Kërko

Audienca e Papës me neokatekumenalët Audienca e Papës me neokatekumenalët 

Papa, neokatekumenalëve: sillni në botë Ungjillin, gjithnjë “me” e “në” Kishë

Françesku pret anëtarët e Ecjes Neokatekumenale në Sallën Pali VI: 430 familje dërgohen me mision në zonat më të varfra dhe më të laicizuara të botës: “Faleminderit për bujarinë tuaj. Ecni së bashku me ipeshkvin, ai është kreu i Kishës lokale”

R.SH. – Vatikan

“Shkoni përpara me fuqinë e Shpirtit Shenjt, duke mbajtur Ungjillin në zemër e në dorë. Ungjillin e Jezu Krishtit - jo timin – që u përshtatet kulturave të ndryshme, por mbetet po ai”. Këngët për Zojën e të qarat e të porsalindurve në krahët e prindërve u alternuan gjatë audiencës së sotme të Papës Françesku me anëtarët e Ecjes Neokatekumenale, në Sallën Pali VI. Ati i Shenjtë nisi me mision rreth 430 familje në “zonat më të laicizuara dhe më të varfra” të Evropës dhe botës, “për të shpallur dashurinë e Krishtit të Ringjallur”, siç pohoi iniciatori i Lëvizjes, Kiko Argüello. “Largohen nga shtëpia, familjet, miqtë dhe nisen për të ungjillëzuar”.

Iniciatori i Lëvizjes Neokatekumenale, Kiko Argüello
Iniciatori i Lëvizjes Neokatekumenale, Kiko Argüello

Familjet në mision, edhe në Ukrainë

Papa, që hyri i mbështetur në shkop, pak pas mesditës, u ndal për të përshëndetur familjet e shumta, ardhur nga të gjitha anët e botës. Ato morën pjesë edhe në Takimin X Botëror të Familjeve, që sapo përfundoi, duke dëshmuar fenë dhe impenjimin e Lëvizjes, e cila e ka zanafillën në vitet ’60, ndërmjet të varfërve të Madridit, nga ku është përhapur në 110 vende të globit. Kiko Argüello e njoftoi Atin e Shenjtë se dioqeza e Madridit do të hapë zyrtarisht çështjen e lumnimit për iniciatoren tjetër të Ecjes Neokatekumenale, Carmen Hernández, e cila u nda nga jeta në korrik 2016. Më pas, u paraqitën disa nga familjet e misionit, ndër të cilat edhe ato që do të shkojnë sërish në Ukrainë, pasi u detyruan ta linin vendin me fillimin e luftës. Tani, dëshirojnë të kthehen, pavarësisht nga konflikti, për të ndihmuar vëllezërit e motrat, që kanë nevojë për to.

Audienca e Papës
Audienca e Papës

Shkoni, predikoni, pagëzoni

Papa Françesku foli pa letër, duke i nxitur bashkësitë neokatekumenale të dëshmojnë Krishtin e të predikojnë Ungjillin me forcën, u tha, “që vjen nga Shpirti Shenjt. Shkoni, predikoni, pagëzoni. Por e dimë se, pasi pagëzojmë, bashkësia që lind është e lirë, është një Kishë e re, që duhet ta lëmë të rritet, ta ndihmojmë të rritet, me mënyrën e vet, me kulturën e vet. Kjo është historia e ungjillëzimit”, vërejti Françesku, i cili i këshilloi neokatekumenalët të ungjillëzojnë sipas kulturës së popullit: “shumë kultura, por i njëjti Ungjill, shumë popuj, por i njëjti Jezu Krisht”.

Në shërbim me butësi e bindje

Duke i falënderuar, Ati i Shenjtë kërkoi të jenë të butë e të përvujtë, t’i binden Krishtit e Kishës së tij, pa menduar jashtë rangjeve të saj. “Predikoni Krishtin me forcën e Shpirtit Shenjt – u tha Papa – ‘në’ Kishë e ‘me’ Kishën”, duke ecur përpara me ipeshkvin, që është kreu i saj. “Mos e harroni vështrimin e Jezu Krishtit, që e ka nisur secilin prej jush të predikojë e t’i bindet Kishës”.

Audienca e Papës
Audienca e Papës

Përshëndetja e Papës për një “popull në festë”

Në fund të audiencës, të gjitha familjet, që prisnin bekimin e Papës përpara nisjes, u gjunjëzuan dhe lartuan kryqin, simbolin e misionit. “O Zot, bekoji këta kryqe dhe bëj që ata, të cilët do t’i çojnë para njerëzve të impenjohen për t’u përtërirë në shembëllim me Birin tënd”, u lut Papa. Me radhë, Ati i Shenjtë përshëndeti disa familje, duke u ndalur për të bërë shaka me fëmijët. Më pas, përshëndeti edukatorët dhe seminaristët e Seminarit Redemptoris Mater në Makao, të cilët i pati takuar në shtator 2019, duke i inkurajuar për misionin e tyre të rëndësishëm në Azi. Ndërsa dëgjoheshin brohoritjet “Rroftë Papa”, Françesku u largua, në mesin e duartrokitjeve dhe të tingujve të instrumenteve të ndryshme. Ati i Shenjtë u kthye dy herë për ta përshëndetur këtë popull në festë.

27 qershor 2022, 15:39