Kërko

Papa me drejtorët e revistave të jezuitëve Papa me drejtorët e revistave të jezuitëve 

Papa: lufta nuk mund të reduktohet në dallimin ndërmjet të mirëve e të këqinjve

Publikojmë një pjesë të bisedës së gjatë të Papës Françesku me revistat e jezuitëve, që paqyrohet sot në revistën italiane të tyre “La Civiltà Cattolica”

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku bën një bisedë të gjatë me 10 drejtorët e revistave të jezuitëve, sidomos për luftën në Ukrainë, por edhe për rinovimin shpirtëror të Kishës, për procesin sinodal e për të rinjtë e marrëdhëniet e tyre me krishtërimin. Po paraqesim pikërisht mendimin e Atit të Shenjtë për luftën në Ukrainë, sidomos këshillat e tij për komunikimin e gjendjes nga ana e gazetarëve, në këtë rast, jezuitë. Si mund të kontribuojmë për një të ardhme në paqe, e pyesin drejtorët e revistave të Shoqërisë së Jezusit, e cila është e pranishme edhe në Ukrainë.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje – fillon Papa Françesku - duhet të largohemi nga modeli normal i “Kësulëkuqes”: Kësulëkuqja ishte e mirë dhe ujku ishte i keq. Këtu nuk ka të mira dhe të këqija metafizike, abstrakte. Vërejmë diçka globale, me elementë tejet të ndërthurur. Dy muaj para se të fillonte lufta, takova një kryetar shteti, një njeri të urtë që flet pak, vërtet shumë i mençur. Pasi foli për gjërat që donte, më tha se ishte shumë i shqetësuar për mënyrën si po lëvizte NATO-ja. E pyeta pse dhe ai u përgjigj: “Po lehin në portat e Rusisë. E nuk e kuptojnë se rusët janë perandorakë dhe nuk lejojnë asnjë fuqi të huaj t’u afrohet”. Pastaj, përfundoi: “Situata mund të çojë në luftë”. Ky ishte mendimi i tij. Lufta filloi më 24 shkurt. Ai kryetar shteti diti t’i interpretojë shenjat e ngjarjeve, që po ndodhnin.

Ajo që po shohim është brutaliteti dhe egërsia me të cilën kryhet kjo luftë nga trupat, përgjithësisht mercenare, të përdorura nga rusët. Dhe rusët, në fakt, preferojnë të dërgojnë çeçenë, sirianë, mercenarë. Por e keqja është se ne shohim vetëm këtë, që është e përbindshme, dhe nuk e shohim gjithë dramën që po luhet pas kësaj lufte, e cila, ndoshta, në një farë mënyre, ose u provokua, ose nuk u parandalua. E vërej edhe interes për testimin dhe shitjen e armëve. Është shumë e trishtueshme, por në thelb, kjo është në lojë.

Dikush mund të më thotë: qenkeni në favor të Putinit! Jo, nuk jam. Do të ishte thjeshtëzim e gabim të thuhej një gjë e tillë. Unë jam thjesht kundër reduktimit të një gjendjeje tejet të ndërlikuar në dallimin ndërmjet së mirës dhe së keqes, pa menduar për rrënjët dhe interesat, të cilat janë shumë komplekse. Ndërsa shohim egërsinë, mizorinë e trupave ruse, nuk duhet t’i harrojmë problemet, në përpjekjen për t’i zgjidhur.

Është e vërtetë edhe se rusët mendonin se gjithçka do të përfundonte brenda një jave. Por i bënë gabim llogaritë. Gjetën një popull trim, një popull që lufton për të mbijetuar dhe që ka një histori plot beteja.

Më duhet të shtoj se ne i shohim kështu ngjarjet në Ukrainë, pasi ajo është më afër nesh dhe na prek më shumë në ndjeshmërinë tonë. Por ka vende të tjera të largëta - le të mendojmë për disa zona të Afrikës, në veri të Nigerisë, në veri të Kongos - ku lufta vazhdon dhe askush nuk pyet për të. Mendoni për Ruandën e 25 viteve më parë. Të mendojmë për Mianmarin dhe Rohingya-t. Bota është në luftë. Pak vite më parë, më erdhi ndërmend të them se po përjetojmë Luftën III Botërore copë-copë. Ja pra, sipas meje, sot, Lufta e tretë Botërore është deklaruar haptas. Ky është një aspekt, që duhet të na bëjë të reflektojmë. Çfarë po ndodh me njerëzimin, që ka pasur tri luftëra botërore në një shekull? Unë e jetoj Luftën e parë sipas kujtimeve të gjyshit tim në Piave. Pastaj e dyta dhe tani e treta. Kjo është keq për njerëzimin, fatkeqësi. Duhet mbajtur mend se në një shekull, kanë ndjekur njëra-tjetrën tri luftëra botërore, me gjithë tregtinë e armëve, që tërheqin pas!

