Papa emëron tri gra në Dikasterin e Ipeshkvijve
R. SH. - Vatikan
Tri gra u emëruan sot nga Papa Françesku anëtare të Dikasterit të Ipeshkvijve: janë motrat e nderuara Raffaella Petrini, F.S.E., Sekretare e Përgjithshme e Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe Yvonne Reungoat, F.M.A., ish-Eprore e Përgjithshme e Bijave të Marisë Ndihma e të krishterëve. Bashkë me ta, edhe Maria Lia Zervino, Kryetare e Bashkimit Botëror të Organizatave të Grave Katolike.
Emërimet e tjera
Anëtarët e tjerë të emëruar janë kardinajtë Anders Arborelius, O.C.D., Ipeshkëv i Stokholmit, Suedi; Jose F. Advincula, Kryeipeshkëv i Manilës, Filipine; José Tolentino de Mendonça, Arkivist dhe Bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake; Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve dhe më pas ipeshkvijtë, emërimi i të cilëve si kardinaj u njoftua kohët e fundit: Arthur Roche, Prefekt i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve; Lazzaro You Heung-sik, Prefekt i Dikasterit për Klerin; Jean-Marc Aveline, Kryeipeshkëv i Marsejës, Francë; Oscar Cantoni, ipeshkëv i Komos, në Itali; Imzot Dražen Kutleša, Kryeipeshkëv i Split-Makarska, Kroaci; Paul Desmond Tighe, Sekretar i ish-Këshillit Papnor për Kulturën; i nderuari Atë Donato Ogliari, O.S.B., Abat i Abacisë së Shën Palit jashtë Mureve të Romës dhe Administrator Apostolik i Abacisë Territoriale të Montecassino, në Itali.
Ngjarje e parashikuar nga Papa
Një javë më parë, në një intervistë të gjatë për agjencinë Reuters, drejtuar nga Phil Pullella, Françesku pati parashikuar emërimet e grave, të cilat më pas do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së barinjve të rinj dioqezanë. Papa i qe përgjigjur një pyetjeje kushtuar pranisë femërore në Vatikan, duke pasur parasysh Kushtetutën Apostolike “Predicate Evangelium”që reformon Kurien. Sipas saj, në të ardhmen, dikasteret mund t’i besohen një laiku ose një laikeje. Kjo, përgjigja e Françeskut, sipas mediave vatikanase:
“Unë e pranoj këtë mundësi. Guvernatorati e ka një zëvendës-guvernatore, E tani, në Kongregatën e ipeshkvijve, në komisionin për zgjedhjen e ipeshkvijve, do të shkojnë për herë të parë dy gra. Kështu, në një farë mënyre, u hapet rruga”.
Kjo, përgjigjja e Françeskut, që shtoi se në të ardhmen shikon mundësinë që edhe laikët t’u prijnë dikastereve, si dikasteri “për laikët, familjen e jetën; ai për kulturën dhe edukimin, ose për Bibliotekën, që është gati-gati si dikaster”.
Kohët e fundit kardinali Oscar Anderes Rodriguez Maradiaga kujtoi se Papa donte të vinte një grua në krye të “Ministrisë për ekonominë”, por nuk mundi ta bëjë këtë. Arsyeja: paga që meritonte kjo grua për kompetencë e kurrikulum, por që nuk mund t’i paguhej në Vatikan”.