Kërko

Kardinali Hummes e Papa Françesku Kardinali Hummes e Papa Françesku 

Dhimbja e Papës për vdekjen e “vëllait të dashur”, kardinalit Hummes

Në një telegram, Françesku shpreh ngushëllimet e tij për vdekjen e kardinalit brazilian, të cilin e deshi pranë në mbrëmjen e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Papa kujton vitet e gjata të “shërbimit të përkushtuar dhe të zellshëm, udhëhequr gjithmonë nga vlerat ungjillore”, si në Brazil ashtu edhe në Kurien Romake, si edhe impenjimin e tij për Kishën në Amazonë

R.SH. – Vatikan

 “Gjithmonë i mbaj të ngulitura në kujtesë fjalët, që më tha Dom Claudio më 13 mars 2013, duke më kërkuar të mos i harroj të varfërit”. Kështu pohon Papa Françesku, në telegramin e ngushëllimit, që i dërgon kardinalit Odilo Pedro Scherer, kryeipeshkëv i Sao Paulos në Brazil, për vdekjen e kardinalit Claudio Hummes o.f.m., i cili ndërroi jetë të hënën, më 4 korrik, pas një sëmundjeje të gjatë.

Në telegramin e Papës, kujtimi i shërbimit të përkushtuar dhe të zellshëm

Papa siguron lutjet e tij për prehjen e amshuar të “këtij vëllai të dashur”. I shpreh mirënjohjen Zotit për vitet e gjata të shërbimit “të përkushtuar dhe të zellshëm” të kardinalit, “udhëhequr gjithmonë nga vlerat ungjillore”, si edhe nga besnikëria “ndaj Kishës së Shenjtë Nënë në detyrat e ndryshme baritore, që i janë besuar si në Brazil, ashtu edhe në Kurien Romake, përfshirë impenjimin e viteve të fundit për Kishën në Amazonë”. Ishte pikërisht ai, “vëllai” që Bergoglio deshi pranë në udhën nga Kapela Sikstine në Lozhën e Bekimeve, në mbrëmjen e zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, më 13 marsin e nëntë viteve më parë.

Kardinajtë Scherer dhe Tempesta: njeri i jashtëzakonshëm, profet i vëllazërimit

Kardinali Odilo Pedro Scherer, kryeipeshkëv i Sao Paulos, i pikëlluar nga humbja e këtij njeriu “të jashtëzakonshëm”, deklaron se Hummes vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, duruar me besim në Zotin. Ai kujton shërbimin e tij në Kishë, veçanërisht në favor të popujve indigjenë, për të cilët u bë zëdhënës në Sinodin për Rajonin Panamazonik, në vitin 2019. Edhe kryeipeshkvi i Rio de Zhaneiros, kardinali Orani João Tempesta, vajton për vdekjen e kardinalit Hummes, duke nënvizuar se ai e respektoi deri në fund moton “Omnes vos fratres”, zgjedhur për stemën ipeshkvnore. Kjo moto, kujton ai, frymëzoi enciklikën e fundit të Atit të Shenjtë. Një tjetër shenjë e qartë e atij uniteti synimesh, që e lidhi me Papën Françesku.

05 korrik 2022, 16:06