Në shtator Françesku do të vizitojë Asizin dhe Materën
R. SH. - Vatikan
Dy ditë me radhë, në dy qytete italiane, ndërmjet angazhimit për një ekonomi gjithëpërfshirëse - dhe një ndalese shpirtërore meditative kushtuar Eukaristisë. Ndërmjet 24 dhe 25 shtatorit të ardhshëm, Papa Françesku do të jetë protagonist në Asizi dhe Matera për të përfunduar dy ngjarjet, takimin e ri “Ekonomia e Françeskut” dhe Kongresin Eukaristik Kombëtar.
Programi i Asizit
Më 24 shtator, me rastin e takimit të promovuar nga Papa, që i bashkon ekonomistët dhe sipërmarrësit e rinj për një vizion të ri të ekonomisë, Françesku do të kalojë disa orë në Asizi, ku do të mbërrijë rreth orës 9.30 dhe do të pritet nga tre të rinj, përfaqësues të gjithë pjesëmarrësve të shumtë të ditës, nga Kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, nga Imzot Domenico Sorrentino, Kryeipeshkëv i Assisi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino dhe ipeshkvi i Foligno-s, nga autoritetet civile, dhe, ndërmjet tjerësh, edhe nga ekonomisti Luigino Bruni dhe motra Alessandra Smerilli, ndër organizatorët kryesorë të “Ekonomisë së Françeskut” si dhe nga doktoresha Francesca Di Maolo. Menjëherë më pas, në Pala-Eventi të Asizit, takimi i Papës me të rinjtë, i shoqëruar nga një çast artistik-teatror dhe përvoja e rrëfyer nga tetë të rinj. Takimi do të mbyllet me fjalimin e Papës si dhe me leximin e nënshkrimin e Paktit ndërmjet Françeskut dhe të rinjve. Kthimi në Vatikan, në orët e mesditës.
Programi i Materës
Të nesërmen, më 25 shtator, Papa do të jetë në Matera, në qytetin Lukan të “gurëve”, ku do të mbërrijë me helikopter rreth orës 8.30 për të marrë pjesë në mbylljen e Kongresit të 27-të Eukaristik Kombëtar. Mirëseardhjen do t’ia urojnë kardinali Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë dhe autoritetet e tjera lokale, civile dhe fetare. Menjëherë pas kësaj, Papa do të takohet me refugjatët, në katedrale. Atyre dhe gjithë pjesëmarrësve do t’u drejtojë përshëndetjen e rastit.
Një tjetër kulm i ditës materane do të jetë kremtimi eukaristik, i kryesuar nga Ati i Shenjtë, i përfunduar me lutjen e Engjëllit të Tënzot. Së fundi, para se të kthehet në Vatikan, planifikuar për në orën 14:00, Françesku do të vizitojë mensën e Vëllazërisë, me emrin Don Giovanni Mele, të cilën Papa do ta përurojë dhe do ta bekojë.