Papa: ftesë për mision, familjeve
R. SH. - Vatikan
Të dashura familje - me këto fjalë nis ftesa papnore. - Ju ftoj ta vijoni udhën, duke dëgjuar Atin, që ju thërret të jeni misionare në udhët e botës. Mos ecni të vetme!
Ju, familje të reja, ecni pas udhërrëfyesve; e ju që prini, shoqërojeni kë vjen pas.
Ju, që humbët për shkak të vështirësive, mos t’ju mposhtë trishtimi, besojini Dashurisë së Zotit, luteni ditë për ditë Shpirtin Shenjt që ta gjallërojë shpirtin tuaj!
Kumtojeni me gëzim e bukuri se jeni familje.
Kumtojani fëmijëve e të rinjve hirin e martesës së krishterë.
Jepuni shpresë, atyre që s’e kanë.
Veproni sikur gjithçka të varej nga ju, duke e ditur mirëfilli se gjithçka duhet lënë në dorë të Zotit!
Do ta endni ju indin e shoqërisë e të Kishës sinodale, që krijon marrëdhënie, duke e shumëzuar dashurinë dhe jetën.
Jini shenjë e Krishtit të gjallë, mos kini frikë nga çka ju kërkon Zoti, as nga gjegjja juaj fisnike.
Hapjani zemrën Krishtit, dëgjojeni në heshtjen e lutjes!
Shoqërojeni të ligshtin, ndihmojeni të vetmuarin, të treturin, të braktisurin…
Jini farë e një bote më vëllazërore! Familje shpirtmëdha!
Jini fytyra mikpritëse e Kishës! E, ju porosis, lutuni, gjithnjë!
Maria, Nëna jonë, ju ndihmoftë kur t’ju mungojë vera, ju shoqëroftë në kohën e heshtjes e të provës, ju ndihmoftë të ecni përkrah Birit të Ngjallur!