemrës së Krishtit, në Edmonton, ishin:

“Ndjehem i lumtur që jam me ju dhe shoh fytyrat e përfaqësuesve të ndryshëm indigjenë, të cilët erdhën për të më vizituar në Romë disa muaj më parë. Ajo vizitë kishte shumë kuptim për mua: tani jam në shtëpinë tuaj, mik dhe shtegtar në vendin tuaj, në tempullin ku u mblodhët për ta lavdëruar Zotin si vëllezër dhe motra”.

Kisha është shtëpi për të gjithë

Menjëherë pas, Papa kujtoi takimin në Romë ku, si i pati dëgjuar, u pati thënë se “procesi efektiv i rehabilitimit kërkon veprime konkrete” (Fjala drejtuar delegacioneve të popujve indigjenë të Kanadasë, 1 prill 2022).  E tani shprehu kënaqësinë duke parë se në këtë famulli, ku mblidhen njerëz nga bashkësi të ndryshme të Kombeve të Para, Métis dhe Inuit, së bashku me jo-indigjenë nga lagjet lokale dhe disa vëllezër e motra emigrantë, një punë e tillë tashmë ka filluar. Në vijim kujtoi natyrën dhe rolin e Kishës:

“Kisha është shtëpi për të gjithë, e hapur dhe gjithëpërfshirëse, ashtu siç duhet të jetë, familje bijsh të Zotit, ku mikpritja dhe mirëpritja, vlera tipike të kulturës autoktone, janë themelore; ku të gjithë duhet të ndihen të mirëpritur, pavarësisht nga ngjarjet dhe rrethanat e jetës së kaluar dhe individuale”.

Kush ndihmon vëllain në vështirësi, ndihmon Krishtin!

Në vijim Françesku i falënderoi të pranishmit për afërsinë konkrete me njerëzit e varfër - të shumtë edhe në këtë vend të pasur - përmes bamirësisë:

“Këtë dëshiron Jezusi, i cili na ka thënë dhe na përsërit gjithnjë në Ungjill: çka i bëre vetëm njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma bëre mua” (Mt 25,40)”.

Në të njëjtën kohë - vijoi Ati i Shenjtë - nuk duhet të harrojmë se edhe në Kishë egjra përzihet me grurin e mirë. Dhe pikërisht për këtë egjër e nisa   shtegtimin tim pendestar - pohoi - duke kujtuar të keqen që pësuan popujt indigjenë nga shumë të krishterë dhe duke kërkuar falje me dhimbje të thellë:

“Më dhemb kur mendoj se katolikët kontribuan në politikat e asimilimit, që u pasuan nga ndjenja e inferioritetit, duke u grabitur bashkësive dhe njerëzve identitetet e tyre kulturore dhe shpirtërore, duke u prerë rrënjët e tyre dhe duke ushqyer qëndrime paragjykuese dhe diskriminuese. E të mendosh se e gjithë kjo u bë në emër të një edukimi, që hamendësohej se ishte i krishterë”.

Edukimi, aventura e zbulimit të misterit të jetës

Edukimi nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë diçka e para-paketuar, për t’u imponuar - theksoi me forcë Papa - sepse edukimi është aventura e kërkimit dhe, njëheresh, e zbulimit të misterit të jetës. Falë Zotit, në një famulli si kjo, ditë pas dite, përmes takimit, hidhen themelet e shërimit dhe të pajtimit!

Krishti dhe pajtimi

Pajtimi: pikërisht për këtë fjalë do të reflektonte në vijim Papa. Çfarë na këshillon Jezusi në këtë drejtim?

“Shën Pali Apostull shpjegon se Jezusi pajton duke bashkuar, duke i bërë dy realitete të largëta, një realitet të vetëm, një gjë, një popull. Dhe këtë e bën me anë të kryqit (krh. Ef 2,14). Është Jezusi ai, që na pajton me njëri-tjetrin në kryq, në atë pemë të jetës, siç donin ta quanin të krishterët e lashtë”.

Simbolika e Kishës

Në vijim Papa u kujtoi të pranishmëve se kanë shumë për të mësuar rreth rëndësisë jetike të pemës e cila, e bashkuar me tokën nga rrënjët, jep oksigjen përmes gjetheve dhe na ushqen me frytet e saj. Dhe është bukur të shohësh simbolikën e pemës në fizionominë e kësaj kishe. Kjo simbolikë liturgjike kujton një  përshkrim të mrekullueshëm, të shqiptuar nga Shën Gjon Pali II në këtë vend: “Krishti e gjallëron qendrën e çdo kulture, kështu që krishterimi prek jo vetëm të gjithë popujt indianë, por Krishti, në gjymtyrët e korpit të tij, është edhe ai vetë indian”(Liturgjia e Fjalës me Indianët e Kanadasë, 15 shtator 1984.

