Ati i Shenjtë shpreh dhimbjen për tragjeditë e migrantëve në Melilla e Texas
R.SH. – Vatikan
Ditët e fundit, dy ngjarje dramatike, që kanë të bëjnë me realitetin e emigracionit, vënë në pah një gjendje jo të re, me të varfrit e planetit, që shtyhen në kufijtë e vendeve më të pasura, në kërkim të një jete më të mirë, e cila shpesh, mbetet mirazh. Në tweet-in e tij të paradites, duke pasur parasysh pikërisht këto ngjarje, Papa Françesku shkruan:
“Mësova me dhimbje lajmin për tragjeditë e migrantëve në Texas dhe Melilla. Të lutemi së bashku për këta vëllezërit tanë, që vdiqën ndërsa ndiqnin shpresën për një jetë më të mirë; të lutemi edhe për ne, që Zoti të na i hapë zemrat e që këto fatkeqësi të mos ndodhin më kurrë”.
Comece: të respektohet dinjiteti i njeriut
Tragjedia në Melilla, në kufirin ndërmjet Marokut dhe Spanjës, quajtur nga shumë vetë “masakër”, ndodhi të premten e kaluar: për shkak të shtyrjeve, që pasuan përpjekjen e rreth 1500 emigrantëve afrikanë për të hyrë në enklavën spanjolle, të paktën 23 vetë u shtypën për vdekje. Qeveria algjeriane e akuzon Marokun për reagimin brutal të forcave policore të Rabatit, duke nënvizuar se vendi po luan rolin e qenit të kufirit për Evropën. Përdorimi pa kriter i forcës dënohet edhe nga Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), i cili në një deklaratë për shtyp bën thirrje për hetim të pavarur dhe rithekson nevojën për respektimin e të drejtave të migrantëve dhe të refugjatëve, duke identifikuar azilkërkuesit e ligjshëm. Në të njëjtën linjë, edhe ipeshkvijtë spanjollë.
Tragjedia e migrantëve në Texas
Ndërkaq, mijëra kilometra larg Marokut, një kamion kthehet në arkivol për 46 emigrantë të braktisur rreth 240 kilometra larg kufirit Meksikë-SHBA. Mbrëmë, në qytetin teksan San Antonio, prej grupit, mbijetuan vetëm 16 vetë, të tjerët nuk ia dolën të duronin temperaturën e lartë të këtyre ditëve, që sillet rreth 40 gradëve. Për këtë tragjedi, që konsiderohet më e rënda e trafikantëve të njerëzve në territorin amerikan, hetimet i janë besuar Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Texas-it. Deri tani, janë arrestuar tre vetë.