Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa Françesku, 30 vite ipeshkëv

Kremtohet 30-vjetori i shugurimit ipeshkvnor të Papës Françesku. Si sot, më 27 qershor 1992, Jorge Mario Bergoglio u bë ipeshkëv në duart e kardinalit Antonio Quarracino, atëherë, në krye të dioqezës së Buenos Airesit, në Argjentinë

R.SH. – Vatikan

Përvjetor i rëndësishëm, sot, për Papën Françesku. 30 vite më parë, më 27 qershor 1992, Jorge Mario Bergoglio u shugurua ipeshkëv në duart e kardinalit Antonio Quarracino, kryeipeshkëv i atëhershëm i Buenos Airesit, në Argjentinë. Shumë ujë ka rrjedhur nën urë që nga ajo kohë, por Papa Françesku ka mbetur ipeshkëv. Vërtet, ai është ipeshkvi i Romës e kreu i kolegjit të ipeshkvijve të gjithë botës.

Papa është ipeshkvi i Romës

Ndër gjithë ipeshkvijtë, titullari i selisë romake ka marrë një rol të veçantë gjatë shekujve. Sidomos nga shekulli XI, atij i rezervohen titujt si Papë, Atë i Shenjtë, Mëkëmbës i Krishtit, të cilët, në shekujt e parë, përdoreshin edhe për ipeshkvij të tjerë me autoritet. Me kalimin e kohës, selia e Romës mori rëndësi gjithnjë e më të madhe. Sot, papati përfaqëson një institucion me ndikim ndërkombëtar dhe një autoritet tejet të lartë moral. Për katolikët, ai është garancia më e madhe e besnikërisë ndaj fesë dhe e lidhjes së bashkësive të krishtera të botës me Krishtin dhe apostujt, përmes trashëgimisë apostolike të selisë së Shën Pjetrit. Koncili I Ekumenik i Vatikanit (1870) i njohu ipeshkvit të Romës pagabueshmërinë në çështjet e fesë e të moralit (ex cathedra), pra aftësinë për të transmetuar pa gabime parimet themelore të mesazhit të krishterë, pavarësisht se ai vetë nuk u shpëton gabimeve e tundimeve. Pikërisht për këtë arsye, të qënit ipeshkëv i Romës i jep Papës autoritetin, që nuk e kanë ipeshkvijtë e tjerë, pavarësisht se të barartë më të në rolin e tyre ipeshkvnor.

Lumnitë e ipeshkvit

Papa Françesku iu paraqit botës si ipeshkvi i Romës, i ka dhënë e i jep gjithnjë rëndësi detyrës ipeshkvnore për udhëheqjen e grigjës së krishterë, por sidomos dëshmisë së ipeshkvit. Jo më larg se vitin e kaluar, në përfundim të asamblesë së tyre të përgjithshme, Ati i Shenjtë u dha ipeshkvijve italianë të ashtuquajturat “lumnitë e ipeshkvit”, marrë nga një homeli e kryeipeshkvit të Napolit, imzot Domenico Battaglia. Janë gjithsej, tetë, me të cilat i urojmë edhe ne Papës përvjetorin e shugurimit ipeshkvnor:

Lum ipeshkvi, që e bën varfërinë dhe ndarjen me të tjerët, stil personal të jetës, sepse me dëshminë e tij, ndërton Mbretërinë e Qiellit.

Lum ipeshkvi, që nuk ka frikë të derdhë lot, kur në to pasqyrohen dhimbjet e njerëzve, lodhja e meshtarëve, duke e gjetur në përqafimin me të vuajturit ngushëllimin e Zotit.

Lum ipeshkvi, që e konsideron detyrën e tij shërbim e jo pushtet, duke e kthyer dobësinë e tij në forcë, duke u dhënë të gjithëve të drejtën të banojnë në zemrën e tij, për t’u dhuruar tokën e premtuar të ligshtëve.

Lum ipeshkvi, që nuk mbyllet në pallatet e qeverisjes, që nuk bëhet burokrat me mendjen tek statistikat më tepër se tek fytyrat, tek procedurat më tepër se tek historitë njerëzore; që përpiqet të luftojë krah njerëzve për ëndrrën e drejtësisë së Hyjit, pasi Zoti, takuar në heshtjen e lutjes së përditshme, do të jetë ushqimi i tij.

Lum ipeshkvi, që e ka për zemër mjerimin e botës, që nuk ka frikë të ndyejë duart me baltën e shpirtit njerëzor për të gjetur aty arin e Zotit, që nuk shkandullohet nga mëkati e nga brishtësia e të tjerëve, sepse i vetëdijshëm për mjerimin e vet. Vështrimi i Krishtit të Ringjallur do të jetë për të vula e faljes pa fund.

Lum ipeshkvi që i rri larg dyfytyrësisë, që shmang çdo dinamikë të dyshimtë, që ëndërron të mirën edhe në mes të së keqes, pasi do të jetë në gjendje të shohë me gëzim fytyrën e Zotit, pasqyruar në çdo pellg të baltosur të qytetit të njerëzve.

Lum ipeshkvi, që punon për paqen, që shoqëron udhët e pajtimit, që mbjell në zemrën e meshtarëve farën e bashkimit, që e drejton shoqërinë e përçarë në shtegun e faljes, që e merr për dore çdo burrë e çdo grua vullnetmirë për krijimin e vëllazërimit: Zoti do ta njohë si birin e vet.

Lum ipeshkvi, i cili, për Ungjillin, nuk ka frikë të shkojë kundër rrymës, duke e bërë fytyrën “të patundur”, si ajo e Krishtit kur shkonte për në Jeruzalem, pa u ndalur nga keqkuptimet dhe pengesat, sepse ai e di që Mbretëria e Zotit ecën përpara në kundërshtim me mendësinë e botës.

27 qershor 2022, 13:17