Kërko

Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm  të Shoqërisë së Shën Palit Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Shoqërisë së Shën Palit  

Papa: komunikimi ka nevojë për pastrim dhe vërtetësi

Papa pret familjen Pauline, mbledhur në kapitullin e përgjithshëm dhe nënvizon se mediave të sotme shpesh u mungon ndershmëria: nuk është thjesht profesion, por thirrje, ndaj duhet të jetë e pastër, e qartë, e dëshmuar me jetën e tënde, si në Ungjill.

R. SH. - Vatikan

Një komunikim “i pastër”, i dlirë si faqe ungjilli, i vërtetë e, për pasojë,   me vite drite larg “dezinformimit” të rrenave, sot gjithnjë më të shfrenuara. Kështu do ta dëshironte, e kështu edhe e kërkon Françesku nga ata që, veçanërisht në Kishë, e jetojnë çdo ditë si mision, aktualizimin e kësaj karizme: nga familja e Paulinëve, të cilët Papa i quan “apostuj të komunikimit”.

Siç i ndodh shpesh, Françesku u drejtoi një fjalim  të lirshëm, duke ua dorëzuar  të shkruarin, në mënyrë që të mund të përdorte nota të ndryshme në të njëjtën partiturë t’i thellonte disa mendime. Kjo mënyrë u përsërit edhe sot me përfaqësuesit e Shoqërisë së Shën Palit, mbledhur prej ditësh në kapitullin e përgjithshëm. E menjëherë, nga fjalimi spontan, doli në pah një tregues i ngutshëm:

“Të komunikosh është shumë më tepër sesa profesion: është thirrje. Dhe këtë Atë Alberione deshi ta nënvizonte në familjet e ndryshme - të njohura me emrin Pauline. Kërkonte komunikim të pastër. Dhe ju këtë thirrje keni, për të komunikuar pastërtisht, ungjillësisht”.

Jo, dezinformimit

Skenari aktual për Françeskun - dhe ai flet haptaz - është shpesh e kundërta e asaj që duhet të jetë, “një gjellë i patretshme, e ndyrë, e papastër”. Një shtrembërim, siç ndodh në përrallën e Kësulkuqes që - Papa e vëren me ironi - duke kaluar nga një komunikim në tjetrin, “nis me ujkun, që dëshiron të hajë Kësulëkuqen dhe përfundon me Kësulkuqen dhe gjyshen, që hanë ujkun”:

“Nëse i marrim mediat e sotme të komunikimit, në to mungon pastërtia, mungon ndershmëria, mungon plotësia. Dezinformimi është në rendin e ditës: thuhet një gjë, e fshihen shumë të tjera. Duhet të sigurohemi që në komunikimin tonë të fesë kjo të mos ndodhë. Të mos ndodhë, e komunikimi të vijë pikërisht nga vokacioni, nga Ungjilli, i pastër, i qartë, i dëshmuar me jetë”.

Identiteti vjen nga thirrja

“Gjë e mirë - sqaroi Papa - që mes jush ka komunikues profesionistë, por, përsëriti, “para profesionit vjen thirrja e është pikërisht thirrja që të jep identitet”. Dhe është ai lloj identiteti,  që e shikojmë tek Davidi profet, të cilin Zoti e thërret kur po kulloste grigjën, por pa harruar t’i kujtojë nga erdhi. Një pikë që për Françeskun është gur themeli i magjisterit:

“Mos e harro grigjën, që të mos vijnë ‘tymnajat’ e ta mbushin kokën me mendimin se je i rëndësishëm, se arrite të bëhesh ipeshkëv, kardinal... Jo, kjo nuk vlen fare! Duhet pastërti, duhet ditur prej nga vij, prej cilit realitet. Dhe Zoti gjithmonë komunikon në realitet: silluni në mënyrë që jeta juaj të jetë pikërisht komunikim i thirrjes suaj, që askush nga ju të mos ketë nevojë ta fshehë kush është në të vërtetë”.

Çfarë shkruhet, në fjalimin e padorëzuar?

Në fjalimin e shkruar për këtë rast, Papa kërkon, ndër të tjera, nga të gjitha degët e familjes Pauline të ecin në vazhdën e mësimeve të të Lumit Giacomo Alberione “duke i shfrytëzuar sa më shumë mjetet e komunikimit”. E duke cituar Redemptoris missio, vëren:

“Nuk mjafton të përdorësh mjetet e komunikimit për të përhapur mesazhin e krishterë dhe Magjisterin e Kishës; duhet integruar vetë mesazhi në kulturën e re të krijuar nga komunikimi modern. Një kulturë që lind, para përmbajtjeve, nga vetë fakti se ka mënyra të reja komunikimi me gjuhë të reja, teknika të reja dhe sjellje të reja psikologjike”.

18 qershor 2022, 16:32