Kërko

Motër Luisa dell'Orto Motër Luisa dell'Orto 

Papa, për murgeshën e vrarë në Haiti: e bëri jetën dhuratë deri në martirizim

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku shprehu dhimbjen për vrasjen në Port-au-Prince, të murgeshës italiane Luisa Dell’Orto, rregulltare e Motrave të vogla të Ungjillit. 65 vjeç, me origjinë nga Lomagna, në Brianza, shërbente në Haiti që prej 20 vitesh. Ndoshta, deshën ta vidhnin, në këtë vend, tashmë, peng i bandave të armatosura dhe i pasigurisë së plotë

R.SH. – Vatikan

“Do të më thoni se jam pak e çmendur. Pse rri këtu? Pse të kaloj rreziqe? Ç’kuptim ka të jetosh me një ankth të tillë? A s’do të ishte më mirë që njerëzit t’i zgjidhnin vetë problemet e tyre? ‘Nuk mund të heshtim për ç’kemi parë e ç’kemi dëgjuar’. Mbështetja e dikujt ka rëndësi për jetën! Duhet të dëshmojmë se njerëzit mund të mbështeten në solidaritetin, që vjen nga feja e dashuria për Zotin dhe se dashuria për Zotin është dhurata më e madhe, që mund të japim”.

Përmblidhet në këto fjalë i gjithë misioni, të cilit ia kishte kushtuar jetën murgesha italiane Luisa Dell’Orto, rregulltare e Motrave të vogla të Ungjillit, e cila u vra dje (25 qershor) në Port-au-Prince të Haitit, gjatë një përpjekjeje për vjedhje me armë. Natyrisht, nuk kishin ç’ti gjenin murgeshës 65-vjeçare, por dora e vrasësit nuk u ndal para asaj, që s’kishte bërë tjetër gjatë gjithë jetës, përveçse t'u shërbente fëmijëve të rrugës në Haiti, por, në të kaluarën, edhe në Kamerun e në Madagaskar. Lajmin e dhe kryedioqeza e Milanos e sot, e përmendi edhe Papa Françesku në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke ia besuar Zotit shpirtin e saj, duke u lutur për fëmijët e Haitit e duke shprehur afërsinë e tij me familjarët dhe me simotrat e murgeshës italiane. “Jetën e saj e bëri dhuratë për të tjerët, deri në maririzim”, vuri në dukje Ati i Shenjtë.

“Dëshiroj t’u shpreh afërsi familjarëve dhe simotrave të murgeshës Luisa Dell’Orto, Motër e Vogël e Ungjillit të Charles de Foucauld, vrarë dje në Port-au-Prince, kryeqyteti i Haitit. Për njëzet vjet motër Luisa jetoi atje e iu kushtua sidomos shërbimit për fëmijët e rrugës. Shpirtin e saj ia besoj Zotit dhe lutem për popullin haitian, veçanërisht për të vegjlit, që të kenë një të ardhme më të qetë, pa mjerim dhe pa dhunë. Motër Luiza e bëri jetën e saj dhuratë për të tjerët deri në martirizim”.

Zoti e do Haitin

Në vitin 2013, tre vite pas tërmetit shkatërrimtar në Haiti, që shkaktoi 230 mijë viktima, 300 mijë të plagosur, një milion të pastrehë, Radio Vatikani e pati kontaktuar e ajo u bë zëri i shumë fëmijëve, për të cilët kujdesej në Kay Chal, “Shtëpia Karli”, një strukturë e rinovuar falë fondeve të Karitasit Italian, ku të rinjtë studionin, por bënin edhe shumë veprimtari të tjera. "Ne përpiqemi - tha atëherë motra e vogël e Ungjillit - të ndihmojmë për të nxjerrë në pah vlerat, për ndjenjën e dinjitetit, që njeriu të mos ndihet i mallkuar, sepse me Lajmin e Mirë, me Ungjillin, Zoti e do popullin haitian”.

Në gjurmët e Charles de Foucald

Duhet të qëndrojmë, thoshte gjithmonë, në çdo intervistë, në çdo shkrim “sepse – nënvizonte motër Luisa Dell’Orto, sipas mësimeve të Charles de Foucald, frymëzuesi i kongregatës së saj, që do të shpallet shenjt së shpejti – nëse ndokush në familje është i sëmurë, nuk lihet vetëm, është pikërisht çasti për t’u ndenjur pranë njerëzve. Ky popull është familja jonë e madhe, familja edhe e bijve të Zotit dhe në këtë familje ndahen gëzimet dhe vuajtjet”.

26 qershor 2022, 12:39