Kërko

Ushtarakë të Brigatës "Granatierët e Sardenjës" Ushtarakë të Brigatës "Granatierët e Sardenjës"  

Papa Granatierëve të Sardenjës: ndihmoni njerëzit të jenë qytetarë të mirë

Françesku u takua sot, në Sallën Pali VI, me anëtarët e trupës ushtarake italiane të Granatierëve, të angazhuar në operacionin “Rrugët e sigurta”. “Puna juaj rreth qytetit të Vatikanit - pohoi - ndihmon për sigurimin e zhvillimit paqësor të ngjarjeve në të cilat, gjatë gjithë vitit, marrin pjesë shtegtarë dhe turistë nga e gjithë bota”.

R. SH. - Vatikan

Punojnë në rrugët e Romës, për ta bërë më të sigurt. Janë "Granatierët e Sardenjës", të stërvitur për të kryer detyra si operative, ashtu edhe përfaqësuese. Në kuadrin e operacionit “Rrugë të sigurta", vigjilojnë zona dhe objektiva të rëndësishme: qendra institucionale dhe diplomatike, aeroporte, stacione hekurudhore dhe metroje, vende kulti, qendra me interes artistik, kulturor e fetar. Duke iu drejtuar anëtarëve të kësaj trupe ushtarake të Ushtrisë Italiane, Papa u shprehu mirënjohjen për “praninë e përditshme në territorin e kryeqytetit, që i krijon popullatës atmosferë qetësie e sigurie”. U shprehu gjithashtu “mirënjohjen e sinqertë për shërbimin e kujdesshëm dhe të rëndësishëm” ndaj Selisë së Shenjtë, “në bashkëpunim me forcat e policisë, për ruajtjen e rendit publik:

“Puna juaj rreth qytetit të Vatikanit ndihmon për të siguruar zhvillimin e qetë të veprimtarive, të cilat tërheqin gjatë gjithë vitit shtegtarë dhe turistë nga e mbarë bota. Është veprimtari, që kërkon gatishmëri, durim, shpirt flijimi dhe ndjenjë detyre. E kuptoj që kjo lloj pune ndonjëherë mund të jetë pak rraskapitëse - mendoj verën, mendoj për të ftohtin e dimrit ... - megjithatë është shumë e dobishme për bashkësinë, e cila ju shpreh mirënjohjen dhe ju vlerëson”.

Profesionalizëm, ndjenjë përgjegjësie dhe përkatësie

Françesku, më pas, i nxiti Granatierët e Sardenjës “të jenë promovues të solidaritetit, si në vendin e punës ashtu edhe në jetën personale e shoqërore, duke ndihmuar njerëzit të jenë qytetarë të mirë. Më pas, urimi:

“Në përmbushjen e misionit tuaj, ju shoqëroftë përherë vetëdija se çdo njeri është i dashur nga Zoti, është krijesë e tij dhe si i tillë meriton respekt. Hiri i Zotit ju ushqeftë me frymën e dashurisë ndaj punës suaj, duke ju nxitur të jeni gjithjë më të vëmendshëm e më të përkushtuar”.

Papa ia beson granatierët mbrojtjes së Zojës

Papa kujtoi, në vijim, vitet e fundit në të cilat “punësimi i personelit të ushtrisë italiane në mjediset urbane është realitet i gjallë dhe i besueshëm”. Realitet, që karakterizohet nga “afërsia me njerëzit, bashkëpunimi në parandalimin dhe luftën kundër krimit, mbështetja për aktivitete që lidhen me situata të veçanta emergjente”. Repartet e ndryshme, që erdhën njëri pas tjetrit - kujtoi Papa - i bënë “një shërbim të rëndësishëm vendit, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të sigurt”.

Brigadës “Granatierët e Sardenjës”, e cila “është gati të përfundojë detyrën për t'i hapur rrugën një kontingjenti tjetër ushtarak”, Françesku, në përfundim, i drejtoi këto fjalë:

“Në çdo dalje dhe hyrje në Vatikan, me rastin e udhëtimeve apostolike, vizitave në ndonjë famulli apo komunitet, ju shoh dhe falënderoj Zotin për përkushtimin tuaj dhe për praninë tuaj, si roje sigurie. Ndaj ju shoqëroj në udhën tuaj me dashurinë dhe afërsinë time. Ju lë nën mbrojtjen amtare të Zojës: mund t'i drejtoheni asaj gjithmonë me besim, veçanërisht në çastet e lodhjes dhe të vështirësive, të sigurt se, si një nënë e shumëdashur, do të dijë t’ia paraqesë Birit të saj Jezus nevojat dhe dëshirat e secilit prej jush. Ajo është nënë dhe, si të gjitha nënat, di si të ruajë, si të mbulojë, si të ndihmojë, si të jetë gjithnjë pranë”.

11 qershor 2022, 14:07