Kërko

Protesta në Ekuador Protesta në Ekuador 

Papa: Lutuni për paqen shoqërore në Ekuador dhe për popullin ukrainas

Në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit, Papa kujtoi Ekuadorin dhe Ukrainën. I pari, i tronditur rëndë nga tensionet shoqërore, që nxitën trazirat dhe dhunën; e dyta, vendi ku bie breshëri bombash e bredh lirisht vdekja.

R. SH. - Vatikan

Zemra e Papës rreh gjithnjë me ritmin e vuajtjeve të botës. E këto ditë – siç pohoi në fund të lutjes mariane të Engjëllit - për çka po ndodh në Ekuador:

“Jam pranë atij populli dhe inkurajoj të gjitha palët t’i braktisin dhunën dhe qëndrimet ekstreme. Vetëm me dialog mund të gjendet, shpresoj së shpejti, paqja sociale, me vëmendje të veçantë ndaj popullatave të harruara dhe më të varfërve, por gjithmonë duke respektuar të drejtat e të gjithëve si dhe të  institucioneve të vendit”.

Shenja dialogu

Në Ekuador u shfuqizua gjendja e jashtëzakonshme, dekretuar më 18 qershor në provincat Imbabura, Pichincha, Cotopaxi, Tungurahua, Chimborazo dhe Pastaza. Vendimi u mor pas protestave të lëvizjes autoktone për shkak të situatës së rëndë sociale, që shkaktoi dhunë me pasoja pesë të vdekur, mbi 200 të plagosur edhe bllokime të shumta rrugore. Lëvizja paraqiti një listë prej dhjetë pikash për të kërkuar uljen e çmimit të karburanteve dhe të prodhimeve të domosdoshme për nevojat e jetesës. Kërkohej gjithashtu edhe që ndërmarrjet shtetërore të mos privatizohen e që aktivitetet e naftës dhe të minierave në Amazonë të mos zgjerohen. Ndërkohë, në përfundim të një seance virtuale, presidenti i Parlamentit të Ekuadorit, Virgilio Saquicela, urdhëroi pezullimin e debatit në lidhje me një peticion për shkarkimin e presidentit Guillermo Lasso, paraqitur nga partia opozitare Unes. Në disa raste edhe kisha ekuadoriane ndërhyu për të kërkuar dhe për të inkurajuar ballafaqimin paqësor ndërmjet qeverisë dhe grupeve protestuese.

Populli ukrainas, i lodhur nga lufta

Së fundi, Papa nuk harroi atë që po ndodh në vendin e Evropës Lindore. Ia kujtuan edhe flamujtë e Ukrainës, që valaviteshin në Sheshin e Shën Pjetrit. I kujtuan një vend, ku bombardimet vazhdojnë duke shkaktuar vdekje, shkatërrim dhe vuajtje për popullatën. E Papa nuk mund  të mos përsërisë thirrjen:

“Ju lutemi, mos e harroni këtë popull të shkatërruar nga lufta. Të mos e harrojmë me zemër e me lutjet tona”.

Situata në terren është gjithmonë e vështirë. Të paktën 14 raketa u lëshuan në agim në Kiev, me shënjestër disa ndërtesa banimi. Një burrë vdiq nga shpërthimi i një mine në Lysychansk, në Ukrainën lindore, ndërsa rusët përqendruan forcat dhe automjetet e tyre në qytet pas rënies së Severdonetsk. Ndërkohë, në G7 në Elmau, Bavari, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, siguroi furnizime të reja me armë për Kievin, më pas kujtoi se masat ndëshkimore kundër Rusisë duhet të peshojnë rëndë mbi Moskën, por duhet t’i kushtohet vëmendje edhe pasojave ekonomike në BE.  Michel uron të mund të arrihet marrëveshja për  krijimin e kushteve që gruri ukrainas të largohet nga portet e Detit të Zi.

26 qershor 2022, 14:17