Kërko

Papa me të rinjtë inuit: pa frikë, shikoni lart, ndiqni dritën e popullit tuaj

Me vullnetin për ta përshkuar së bashku udhën e shërimit e të pajtimit me popullsitë indigjene, Papa Françesku u foli të rinjve dhe të moshuarve Inuit, pasi takoi privatisht një grup ish-nxënësish të shkollave rezidenciale, që shërbyen për asimilimin kulturor të fëmijëve autoktonë. U kërkoi sërish falje indigjenëve, ndërsa të rinjve u dha tri këshilla: të ecin drejt lartësive; në dritë e jo në errësirë dhe të punojnë në ekip me të tjerët

R.SH. - Vatikan

“Qujannamiik!” (faleminderit): kjo ishte fjala e fundit publike, që shqiptoi Papa Françesku në Kanada, në përfundim të shtegtimit të tij apostolik, që filloi më 24 e përfundoi më 30 korrik. Etapa e fundit, në Iqaluit, ku Papa u takua me indigjenët Inuit, anëtarë të popujve eskimezë. Në oborrin e shkollës fillore Nakasuk, që mban emrin e themeluesit të kryeqendrës Nunavut të Iqaluit-it, Ati i Shenjtë u foli të rinjve dhe të moshuarve, pasi takoi privatisht një grup ish-nxënësish të shkollave rezidenciale, që shërbyen për asimilimin kulturor të fëmijëve autoktonë, me pasoja të rënda për shëndetin dhe gjendjen e tyre mendore.

Pikërisht për këtë arsye, fjalët e para të Papës ishin shprehje e indinjatës dhe e turpit, që siç tha vetë, “e shoqërojnë prej muajsh”. Françesku kërkoi sërish falje “për të keqen e bërë nga jo pak katolikë, që kanë kontribuar në politikat e asimilimit kulturor”. Ati i Shenjtë kujtoi një indigjen të moshuar, që i tregoi për kohën para ardhjes së evropianëve, kur fëmijët mblidheshin rreth zjarrit me prindërit e gjyshërit e ishin të lumtur. Kur u shkëputën nga ambienti i tyre me forcë, mbi gjithçka ra hija e dimrit. Papa nënvizoi edhe një herë se ky qëndrim është i papajtueshëm me Ungjillin: “Sa keq është të shkëputësh lidhjet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, të lëndosh të afërmit më të dashur, të dëmtosh e të shkandullosh të vegjlit!”

“Jemi këtu me vullnetin për të përshkuar së bashku udhën e shërimit e të pajtimit, e cila, me ndihmën e Krijuesit, të na ndihmojë të hedhim dritë mbi ngjarjet e ta kapërcejmë këtë të kaluar të errët”.

“Qulliq”, drita e eskimezëve

         Papa Françesku përdori simbolikën e “qulliq” (kalik), llambës së eskimezëve, që ndizet me vaj foke a me dhjam balene, e cila përhap dritë e ngrohtësi në netët e ftohta të Veriut. Ajo, nënvizoi, është simbol jete, që nuk dorëzohet para errësirës. E, ua paraqiti inuitëve si shembull për rezistencën e tyre në vite, duke u bërë thirrje të moshuarve e sidomos, të rinjve, të kujdesen për tokën e tyre, që ata e quajnë Nunangat. “Të kujdeseni, t’ua lini brezave të ardhshëm detyrën për t’u kujdesur: për këtë janë të thirrur veçanërisht të rinjtë, të mbështetur nga shembulli i të moshuarve! Kujdesuni për tokën, kujdesuni për njerëzit, kujdesuni për historinë”.

Tri këshilla për të rinjtë indigjenë

         “Nuk mjafton të jetosh me fitoret e së kaluarës – iu drejtua Papa secilit prej të rinjve inuit – duhet ta rifitosh atë, që e ke marrë si dhuratë. Mos ki frikë, pra, t’i dëgjosh dhe t’i ridëgjosh këshillat e të moshuarve, ta bësh tënden historinë për të shkruar faqe të reja, për t’u apasionuar, për të mbajtur qëndrim përballë fakteve dhe njerëzve, për të marrë pjesë në to!” E, për ta bërë këtë, Françesku, në stilin e tij të njohur prej jezuiti, u dha të rinjve tri këshilla: të ecin drejt lartësive; të ndjekin rrugën me dritë e jo me errësirë dhe të punojnë në skuadër me të tjerët.

