Kërko

Zelensky, Severodonetsk e Lysychansk janë qytete të vdekura! Zelensky, Severodonetsk e Lysychansk janë qytete të vdekura! 

Françesku: të mos e harrojmë Ukrainën e martirizuar

Në përshëndetjet pas Engjëllit, Papa i porositi të gjithë ata, që po e ndiqnin, të mos i harrojnë vuajtjet e popullsisë ukrainase e të mos mësohen me këtë realitet tragjik! Ta kemi gjithnjë në zemrat tona, koha të mos na e qetësojë dhimbjen, porositi. Luhansk gjithnjë e më i dobët përballë ushtrisë ruse.

R. SH. - Vatikan

Nuk duhet të mësohemi me realitetin e luftës. Papa Françesku, në përshëndetjet e pas-Engjëllit, foli përsëri për konfliktin në Ukrainë, kërkoi lutje për ato popullsi dhe u bëri thirrje besimtarëve të mos e harrojnë atë, që po ndodh:

“Mendimi për popullsinë ukrainase të prekur nga lufta është gjithnjë i gjallë në zemrën time. Koha që kalon nuk e qetëson dhimbjen, as shqetësimin tonë për ata njerëz të martirizuar. Ju lutem mos të mësohemi me këtë realitet tragjik! Ta kemi gjithnjë në zemrat tona. Të lutemi dhe të luftojmë për paqen”.

Luhansku, në prag të pushtimit

“Ndërkohë që luftimet vazhdojnë, humbja e ukrainasve në rajonin lindor të Luhansk duket gjithnjë e më shumë realitet” - pohon vetë guvernatori Serhiy Haidai, i cili flet për një ushtri tashmë pa armë dhe për luftime të ashpra nëpër rrugët e Severodonetsk, pushtuar pothuajse krejt nga rusët. Një hamendje, që konfirmohet nga analistët e Uashingtonit, është se kontrolli  plotë i Luhanskut do të arrihet brenda pak javësh, pavarësisht nga kostoja e lartë, domethënë, nga varret dhe plagët, që do të hapen për ushtrinë e Moskës. Deri më sot, Kievi e ka nën kontroll fabrikën kimike Azot në Severdonetsk, ku qindra civilë mbeten ende të bllokuar. Presidenti ukrainas Zelensky deklaron se Donbasi do të qëndrojë dhe se Moska do ta paguajë gjithçka, që po ndodh. E me që jemi në ditën e çlirimin gradual të territorit në rajonin e Kherson-it dhe të progresit në rajonin e Zaporizhzhia-s, kujton edhe sukseset e trupave ukrainase, duke folur për çlirimin gradual të territorit në zonën Kherson si dhe për progresin në zonën e Zaporizhës.

Blinken, rusët meritojnë të jetojnë pa represion

Ndërkohë, Pekini nuk pranon se i ka dhënë ndonjëherë mbështetje materiale Rusisë në konfliktin kundër Ukrainës, ndërsa nga Uashingtoni, Sekretari amerikan i Shtetit Blinken, pohon se rusët, si  të gjithë njerëzit e botës, “meritojnë të jetojnë pa shtypje dhe t’i gëzojnë pa frikë nga hakmarrja, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”. Ndërkohë një vizitë e papritur në Kiev: ajo e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të cilën Ukraina është në rrugën e duhur për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ndërkohë gjermani Olaf Scholz, italiani Mario Draghi dhe francezi Emmanuel Macron janë gati të shkojnë së bashku në Kiev për ta takuar Zelensky-n. Programi - sipas shtypit gjerman - do të ishte të arrihej atje përpara samitit të G7, nga 26 deri më 28 qershor në Bavari, për të dërguar një sinjal mbështetjeje për qeverinë ukrainase.

 

12 qershor 2022, 13:22