Kërko

Lutje për Libinë. Lutje për Libinë. 

Libia, Françesku kërkon zgjidhje bindëse, dialog dhe pajtim

Françesku shqetësohet për popullsinë e Libisë, posaçërisht për të rinjtë, të cilët “vuajnë nga problemet e rënda shoqërore dhe ekonomike”. Papa i kujtoi sot, në përfundim të lutjes së Engjëllit.

R. SH. - Vatikan

“Dëshiroj të kujtoj në mënyrë të veçantë popullin e Libisë, sidomos të rinjtë dhe të gjithë ata, që vuajnë nga problemet serioze sociale dhe ekonomike të vendit. U bëj thirrje të gjithëve të kërkojnë sërish zgjidhje bindëse, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, përmes dialogut konstruktiv dhe pajtimit kombëtar”.

Pas Engjëllit të së Dielës, shqetësimi i Papës kthehet në Afrikën e Veriut, në Libi.

Keqësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve

Presidenti i parlamentit libik, Aqila Saleh, akuzoi qeverinë e unitetit kombëtar të kryeministrit Abdel Hamid Dbeibah për nxitje të opinionit publik kundër Dhomës së Deputetëve. Lajmi u duk në faqen e internetit Libya Update. Në një fjalim të mbajtur pardje në festën islame të Kurban Bajramit, Saleh kujtoi se “institucionet e brendshme, të mbështetura nga partitë e jashtme, po përpiqen të nxisin opinionin publik kundër Parlamentit, duke e konsideruar atë përgjegjës “për ngërçin politik dhe keqësimin e shërbimeve”. ofruar qytetarëve - njofton faqja.

Më 1 korrik, një grup demonstruesish sulmuan ndërtesën e parlamentit në qytetin lindor të Tobruk, ndërsa demonstrata të tjera përshkuan rrugët e të gjitha qyteteve kryesore të Libisë. Kërkesat e protestuesve përfshinin ndërhyrje për kufizimin e ndërprerjeve të energjisë elektrike, që zgjasin me ditë të tëra dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve, në keqësim të vazhdueshëm. Parullat e demonstratave akuzonin politikanët libikë për tradhti kundër vendit dhe përvetësim të burimeve publike.

Bashagha deklaron se do të hyjë në kryeqytet “ditët në vijim”

Kryeministri libik, Fathi Bashagha, i emëruar nga parlamenti, në kundërshtim me qeverinë e vendosur në Tripoli, ka thënë se do të hyjë në kryeqytet “ditët e ardhshme”. Bashagha deklaroi për agjencinë AFP, se “të gjitha rrugët për në Tripoli janë të hapura dhe se, në dashtë Zoti, do të jetë atje ditët e ardhshme”. Kryeministri ‘paralel’ foli nga selia e përkohshme e ekzekutivit të tij në Sirte, rreth 450 km në lindje të kryeqytetit.

10 korrik 2022, 14:04