Kërko

Intervista e agjencisë sё lajmeve Reuters me Papёn Françesku Intervista e agjencisë sё lajmeve Reuters me Papёn Françesku

Papa mohon zërat për dorëheqjen, ripohon dëshirën për të shkuar në Moskë e Kiev

Intervista e agjencisë sё lajmeve Reuters me Papёn Françesku, i cili mohon thashethemet për dorëheqjen, pohoi dëshirën për të shkuar në Moskë e Kiev dhe “e respekton” vendimin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara për abortin dhe e dënoi përsëri ndërprerjen e shtatzënisë

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku mohon thashethemet, që flasin për dorëheqjen e tij të mundshme (“Nuk më ka shkuar kurrë në mendje - pohon -  e aq më pak, tani), e edhe zërat që pëshpërisin se vuan nga kanceri. Ndërsa përsërit gatishmërinë për të udhëtuar në Rusi dhe Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta në shtator. Pohon, gjithashtu, se respekton vendimin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara për abortin, të cilin e dënon përsëri.

Të shtunën e kaluar Ipeshkvi i Romës - Papa - i dha një intervistë të gjatë korrespondentit të Reuters, Phil Pullella. Po japim, këtu, një përmbledhje të shkurtër lidhur me sa u tha në këtë takim publikuara nga agjencia, që zgjati rreth 90 minuta

Siç dihet, sipas artikujve dhe komenteve të ndryshme në media, disa ngjarje të kohëve të fundit të planifikuara ose jo (nga konçistori në fund të gushtit - te vizita në Akuila, ku është varrosur Papa Celestini V, i cili dha dorëheqjen në vitin 1294) do ta bënin ndokënd të mendonte se Papa Bergoglio mund të heqë dorë nga papnia. Por Françesku e mohoi këtë interpretim: “Të gjitha këto koinçidenca i sajuan disa, që mendojnë se do të ndodhë e njëjta ‘liturgji’. Ndërsa mua nuk më ka shkuar kurrë as nëpër mend. Sidomos në këto çaste. Në këto çaste jo e jo! Me të vërtetë!”.

Njëkohësisht Papa Françesku, siç ka bërë disa herë në të kaluarën, shpjegoi se mundësia e dorëheqjes nisi të shqyrtohej veçanërisht pas zgjedhjes së Benediktit XVI, në vitin 2013, nëse shëndeti do t’ia bënte të pamundur vazhdimin e papnisë. Por i pyetur se kur mund të ndodhte, qe përgjigjur: “Nuk dihet! Janë punët e Zotit” - fjalë të ngjashme këto, me ato që përdori të premten, më 1 korrik, në intervistën për agjencinë Telam.

Duke kujtuar problemet e gjurit, Papa Françesku foli për shtyrjen e udhëtimit në Afrikë dhe nevojën për terapi dhe pushim. Kujtoi edhe se vendimi i shtyrjes i shkaktoi  “shumë vuajtje”, kryesisht sepse donte të shkonte si lajmëtar i paqes si në Republikën Demokratike të Kongos, ashtu edhe në Sudanin e Jugut. Papa Bergoglio - kujtoi intervistuesi - hyri në dhomën e pritjes, në katin e parë të Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan,  i mbështetur mbi një shkop. E, më pas, e shpjegoi hollësisht gjendjen e gjurit, duke kujtuar se pësoi “një frakturë të vogël” gjatë një hapi të bërë gabim, ndërsa një ligament ishte i pezmatuar. “Jam mirë, po përmirësohem ngadalë” - shtoi - duke shpjeguar se fraktura po shërohet, e ndihmuar nga terapia me lazer dhe magnet.

Papa Françesku, më pas, mohoi zërat që pëshpërisin se është diagnostikuar me kancer një vit më parë, kur iu nënshtrua operacionit prej gjashtë-orësh për të hequr një pjesë të zorrës së trashë, ndërhyrje e zakonshme tek të moshuarit. “Operacioni ishte sukses i madh” - kujtoi  Papa - duke shtuar me buzë në gaz se “nuk i patën thënë asnjë fjalë” për kancerin hamendësuar, gjë që e hodhi poshtë si “thashetheme oborri”. Më pas, duke vijuar biseden me Reuters, pohoi se nuk e kishte në mendje të operonte edhe gjurin, mbasi anestezia e përgjithshme gjatë operacionit të vitit të kaluar kishte pasur efekte anësore negative.

Më pas, në intervistë, u prekën edhe çështje ndërkombëtare. Duke folur për situatën në Ukrainë, Papa Françesku theksoi se Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin, ka pasur kontakte me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov për një udhëtim të mundshëm në Moskë. Shenjat fillestare nuk ishin të mira. Së pari për këtë udhëtim të mundshëm u fol para disa muajsh - kujtoi Papa - duke shpjeguar se Moska e quajti kohë të papërshtatshme. Megjithatë, la të kuptohet se tani diçka mund të ketë ndryshuar. “Do të doja të shkoja në Ukrainë e, së pari, në Moskë. Shkëmbyem mesazhe për këtë, ngaqë mendova se presidenti rus do të më kishte hapur një dritare të vogël për t’i shërbyer kauzës së paqes... E tani ka shumë mundësi që, pas kthimit tim nga Kanadaja, të shkoj në Ukrainë. Po gjëja e parë që duhet bërë, është të shkoj në Rusi për të provuar të ndihmoj në një farë mënyre, por unë do të doja të shkoja në të dy kryeqytetet”.

Së fundi, Papa në intervistën me Phil Pullella, preku çështjen e vendimit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, që rrëzoi vendimin historik Roe kundër Wade mbi të drejtën e gruas për të abortuar. Papa Françesku pohoi se e respekton vendimin por se nuk ka informacion të mjaftueshëm që të flasë për këtë problem nga pikëpamja juridike. Ndërkaq e dënoi ashpër abortin, duke e krahasuar - siç ka bërë shumë herë në të kaluarën - me “punësimin e vrasësit”. “Pyes veten - shtoi - a është e ligjshme, a është e drejtë të zhdukësh një jetë njeriu, për të zgjidhur një problem?”.

Papës iu kërkua edhe një koment lidhur me debatin e vazhdueshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi mundësinë e marrjes së Kungimit nga një politikan katolik, personalisht kundër abortit, por që mbështet të drejtën e zgjedhjes së të tjerëve. Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për shembull, kryeipeshkvi i dioqezës së saj të San Francisko-s, ia ka ndaluar, por ajo vijon ta marrë rregullisht në një famulli kishtare të Uashingtonit. Edhe javën e kaluar e mori kungimin nga një prift, gjatë Meshës në Shën Pjetër, kryesuar nga Papa.

"Kur Kisha humbet natyrën e saj baritore, kur një ipeshkëv humbet natyrën e tij baritore, kjo krijon problem politik” - komentoi Papa - “E kjo është edhe gjithçka, që mund të them”.

04 korrik 2022, 12:26