Katër vjet më parë, vetëm katër vjet më parë, u përkujtua 60-vjetori i zbarkimit në Normandi. E shumë krerë shtetesh dhe qeverish festuan fitoren. Askush nuk u kujtua për dhjetëra mijëra të rinj, që vdiqën në bregdet, në atë rast. Kur shkova në Redipuglia, më 2014, për njëqindvjetorin e Luftës Botërore – po ju them diçka personale - qava kur pashë moshën e ushtarëve të rënë. Kur disa vite më vonë, më 2 nëntor - çdo 2 nëntor vizitoj një varrezë - shkova në Anzio, edhe atje qava kur pashë moshën e këtyre ushtarëve të rënë. Vitin e kaluar shkova në varrezat franceze, dhe varret e të rinjve - të krishterë a myslimanë, sepse francezët dërguan për të luftuar edhe njerëz nga Afrika e Veriut - ishin të të rinjve 20, 22, 24 vjeç. Kur shkova në Sllovaki, u mahnita nga numri i grave, të reja e të moshuara. Por, mungonin burrat e moshuar. Gjyshet kishin mbetur vetëm. Lufta ua kishte marrë burrat.

Pse po ju them këto gjëra? Sepse dua që revistat tuaja të trajtojnë anën njerëzore të luftës. Do të doja që revistat tuaja t’i bëjnë lexuesit të kuptojnë dramën njerëzore të luftës. Duhet edhe llogaritja gjeopolitike, studimi i thellë i gjërave. Duhet ta bëni, sepse e keni për detyrë. Por, përpiquni të transmetoni edhe dramën njerëzore të luftës. Dramën njerëzore të atyre varrezave, dramën njerëzore të plazheve të Normandisë apo të Anzio-s, dramën njerëzore të një gruaje, në derën e së cilës troket postieri për t’i dorëzuar një letër ku e falenderojnë se i ka dhënë një djalë atdheut, që është hero i atdheut... E kështu, mbetet vetëm. Reflektimi për këtë do ta ndihmonte shumë njerëzimin dhe Kishën. Bëjini reflektimet tuaja socio-politike, pa lënë pas dore reflektimin njerëzor për luftën.

T’i kthehemi Ukrainës. Të gjithë ua hapin zemrën refugjatëve, të mërguarve ukrainas, të cilët, zakonisht, janë gra dhe fëmijë. Burrat mbeten për të luftuar. Në audiencën e përgjithshme të javës së kaluar [në kohën e intervistës, sh.r.], dy gra ushtarësh ukrainas, që ndodheshin në uzinën e çelikut Azovstal, erdhën të më kërkonin që të ndërmjetësoja për shpëtimin e tyre. Të gjithë jemi shumë të ndjeshëm ndaj këtyre situatave dramatike. Janë gra me fëmijë, burrat e të cilave po luftojnë atje. Gra të reja dhe të bukura. Por pyes: çfarë do të ndodhë kur të kalojë entuziazmi për t’i ndihmuar? Sepse gjërat po ftohen e kush do të kujdeset për këto gra? Duhet të shohim përtej veprimit konkret të çastit, të shohim si mund t’i mbështesim që të mos bien pre e trafikimeve, të mos përdoren, sepse ujqërit po u vinë rrotull.

Ukraina është eksperte e vuajtjeve nga skllavëria e lufta. Është vend i pasur, i cili është bërë copë me vullnetin e atyre, që donin ta zotëronin për ta shfrytëzuar. Duket sikur historia e ka predispozuar Ukrainën për të qenë një vend heroik. Ky heroizëm na prek zemrat. Një heroizëm, që kombinohet me butësi! Në fakt, kur erdhën ushtarët e parë të rinj rusë - pastaj dërguan mercenarë - nisur për të kryer një “operacion ushtarak”, siç thoshin ata, pa e ditur se do të shkonin në luftë, ishin vetë gratë ukrainase, që u kujdesën për ta kur dorëzoheshin. Humanizëm i madh, butësi e madhe. Gra të guximshme. Njerëz të guximshëm. Një popull, që nuk ka frikë të luftojë. Një popull punëtor dhe njëkohësisht, krenar për tokën e tij. Ta kemi parasysh identitetin ukrainas në këtë moment. Emocionohemi kur shohim një heroizëm të tillë. Dua me të vërtetë ta theksoj këtë pikë: heroizmin e popullit ukrainas. Para syve tanë kemi situatën e luftës botërore, të interesave globale, të shitjes së armëve dhe të një përvetësimi gjeopolitik, që po e martirizon këtë popull heroik.

Do të doja të shtoja një element tjetër. Kam pasur një bisedë 40 minutëshe me Patrikun Kirill. Në pjesën e parë më lexoi një deklaratë, në të cilën jepte arsyet për justifikimin e luftës. Kur mbaroi, unë ndërhyra dhe i thashë: “Vëlla, ne nuk jemi klerikë të shtetit, ne jemi barinj të popullit”. Duhej ta takoja më 14 qershor në Jerusalem, për të biseduar mbi punët tona. Por, për shkak të luftës, me marrëveshje të dyanshme, vendosëm ta shtyjmë takimin për një datë të mëvonshme, në mënyrë që dialogu ynë të mos keqkuptohej. Shpresoj ta takoj në një asamble të përgjithshme në Kazakistan, në shtator. Shpresoj të kem mundësi ta përshëndes dhe të flas pak me të si bari i Kishës.

14 qershor 2022, 14:32