Papa: është koha e mikpritjes, në Kishë ka vend për të gjithë
R.SH. - Vatikan
Apostujt e mëdhenj Pjetër dhe Pal, rijetuan sot në Liturgjinë e Kishës. Posaçërisht në homelinë e Papës që të parin, burgosur nga Herodi, e kujtoi në çastin kur engjëlli i Zotit i thotë: “Çohu shpejt” (Veprat 12:7); të dytin, kur përmblidhte gjithë jetën dhe apostullimin e tij në shprehjen: “E luftova luftën e mirë” (2 Tm 4,7). Nga këto dy aspekte u nis Papa për të pyetur, më pas, çfarë lëshillash i japin sot bashkësisë së krishterë, ndërsa është në zhvillim e sipër procesi sinodal.
Nata e këputjes së zinxhirëve
Në vijim të homelisë, Papa u ndalua tek Veprat e Apostujve, tek nata kur Pjetri lirohet nga zinxhirët, pasi një engjëll i Zotit i preku brinjën ndërsa flinte e i tha: “zgjohu shpejt, ngrehu”:
“Kjo skenë na kujton Pashkët, sepse gjejmë dy folje të përdorura në tregimet e ringjalljes: të zgjohesh dhe të ngrihesh. Do të thotë që engjëlli e zgjoi Pjetrin nga gjumi i vdekjes dhe e shtyu të ngrihej, të dilte në dritë, ta linte Zotin t’i printe për të kapërcyer pragun e të gjitha dyerve të mbyllura”.
Të ngrihemi, për të hyrë në dinamizmin e ringjalljes
Figurë domethënëse për Kishën – nënvizoi Papa:
“Edhe ne, si dishepuj të Zotit dhe si bashkësi e krishterë, jemi të thirrur të ngrihemi shpejt, për të hyrë në dinamizmin e ringjalljes dhe për ta lënë Zotin të na prijë aty ku dëshiron”.
Po ne nuk jemi gjithnjë gati të lëvizim – vërejti Ati i Shenjtë në vijim të homelisë së Meshës kushtuar dy Kryeapostujve të Kishës në festën e tyre.
“Ndonjëherë, si Kishë, na pushton përtacia dhe na pëlqen të ulemi e të sodisim ato pak gjëra të sigurta që zotërojmë, në vend që të të hedhim vështrimin drejt horizonteve të reja, drejt detit të hapur. Shpesh jemi të lidhur si Pjetri, në burgun e zakonit, të frikësuar nga ndryshimet dhe të lidhur me zinxhirin e dokeve tona. Por në këtë mënyrë ne rrëshqasim në mediokritetin shpirtëror, entuziazmi i misionit zbehet e, në vend që të jemi shenjë gjallërie dhe krijimtarie, japim një përshtypje të vakët”.
Pastaj, rryma e madhe e risisë dhe e jetës, që është Ungjilli - shkruante At de Lubac - në duart tona “bie në formalizëm, bëhet zakon, fe ceremonish e përkushtimesh, zbukurimesh, edhe vulgare, ngushëllimesh[…]. Krishterim klerikal, krishterim formalist, krishterim i shurdhër, i ngurtë” "(Drama e humanizmit ateist. Njeriu përpara Zotit, Milano 2017, 103-104).
Thirrja e Sinodit: Kishë në këmbë!
Sinodi që ne kremtojmë - nënvizoi Papa në vijim të homelisë mbajtur gjatë Meshës kushtuar dy Kolosëve të Kishës, Pjetrit e Palit, na thërret të bëhemi një Kishë që ngrihet në këmbë, jo e palosur në vetvete, por e aftë të shikojë përtej, të dalë nga burgjet, për të takuar botën. E këtu Papa pikturoi “portretin” e një Kishe të re, që i përgjigjet kërkesave të kohës, në të cilën jetojmë:
“Kishë pa zinxhirë, pa mure, ku të gjithë të ndihen të mirëpritur dhe të shoqëruar, ku të kultivohet arti i të dëgjuarit, i dialogut, pjesëmarrjes, nën autoritetin e vetëm të Shpirtit Shenjt. Kishë e lirë dhe e përulur, e cila ‘ngrihet shpejt’, nuk ngec, nuk i vonon sfidat e sotme, nuk zgjatet në mjediset e shenjta, por e lë veten të gjallërohet nga pasioni për shpalljen e Ungjillit dhe dëshira për t’i arritur të gjithë dhe për t’i mirëpritur të gjithë”.
A e luftuam luftën e mirë?
Leximi i dytë, përmes fjalëve të Palit: “E luftova luftën e mirë”, domethënë nuk e kurseva veten në betejën për shpalljen e Ungjillit të Jezusit, na kujton se Apostulli ishte gjithnjë i gatshëm ta mirëpriste Jezusin, pa ndjekur kurrë mësues e interesa të tjera. Ndaj Pali u kërkon sot vëllezërve ta kryejnë misionin e besuar, ta bëjnë pjesën e vet. E më pas, thirrja:
“Mos u ankoni për Kishën, por kushtojuni Kishës. Merrni pjesë me pasion dhe përulësi: me pasion, sepse nuk duhet të mbetemi spektatorë pasivë; me përulësi, sepse përfshirja në bashkësi nuk duhet të nënkuptojë kurrë të jesh në qendër, të ndihesh më mirë dhe të pengosh të tjerët të afrohen. Kishë Sinodale do të thotë: të gjithë marrin pjesë, askush në vend të të tjerëve ose mbi të tjerët”.
Beteja e madhe e jetës kundër vdekjes
Por, ç’do të thotë të marrësh pjesë? – pyeti Papa:
“Të marrësh pjesë, do të thotë gjithashtu të vazhdosh ‘luftën e mirë’ për të cilën flet Pali, duke na kujtuar se që nga ngjallja e Jezu Krishtit, nisi beteja e madhe ndërmjet jetës dhe vdekjes, shpresës dhe dëshpërimit, dorëzimit përballë së keqes dhe luftës për më të mirën: betejë që nuk do të pushojë derisa të mposhten përfundimisht të gjitha fuqitë e urrejtjes dhe shkatërrimit”(C. M. MARTINI, Predikimi i Pashkëve të Ngjalljes, 4 Prill 1999).
E më pas, edhe pyetja e dytë: çfarë mund të bëjmë ne së bashku, si Kishë, për një botë më njerëzore, më të drejtë, më të afërt me Zotin dhe me njeriun?
“Sigurisht që nuk duhet të mbyllemi në qarqet tona kishtare dhe të gozhdojmë veten në disa nga diskutimet tona sterile, por të mbetemi në brumin e botës. Të kujdesemi së bashku për jetën e njeriut, për mbrojtjen e krijimit, për dinjitetin e punës, për problemet e familjeve, për gjendjen e të moshuarve dhe të atyre që janë të braktisur, të flakur e të përbuzur. Me pak fjalë, të jemi një kishë që promovon kulturën e kujdesit, dhembshurisë për të ligshtit dhe luftën kundër të gjitha formave të zvetënimit, duke përfshirë atë të qyteteve tona dhe të vendeve ku kalojmë jetën, në mënyrë që gëzimi i Ungjillit të shkëlqejë në jetën e të gjithëve: kjo është “lufta jonë e mirë”.