Jezusi i kryqëzuar, parë në fëmijët e shkollave rezidenciale

 Asgjë nuk mund ta zhdukë dinjitetin e cenuar, të keqen e pësuar, besimin e tradhtuar - kujtoi në vijim Papa - As turpi i ne besimtarëve, që nuk duhet fshehur kurrë. Por ne duhet të fillojmë përsëri, me vetëdijen se Jezusi nuk na ofron fjalë dhe qëllime të mira, por kryqin, atë dashuri shkandulluese që lë t’ia shpojnë këmbët dhe kyçet e duarve dhe t’ia kurorëzojnë kokën me gjemba. E kjo është rruga që duhet ndjekur:

“Të shikojmë së bashku Krishtin, dashurinë e tradhtuar dhe të kryqëzuar për ne; ta shikojmë Jezusin, të kryqëzuar në shumë nxënës të shkollave rezidenciale. Nëse duam të pajtohemi ndërmjet nesh dhe brenda nesh, të pajtohemi me të kaluarën, me të këqijat e vuajtura dhe me kujtesën e plagosur, me ngjarjet traumatike që asnjë ngushëllim njerëzor nuk mund t'i shërojë. Vështrimi ynë duhet të lartohet nga Jezusi i kryqëzuar, paqja duhet të kërkuar në altarin e Tij”.

Kisha, trup i gjallë i pajtimit

Ekziston edhe një aspekt tjetër i pajtimit për të cilin foli Papa duke kujtuar shpjegimin e Shën Palit. Shën Pali shpjegon se Jezusi, nëpërmjet kryqit, na pajtoi në një trup të vetëm (krh. Ef 2:14). Për çfarë trupi e ka fjalën? Për Kishën: Kisha është ky trup i gjallë i pajtimit. Por, nëse mendojmë për dhimbjen e pashlyeshme që ndjehet brenda institucioneve kishtare, ajo vjen vetëm nga ndjenja e zemërimit dhe e turpit. Kjo ndodhi kur besimtarët dëgjuan zërin e botës e, në vend që të punoin për pajtimin, imponuan modelin e tyre kulturor:

“Po Zoti nuk vepron kështu: nuk detyron kënd, nuk shtyp, nuk mbyt. Ai do, gjithmonë, të liron e të të lirë. Ai nuk i mbështet me Shpirtin e Tij ata, që i nënshtrojnë të tjerët, ata që ngatërrojnë Ungjillin e pajtimit me prozelitizmin”. 

Zoti nuk mund të kumtohet në kundërshtim me Zotin. Por sa herë ka ndodhur në histori! Ndërsa Zoti thjesht dhe me përulësi propozon vetveten, ne gjithmonë tundohemi ta imponojmë atë dhe të imponohemi në emrin e tij. Tundimi i kësaj bote dëshiron ta bëjë Krishtin të zbresë nga kryqi e ta tregojë fuqinë e vet. Por Jezusi pajtohet me kryqin, nuk zbret:

“Vetë fjala pajtim është sinonim i Kishës. Termi ka kuptimin ‘të bësh përsëri një këshill’. Kisha është shtëpia ku ne mund të pajtohemi përsëri, ku mund të bashkohemi për t’u rinisur e për t’u rritur së bashku. Kjo është udha: ‘të mos vendosësh për të tjerët, të mos i mbyllësh të gjithë brenda skemave të paracaktuara, por të rrish përballë Kryqit dhe përballë vëllait e të mësosh të ecësh së bashku’”.

E kjo është Kisha: tempull me dyer gjithmonë të hapura ku të gjithë ne, tempuj të gjallë të Shpirtit, takohemi, shërbejmë dhe pajtohemi:

“O Jezus i kryqëzuar e i ringjallur, që banon në këtë popullin tënd, që dëshiron të rishkëlqesh përmes bashkësive dhe kulturave tona, na merr për dore e, edhe në shkretëtirat e historisë, na i drejto hapat tonë në rrugën e pajtimit. Amen!”.

25 korrik 2022, 22:40