Kërko

Indigjenët e Kanadasë tek Papa Indigjenët e Kanadasë tek Papa 

Papa: konfirmohet udhëtimi në Kanada. Programi i vizitës

Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë konfirmon udhëtimin e Papës Françesku në Kanada, nga 24 deri më 30 korrik, me etapa në Edmonton, Quebec dhe Iqaluit

R.SH. – Vatikan

Sot pasdite, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë konfirmoi dhe publikoi programin e udhëtimit të Papës Françesku në Kanada, nga data 24 deri më 30 korrik. Tri, fazat e vizitës - Edmonton, Quebec dhe Iqaluit – që do të përqëndrohet kryesisht në takimet me bashkësitë e autoktonëve, pas dramës së shkollave të drejtuara nga Kisha Katolike, ku para shumë kohësh, në ndjekje të një programi qeveritar për asimilimin e indigjenëve, fëmijët e tyre u bënë viktima të abuzimeve psikologjike dhe fizike, në përpjekjen për t’ua ndryshuar identitetin kulturor. Gjatë gjashtë ditëve të qëndrimit në Kanada, Ati i Shenjtë do të mbajë nëntë fjalime.

Programi, që u bë i njohur vetëm pak ditë pas anulimit të vizitës së tij në Republikën Demokratike të Kongos e në Sudanin e Jugut, për shkak të dhimbjes në gju, parashikon nisjen me avion, në orën 9.00, nga aeroporti i Fiumicinos, të dielën, më 24 korrik. Papa do të mbërrijë në Edmonton, qyteti kryesor i provincës perëndimore të Albertës.

Të hënën, më 25 korrik, do të takojë, paradite, popullsitë indigjene First Nations, Métis e Inuit, në Maskwacis, ndërsa pasdite, popullsitë indigjene dhe anëtarët e bashkësisë famullitare të kishës së Zemrës së Krishtit, në Edmonton.

Të martën, 26 korrik, festa liturgjike e Shën Joakimit dhe e Shën Anës, prindërit e Shën Marisë, në orën 10.15, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në “Commonwealth Stadium”, në Edmonton, ndërsa në rën 17.00 do të marrë pjesë në shtegtimin vjetor për nder të Shën Anës, "Lac Ste. Anne Pilgrimage", dhe në liturgjinë e fjalës në brigjet e "Lac Ste. Anne".

Të mërkurën paradite, 27 korrik, Papa do të niset për në Quebec, kryeqendra e provincës frëngjishtfolëse të Kanadasë, ku do të mbërrijë pasdite e do të marrë pjesë në ceremoninë e mirëseardhjes, në Rezidencën e Guvernatorit të Përgjithshëm, "Citadelle de Québec". Aty është përashikuar vizita e kortezisë tek guvernatorja e përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon, si edhe takimi me kryeministrin Justin Trudeau. Në orën 16.45, Papa do t’u flasë autoriteteve civile, përfaqësuesve të popullsive indigjene dhe anëtarëve të Trupit Diplomatik.

Të enjten paradite, më 28 korrik, gjithnjë në Quebec, Françesku do të kremtojë meshën në shenjtëroren kombëtare të Sainte Anne de Beaupré, ndërsa pasdite do të kryesojë Mbrëmësoret, bashkë me ipeshkvijtë e me klerin vendas, në katedralen e Notre Dame.

Programi vijon me ditën përfundimtare të shtegtimit papnor, kur, po në Quebec, në orën 9.00, Ati i Shenjtë do të takohet privatisht me jezuitët kanadezë, në selinë e kryeipeshkvisë e po aty, në orën 10.45, do të presë një delegacion indigjenësh. Në orën 12.45, nisja me avion për në Iqaluit, kryeqendër e Territorit të Nunavut, në veriun e skajshëm, ku Papa do të mbërrijë pas tri orësh. Pasdite, Françesku do të takohet privatisht me disa ish-nxënës të shkollave rezidenciale e, më pas, do t’u flasë të rinjve e të moshuarve në sheshin e shkollës fillore, ku do të mbahen këto veprimtari. Në orën 18.45, Papa do të largohet nga Iqaluit e nga Kanadaja për të arritur të nesërmen në mëngjes, në aeroportin romak të Fiumicinos.

23 qershor 2022, 17:27