Ecni drejt lartësive

         Së pari, Ati i Shenjtë e nxiti çdo të ri të ecë drejt lartësive, duke përmendur shpesh Parimet e sanksionuara në “Inunnguiniq Iq Principles”, ku përfshihen vlerat tradionale të popullsive autoktone. “Mos mendo se ëndrrat e mëdha të jetës janë në qiej të paarritshëm. Je bërë për t’u ngritur në fluturim, për të përqafuar guximin e së vërtetës dhe për të promovuar bukurinë e drejtësisë, për ta ‘lartuar temprën morale, për të qenë i dhembshur, për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të krijuar marrëdhënie’ (shih “Inunnguiniq Iq Principles” 3-4), për të mbjellë paqe dhe kujdes aty ku je; për të ndezur entuziazmin e atyre që jetojnë pranë teje; për të shkuar më tej, jo për të niveluar gjithçka”.

         Nuk është e lehtë, pranoi Papa, i cili i ftoi të rinjtë të kenë guximin për të shkuar drejt qëllimit të tyre, ashtu siç bën dallëndyshja e arktikut, që nuk trembet nga rrymat e kundërta e nga ndryshimet e temperaturës. “Ti je përgjigjja” për të gjitha problemet, që duhen përballuar, i tha Papa çdo djali e çdo vajze inuit, që i ftoi të kenë besim tek ndihma e Zotit, pa pasur frikë nga një botë, që duket sikur bie gjithnjë e më tepër në humnerën e shkandujve, të luftës, të mungesës së drejtësisë e të shkatërrimit të ambientit. “Bota në të cilën jeton është pasuria që ke trashëguar: duaje atë, ashtu siç të deshi kush të dha jetën dhe gëzimet më të mëdha, siç të do Zoti, që për ty e krijoi çdo gjë të bukur e nuk resht së besuari në ty as për një çast tejet të shkurtër. Ai beson në talentet që të ka dhënë”.

Ecni në dritë

         Sërish duke iu referuar llambës së eskimezëve “qulliq”, Papa i nxiti të rinjtë të udhëhiqen nga drita në jetë, duke luftuar çdo ditë me errësirën. “Rruga e dritës kërkon vendime të guximshme, nga zemra, kundër territ të gënjeshtrave, ajo kërkon të ‘zhvillojmë zakonet e mira për të jetuar mirë’ (shih Principle 1), të mos ndjekim vazhda të shndritshme që zhduken shpejt, fishekzjarre që lënë vetëm tym”. Ky është arti i ndarjes së përditshme të dritës nga errësira, të së mirës nga e keqja, vërejti Françesku.

         Për ta bërë këtë, çdo i ri “mund të fillojë duke e pyetur veten: çfarë më duket si e shndritshme dhe joshëse, por më pas, më lë një zbrazëti edhe më të madhe? Ky është terri! Ndërkaq, çfarë është e mirë për mua dhe më lë me zemër të qetë, edhe kur fillimisht më kërkon t’i lë rehatitë, të dominoj disa instinkte? Kjo është drita!” Kjo shoshitje bëhet me lirinë e bijve të Zotit, nënvizoi Ati i Shenjtë, e cila presupozon përgjegjësinë e nuk do të thotë të bëjmë gjithçka duam, pa marrë parasysh të tjerët.

Punoni në grup, në skuadër

         “Ju të rinj – vijoi më tej Papa - jeni si yjet në qiell, që këtu shkëlqejnë për mrekulli: bukuria e tyre vjen nga e tëra, nga yjësitë ku bëjnë pjesë, që u japin dritë dhe orientim netëve të botës”. Prandaj, këshilla e tretë e Atit të Shenjtë ishte të punojnë së bashku, në grup, si një skuadër. Françesku, kësaj radhe, përdori shembullin e hokejt, duke përmendur edhe emra të njohur të tij në Kanada, e cila fiton gjithnjë medalje olimpike në këtë sport. “Të jesh ekip – përfundoi Papa - do të thotë të besosh se për të arritur qëllime të mëdha nuk mund të ecësh i vetëm; duhet lëvizur së bashku, duhet pasur durim për të endur rrjete të dendura kalimesh nga njëri tek tjetri. Do të thotë edhe t’u lihet hapësirë ​​të tjerëve, të dilet shpejt kur të vjen radha dhe të brohoriten shokët e skuadrës. Ky është shpirti i ekipit!”

         Pas këtij takimi, që e përfundoi me falenderime e me bekime për indigjenët e për popullin e Kanadasë, Papa Françesku shkoi në aeroportin e Iqaluit-it, për ceremoninë e lamtumirës e për nisjen drejt Romës, ku mbërriti rreth orës 7.50.

30 korrik 2022, 06:15