Françesku në Kanada, shtegtim në udhën e shërimit
R.SH. – Vatikan
Do të jetë, tha Papa Françesku në Engjëllin e fundit të Tënzot, një “shtegtim pendestar”. Të njëjtat fjalë përdori edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, i cili paraqiti dje pasdite (20 korrik) për gazetarët programin e shtegtimit apostolik të Papës në Kanada, ku do të shkojë nga data 24 deri më 30 korrik. Gjatë konferencës për shtyp, ai nënvizoi këtë veçori të udhëtimit apostolik dhe shpjegoi etapat e shtegtimit të shumëpritur, pas pesë takimeve të Atit të Shenjtë në Vatikan me popullsitë indigjene Métis, Inuit, First Nations dhe Métis Manitoba.
Synimi i këtij udhëtimi të 37-të apostolik, me moton “Të ecim së bashku”, është të “kontribuojë në rrugën e shërimit dhe të pajtimit” me bashkësitë kanadeze autoktone, që, në të kaluarën, gjatë epokës koloniale, pësuan dëme të rënda nga politikat e asimilimit kulturor, në të cilat, fatkeqësisht, morën pjesë edhe shumë të krishterë e anëtarë të instituteve fetare. Para Françeskut, edhe Papa shenjt Gjon Pali II pati takuar indianët lëkurëkuq dhe inuitët, në shtator 1984. Ata patën ardhur në Romë më 22 qershor 1980 për lumnimin e Kateri Tekakwitha - shenjtëruar më 21 tetor 2012 nga Benedikti XVI - shenjtorja e parë autoktone nga Amerika e Veriut. Papa polak pati shkuar në Kanada edhe më 1987 e më 2002.
Udhëtimi i dytë apostolik i Françeskut, gjatë këtij viti
Ndërkaq, për Papën Françesku, ky është udhëtimi i dytë apostolik i këtij viti, pas vizitës në Maltë, më 2 dhe 3 prill. Shtegtimi në Kongo dhe në Sudanin e Jugut, planifikuar nga 2 deri më 7 korrik, u shty, për shkak të problemeve në gju. Ati i Shenjtë do të niset për në Kanada të dielën, në orën 9, nga aeroporti i Fiumicino-s dhe do të arrijë, pas më se 10 orësh fluturimi, në qytetin e Edmontonit, ku do të qëndrojë në Seminarin e Shën Jozefit.
Takimi i parë me popullsitë indigjene First Nations, Métis e Inuit
Papa do të mbajë katër fjalime në spanjisht, katër homeli dhe një përshëndetje për delegacionin e indigjenëve të Québec-ut. Një ditë pas mbërritjes, do të takojë popullsitë autoktone First Nations (Kombet e Para), Métis dhe Inuit, të cilëve, më 1 prill, në Vatikan, u shprehu dhimbjen dhe solidaritetin për tragjedinë e çrrënjosjes së njerëzve dhe të familjeve nga trojet dhe kulturat e tyre, ndërmjet viteve 800 dhe 900. Gjithashtu, pranoi se duhen njohur e u duhet siguruar drejtësi viktimave të të ashtuquajturave “shkolla rezidenciale” të ngritura nga qeveria, që iu besuan Kishave të krishtera, përfshirë atë katolike. “Ndihem i turpëruar; - deklaroi Papa në audiencën me tre delegacionet - ndiej dhimbje dhe turp për rolin, që kanë pasur katolikë të ndryshëm, veçanërisht ata me përgjegjësi edukative, në gjithçka ju ka lënduar, në abuzimet dhe në mosrespektimin e identitetit, kulturës e madje, edhe të vlerave tuaja shpirtërore. E gjithë kjo është në kundërshtim me Ungjillin e Jezu Krishtit”. Me atë rast, Papa u bashkua me kërkesën për falje të ipeshkvijve kanadezë, duke nënvizuar se “feja nuk mund të transmetohet në një mënyrë, që është e huaj për vetë fenë”, pasi kështu, nuk e dëshmojmë Krishtin, i cili “na mëson të mirëpresim, të duam, të shërbejmë dhe të mos gjykojmë”.
Dita e Shën Anës, figurë e dashur për kanadezët
Më 26 korrik, përkujtimi liturgjik i shën Joakimit dhe i Shën Anës, gjyshërve të Jezusit, Papa Françesku do të marrë pjesë në shtegtimit tradicional të pasdites kushtuar Shën Anës, që organizohet prej shekujsh në liqenin me të njëjtin emër, rreth 72 kilometra larg Edmontonit. Nëna e Zojës së Bekuar është figurë, me të cilën kanadezët janë shumë të lidhur. Ajo nderohet nga shumë bashkësi indigjene, prandaj ai në Lac Ste Anne - shpallur Vend Historik Kombëtar nga qeveria kanadeze më 2004 - është një nga takimet më të rëndësishme shpirtërore për besimtarët e Amerikës së Veriut, veçanërisht për popullsitë e Kombeve të Para (First Nations).
Takimet e tjera të Papës
Ati i Shenjtë do të ketë takime edhe me autoritetet civile. Për këtë arsye, Françesku do të zhvendoset në Québec më 27 korrik, ndërsa më 28 korrik do të kremtojë Lutjet Mbrëmësore bashkë me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe punonjësit e baritorisë kishtare në Shenjtëroren Kombëtare të Shën Anës së Beaupré, ku do të lërë si dhuratë një rruzare të artë. Matteo Bruni kujtoi se në Kanada, edhe bashkësia katolike, indigjene a jo, përballet me një botë të laicizuar, duke kërkuar udhë të reja për kumtimin e Ungjillit. Papa do t’i drejtohet edhe asaj, në mënyra të ndryshme. Pa harruar skenarin ndërkombëtar të këtyre ditëve dhe luftën në Ukrainë. Më 29 korrik, Bergoglio do të takohet privatisht me jezuitët e, më pas, e presin tre takime të tjera me njerëzit e Quebéc-ut. I fundit, para se të niset për në Romë, do të jetë ai me të rinjtë dhe të moshuarit.