Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa Françesku: të mos mësohemi me luftën në Ukrainë, martirizim i një populli

Në fund të audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë përmendi sërish luftën në Evropën Lindore dhe kërkoi të mos shihet si “e largët”, por si masakrimi i një kombi, të cilit i duhet qëndruar pranë me ndihmë dhe lutje

R.SH. – Vatikan

Kujtesa zbehet, ndjenja e dhimbjes ka rrezik të ftohet e të mos ndihet më si më parë. Papa Françesku përdori sot këtë shprehje për të përshkruar gjendjen, që po përjeton popullsia ukrainase që prej katër muajsh. Në fund të audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkure, duke folur pa letër gjatë përshendetjes për shtegtarët e shumtë, që kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë ftoi të mos harrohet tragjedia e luftës:

“Ju lutem, të mos e harrojmë popullin e martirizuar të Ukrainës në luftë. Të mos mësohemi të jetojmë sikur lufta të ishte diçka e largët. Kujtimi, dashuria, lutjet dhe ndihma jonë qofshin gjithmonë pranë këtij populli, që vuan kaq shumë dhe që po kalon përmes një martirizimi të vërtetë”.

Të mos mësohemi me luftën

Të mos mësohemi me realitetin e luftës. Papa e ka përsëritur shpesh këtë, që nga fillimi i konfliktit, duke nënvizuar, për shembull, rëndësinë e ndihmës humanitare, e cila – thoshte që në mars - nuk duhet të ndërpritet. Edhe të dielën e kaluar, Françesku, në përshëndetjet pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, e çoi mendimin në konfliktin e Ukrainës, duke u lutur për ato popullsi dhe duke i nxitur besimtarët të mos harrojnë ç’po ndodh:

“Është gjithmonë i gjallë në zemrën time mendimi për popullsinë ukrainase, të munduar nga lufta. Koha që kalon të mos e ftohë ndjenjën e dhimbjes dhe shqetësimin tonë për ata njerëz të martirizuar. Ju lutem, të mos mësohemi me këtë realitet tragjik! Ta kemi gjithmonë në zemër. Të lutemi dhe të luftojmë për paqen”.

15 qershor 2022, 10:23