Kërko

Logoja e Sinodit 2021 - 2023 Logoja e Sinodit 2021 - 2023

Papa: Sinodi na thёrret si Kishë tё shkojmё tё takojmё botёn

Papa: #Sinodi që po kremtojmë na thërret të bëhemi një Kishë që ngrihet dhe shkon për të takuar botën. Një Kishë në të cilën të gjithë mund të ndihen të mirëpritur, në të cilën kultivohet arti i të dëgjuarit, i dialogut, i pjesëmarrjes, nën autoritetin e Shpirtit Shenjt Zot

R.SH. - Vatikan

“#Sinodi që po kremtojmë na thërret të bëhemi një Kishë që ngrihet dhe shkon për të takuar botën. Një Kishë në të cilën të gjithë mund të ndihen të mirëpritur, në të cilën kultivohet arti i të dëgjuarit, i dialogut, i pjesëmarrjes, nën autoritetin e Shpirtit Shenjt Zot”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 30 qershor 2022.

Sinodi 2021-2023 ka si temë “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”. Sinodi kishtar i nisur më 2021 është ngjarja më e rëndësishme kishtare pas Koncilit II të Vatikanit.  Siç përcaktohet nga dokumenti “Episcopalis communio”, i menduar nga Papa Françesku pikërisht për rinovimin e Institutit të Sinodit të Ipeshkvijve, themeluar nga Papa shenjt Pali VI pas Koncilit II të Vatikanit, ky Sinod zhvillohet në një formë sigurisht të re, e cila përfshin tre faza kryesore.

Kemi etapën e përfshirjes së gjithë Popullit të Zotit, që zhvillohet në Kishat lokale a vendore kudo në botë. Pastaj, kremtimin e Sinodit të Ipeshkvijve në Vatikan, ku mblidhen të gjitha kërkesat e propozimet, që dalin nga dëgjimi i Popullit të Zotit. E, më pas, etapën e kthimit në Kishat vendase, me pranimin dhe interpretimin krijues të rezultateve të arritura. Duhet të kemi parasysh se jo vetëm kemi të bëjmë me risi për këtë dinamikë procesi në rrugëtim, por është hera e parë në dy mijë vitet e historisë së Kishës që përfshihet i gjithë Populli i Zotit në një ngjarje të këtij lloji.

 “Sinod” do të thotë “ecje së bashku”. E vërtetë, barinj shpirtëror e besimtarët laikë nga çdo anë e botës, nëpërmjet Kishave vendore dioqezane, gjatё rrugëtimit tё ri Sinodal tё Kishёs, përuruar solemnisht dje nga Papa nё Bazilikёn e Shёn Pjetrit, pritet të sjellin në Romë zërin e Kishave të veçanta nga mbarë bota, për tё ndihmuar ecjen udhës së Ungjillit e tё vëllazërimit, me vështrimin përherë të përqendruar në Jezu Krishtin.

“Sinodi– thotë Papa Bergoglio – ka qenë dhe ёshtё një eksperiencë e madhe, gjatë së cilës përjetohet Sinodaliteti e Kolegjialiteti, e na ofron njё rast tё volitshëm pёr ta ndier  akoma mё shumё forcën e Shpirtit Shenjt Zot që e udhëheq dhe përtërinë përherë Kishën, e cila është ftuar, pa hezitim, të marrë përsipër kujdesin për tё dёgjuar, pёr t’i kuruar plagët e njerëzimit e për të ndezur sërish shpresën për shumë njerëz të pashpresë”.

Në saje të forcës së Zotit, e krishteri shikon realitetin e sotëm e të ardhshëm, në dritën e Zotit, e orvatet me guxim t’iu përgjigjur sfidave të reja të panumërta. Sigurisht, siç pohoi Papa Françesku “fara që është mbjell, gjatë këtij  Sinodi, do të kultivohet mё tej nga Kisha, me durim e dashuri”. Kisha i mban dyert e hapura, pa përjashtuar askënd.

30 qershor 2022, 13:10