Kërko

Papa Françesku në Lampeduzë (08-07-2013) Papa Françesku në Lampeduzë (08-07-2013) 

Nëntë vjet më parë Papa ishte në Lampeduzë, ishull që nuk duhet harruar

Ishte 8 korrik 2013, udhëtimi i parë i papnisë së Françeskut. Papa zgjodhi Lampeduzën për të folur për “globalizimin e indiferencës”, për të denoncuar indiferencën ndaj të afërmit e për të dënuar, në shumë raste, edhe “kulturën e shpërdorimit”.

Shikimet e habitura dhe të prekura të mërgimtarëve, kurora me lule e hedhur mbi ujërat e Mesdheut, lutja dhe padija e “globalizimit të indiferencës” që, me kalimin e viteve, do ta bënte Françeskun të denoncojë disa herë kulturën e hedhurinës. Udhëtimi i Papës në Lampeduzë, i pari jashtë dioqezës, ipeshkëv i së cilës ishte, mbetet i pashlyeshëm në historinë e kësaj papnie. Sot, nëntë vjet pas atij 8 korriku të vitit 2013, reflektorët ndizen rishtas mbi Lampeduzën, ishull që vazhdon të ndihmojë dhe të mirëpresë me dhjetëra njerëz, ditë për ditë. Tokë kufitare, ndërmjet dy kontinenteve, e simbol i shekullit të 21-të.

Një gjemb në zemër

 “Migrantët vdiqën në det, u përmbysën nga varkat, të cilat u shndërruan nga rrugë shprese, në rrugë vdekjeje”. Ky, titulli që u duk menjëherë ndër të gjitha gazetat! Kur, pas disa javësh e mësova, përfytyrimi i këtij lajmi, i cili fatkeqësisht u përsërit shumë herë, m’u bë gjemb në zemër, që dhemb, dhemb shumë!”. Këto, fjalët e para të homelisë së Papës, në fushën sportive Arena, ku u kremtua Mesha Shenjte, që nisi me pyetjen dramatike: “Zoti e pyet secilin prej nesh: ‘Ku është gjaku i tënd vëlla, që kërkon gjyq?’”. Sot askush në botë nuk ndjehet përgjegjës për këtë! E kemi humbur ndjenjën e përgjegjësisë vëllazërore, kemi rënë në qëndrimin hipokrit të priftit dhe shërbëtorit të altarit, për të cilin Jezusi na flet në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë: e shikojmë vëllanë tonë gjysmë të vdekur në anë të rrugës e ndoshta mendojmë “i shkreti” dhe e vazhdojmë rrugën, sepse ‘s’është puna jonë’; na mjafton kjo për t’u ndjerë të qetë. Kultura e mirëqenies, e cila na shtyn të mendojmë për veten, na bën të pandjeshëm ndaj klithmave të të tjerëve, na bën të jetojmë si flluska sapuni, të cilat janë të bukura, por nuk vlejnë dy pare, sepse janë iluzioni i kotësisë, i së përkohshmes, që të bën indiferent ndaj të tjerëve, madje të çon në globalizimin e indiferencës. Në këtë botë të globalizimit ne kemi rënë tashmë në globalizimin e indiferencës. Jemi mësuar me vuajtjet e tjetrit, tjetri nuk na shqetëson, puna e tjetrit nuk është puna jonë!”.

Më pas, një kujtim nga vepra e Manzonit:

“Rikthehet figura e të Paemrit të Manzonit. Globalizimi i indiferencës na bën të gjithëve “të paemër”, përgjegjës pa emër e pa fytyrë”.

Impenjimi i përhershëm për çdo njeri

Kjo indiferencë, kjo mënyrë “e të jetuarit si flluskë sapuni” vërehet vazhdimisht nga Papa ndër vite. Në disa përvjetorë të 8 korrikut, Françesku u rikthye simbolikisht në këtë udhëtim, duke u bërë të gjithëve thirrjen për përgjegjësi të përbashkët. Tre vjet më parë, për shembull, në predikimin e Meshës kremtuar në përvjetorin e gjashtë të vizitës së tij në Lampeduza, Papa theksoi se emigrantët “janë simboli i të gjithë të braktisurve të shoqërisë së globalizuar” dhe kujtoi “të dhunuarit në kampet e paraburgimit”, që “sfidojnë dallgët e detit të pamëshirshëm”.

Këto janë vetëm disa nga të fundmit “të cilët Jezusi na kërkon t’i duam dhe t’i ngremë përsëri në këmbë”, gra dhe burra që ikin nga luftërat dhe varfëria:

“Jezusi u kërkon dishepujve të tij t’i vënë të vegjlit të parët në radhët e dashurisë hyjnore. Sot ka shumë varfëri; siç shkruante Shën Gjon Pali II, ‘të varfërit’, në përmasat e shumëfishta të varfërisë, janë të shtypurit, të  moshuarit, të sëmurët, të vegjlit, ata që konsiderohen dhe trajtohen si ‘të fundmit’ në shoqëri’”.

Ishte një shtegtim, që Papa e kujtoi vite më parë edhe në një intervistë me drejtorin tonë të redaksisë, Andrea Tornielli, në hyrjen e librit “Në udhëtim”, botimet “Piemme”:

“Udhëtimi i parë ishte ai në Lampeduzë. Udhëtim italian. Nuk ishte planifikuar - shkruan Françesku – e as me ftesë zyrtare. Po unë ndjeva se duhej të shkoja”.

Udhëtim me vlerë të madhe

Shtegtimi nëntë vjet më parë kishte vlerë të madhe! Që asokohe Papa nuk   i harroi kurrë tragjeditë në det, që vijojnë të përsëriten.

Fatkeqësisht, fjalët e Papës, shqiptuar me dhimbje të thellë nëntë vjet më parë, vijojnë të tingëllojnë tragjikisht aktuale! Edhe sot globalizimi i indiferencës i nxit mijëra njerëz të padukshëm, të paemër, të lundrojnë drejt Evropës. E rruga kryesore e Mesdheut vijon të mbetet më e rrezikshmja në botë!

08 korrik 2022, 11:29