Kërko

Takimi i Papës me anëtarët e Sinodit të Ipeshkvijve të Kishës Patriarkale të Antiokisë së Greko-Melkitëve Takimi i Papës me anëtarët e Sinodit të Ipeshkvijve të Kishës Patriarkale të Antiokisë së Greko-Melkitëve 

Papa: të mos e harrojmë dramën e Sirisë dhe të krishterët e Lindjes së Mesme

Në fjalën për Sinodin e Kishës greko-melkite, Papa Françesku kujtoi Sirinë e dashur dhe të torturuar, “mijëra të vdekurit e të plagosurit” dhe “miliona refugjatët brenda dhe jashtë vendit”, duke shprehur shqetësimin për besimtarët në Lindjen e Mesme. E, bëri thirrjen: të arrihet një zgjidhje e drejtë për tragjedinë e këtij vendi

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku flet sërish për luftën në Siri. Rasti i jepet nga takimi i sotëm me anëtarët e Sinodit të Ipeshkvijve të Kishës Patriarkale të Antiokisë së Greko-Melkitëve, e cila po mban në Romë mbledhjen e saj vjetore. Ati i Shenjtë nuk harroi edhe të krishterët e tjerë të Lindjes së Mesme, i shqetësuar, ashtu si prelatët greko-melkitë, për mbijetesën e tyre.

Mendimi për Sirinë e dashur e të martirizuar

Papa kujtoi mbrëmjen e lutjes për paqen, në tremen e Bazilikës së Vatikanit, më 7 shtator 2013, në vitin e fillimit të papnisë së tij, gjatë së cilës pati përdorur për herë të parë shprehjen “Siria e dashur dhe e martirizuar”. Përmendi “mijëra të vdekurit dhe të plagosurit”, “miliona refugjatët brenda dhe jashtë vendit”, duke vënë në dukje edhe “pamundësinë për fillimin e rindërtimit të nevojshëm”. Ati i Shenjtë tregoi se i patën bërë shumë përshtypje historitë e të rinjve sirianë, ardhur në Itali. Ata, nënvizoi ai, mbartin dramën e problemeve të jetuara e kanë një “vështrim, pothuaj pa shpresë, të paaftë të ëndërrojë të ardhmen” për tokën e tyre.

“Nuk mund të lejojmë që të zhduket edhe shkëndija e fundit e shpresës nga sytë dhe nga zemrat e të rinjve e të familjeve! Prandaj, u bëj sërish thirrje të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi, si brenda vendit, ashtu edhe në Bashkësinë ndërkombëtare, të arrihet një zgjidhje e barabartë dhe e drejtë për tragjedinë e Sirisë”.

Stili sinodal i Kishës

Duke iu drejtuar ipeshkvijve, Françesku i ftoi për një dëshmi “heroike, bujare, por gjithnjë, me nevojën për t’u shndritur nga Zoti, që të pastrohet e të ripërtërihet”. I nxiti prelatët të ndjekin një “stil sinodal”, të jenë në bashkim lutjeje e synimesh ndërmjet tyre dhe me Patriarkun, si edhe me meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe besimtarët laikë. Papa përmendi rolin e eparkive greko-melkite nëpër botë, të rëndësishme për ruajtjen e traditave, megjithëse jo pa vështirësi e pengesa. Françesku i këshilloi ipeshkvijtë të dallojnë shenjat e kohrave, për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit sot.

Këshillat për Sinodin e Ipeshkvijve

Përsa i përket Sinodit, Ati i Shenjtë u kërkoi reflektim me urti për zgjedhjen e ipeshkvijve, duke iu lutur Shpirtit Shenjt t’i shndrisë e duke përgatitur mirë materialet për çdo kandidat, pa partizanëri.

“Ju bëj thirrje - e ju falënderoj për impenjimin tuaj për këtë - që ta bëni të shkëlqejë fytyrën e Kishës, të cilën Krishti e fitoi me Gjakun e vet, duke mbajtur larg përçarjet dhe mërmëritjet, të cilat nuk bëjnë tjetër, veçse shkandullojnë të vegjlit dhe e shpërndajnë grigjën, që ju është besuar”.

Së fundi, Françesku u jep ipeshkvijve greko-melkitë një këshillë fort të dashur për të: të kenë kujdes nga “thashethemet”, duke korrigjuar njëri-tjetrin vëllazërisht, duke i thënë gjërat në sy, pa përfolur për tjetrin - krimb ky, që shkatërron Kishën - dhe duke u përpjekur të ruajnë bashkimin.

20 qershor 2022, 12:51